SHKUP-Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ratifikoi sot marrëveshjen me Greqinë për emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”, me 69 vota pro dhe asnjë kundër.

Në seancë nuk morën pjesë deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE.

Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në seancën kuvendore për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë tha se qytetarët do ta sjellin vendimin përfundimtar për çështjen e emrit.

“Para tre ditëve nënshkruam dokument për t’i dhënë fund çështjes tre dekadëshe. Kemi nënshkruar fillimin e fundit të paqartësive. Zgjidhje e dinjitetshme për të dyja palët. Gjuha dhe identiteti nuk do të shkelen nga marrëveshja”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Gjatë ditës së djeshme edhe Komisioni për Çështje Evropiane i dha dritë jeshile marrëveshjes, dhe pas kësaj dokumenti do të dërgohet tek presidenti Gjorge Ivanov, i cili ka një afat prej shtatë ditësh për ta nënshkruar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb