PRISHTINE- Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi sot me 86 vota pro dhe asnjë abstenim ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshje nuk mori votat e opozitës, pasi deputetët janë larguar nga salla menjëherë pas fjalës së krerëve të grupeve parlamentare. Në sallë votuan edhe deputetët e Listës serbe edhe pse patën paralajmëruar bojkotin e seancës.

“Urime të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Me 86 vota pro Kuvendi miratoi Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën tjetër”, konstatoi kryeparlamentari Kadri Veseli, duke uruar e përmbyllur punimet e sotme të seancës plenare.

Seanca filloi me prezantimin e projektligjit nga ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, i cili tha se përfitimet nga kjo marrëveshje nuk përfundojnë me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, por atëherë do të fillojnë dhe do të vërehen në çdo fushë.

“Kosova është e gatshme për të marr detyrat dhe përmbushur kriteret e bashkimit Evropian, në mënyrë që qytetarët e shtetit tonë të fitojnë drejt rrugës evropiane”, theksoi Çollaku.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci tha se MSA-ja është marrëveshja më e rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe se gatishmëria e kosovarëve për të arritur marrëdhënie kontraktuale me BE-në do ta bëjnë të suksesshme këtë marrëveshje.

Shefi i Grupit Parlamentarë të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, e shikon nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), si kusht i nënshkrimit të marrëveshjeve në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse e ka përshëndetur një nismë të tillë për ratifikimin e kësaj marrëveshje, Konjufca nuk është pajtuar me fusnotën që i është vënë Kosovës në këtë marrëveshje.

Konjufca tha se fusnota është në të njëjtën kategori me ‘Zajednicën’, e cila po ashtu ishte kërkesë e Serbisë.

“Problemi është se në çfarë statusi Kosova po e nënshkruan MSA-në. MSA me BE-në po ratifikohet, duke e kontestuar shtetin, pasi i është vënë fusnota. Fusnota ashtu sikurse Zajednica ka qenë kërkesë e Serbisë. Kosova po miraton legjislacion vendor, i cili e ka fusnotën brenda. A po e shihni se fusnota filloj si përfaqësim i Kosovës, e tani po bëhet problem i brendshëm”, tha Konjufca.

Përveç kësaj Konjufca tha se MSA nuk i erdhi Kosovës për shkak se ky shtet luftoi korrupsionin, apo dekriminalizoi administratën.

“MSA-ja erdhi vetëm për një arsye. Për shkak të marrëveshjeve me Serbinë. Do ia kishim parë hajrin shumë më tepër nëse ajo do të vinte për luftimin e korrupsionit, etj. Ajo nuk po vjen për shkak të këtyre kushteve. Kushti i saj bazik është në kuadër të marrëveshjeve. Integrimi i Kosovës po kalon nëpër Beograd. MSA është një pako kushtesh, të cilat nëse nuk plotësohen atëherë nuk ka integrime evropiane. Nëse në një shtet ka qeveri të korruptuar, nëse kjo qeveri është e paaftë për të luftuar korrupsionin, nëse qeveria i ka kapur institucionet e pavarura shtetërore, atëherë procesi i MSA-së ngrihet tërësisht”, tha Konjufca.

​Kryetarja e grupit parlamentar i të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami tha se Nisma ka vërejtjet e këtij projektligji duke filluar nga neni i parë deri në nenin e 13, por mbështet çdo veprim drejt integrimeve evropiane.

Nisma do të vazhdojë të ruajë marrëdhëniet e mira me instrumentet ndërkombëtare në proceset integruese, por në të njëjtën kohë do të kundërshtojë çdo marrëveshje që dëmton qytetarët e Kosovës dhe territorin e saj.

Mbështetje për MSA-në shprehën Slavko Simic në emër të grupit parlamentar të Listës Serbe dhe Kujtim Paqaku nga grupi parlamentar i komuniteteve tjera pakicë Gjashtë Plus.

Sot në mëngjes, një orë para fillimit të seancës plenare, u mblodh Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e kalimin e Projektligjit.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ata të AAK-së dhe Nismës, u larguan nga seanca që po zhvillohet për projektligjin për ratifikimin e MSA-së.

Opozita qe ne fillim te senaces deklaroi se nuk do ta bllokojë ratifikimin e marrëveshjes, por që nuk do të jetë në seancë për ta votuar, pasi ka vota të mjaftueshme për ta bërë këtë.(KosovaPress)
(ma.ar/tg/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: