PRISHTINE- Ashtu siç pritej, Kuvendi i Kosovës ka nisur sot një seancë të jastëzakonshme për arrestimin e ish-kryeministrit dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka prezantuar para deputetëve të kuvendit kërkesën dhe arsyetimin për mbajtjen e kësaj seance, të iniciuar nga deputeti i AAK-së dhe e përkrahur nga 44 deputetë tjerë. “Është i papranueshëm ekstradimi i Haradinajt në Serbi, ngase është dëshmuar dy herë edhe në Hagë. Vendimi për të mbajtur në paraburgim është i papranueshëm… Në fund do të dalim me rekomandime”, tha Lekaj.

Haradinaj pak ditë më parë u arrestua në aeroportin e Bazelit, nga autoritetet franceze, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Serbia në vititn 2004. Ai vazhdon të mbahet në paraburgim në Francë, ndërsa Beogradi pritet të paraqesë provat dhe kërkesën e tyre për ekstradim.

MUSTAFA: NUK SHOHIM ARSYE QË HARADINAJ TË MBAHET NË FRANCË
Pjesë e kësaj seance të jashtëzakonshme, është bërë dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Gjatë fjalës së tij ai deklaroi se autoritetet kosovare nuk shohin asnjë arsye që Haradinaj të mbahet në Francë. Ai pohoi se Prishtina zyrtare ka komunikuar me autoritetet franceze, duke theksuar se të gjithë janë të unifikuar për këtë çështje. “Përfaqësuesit e Kosovës kanë raportuar tek zyrtarët francezë se politikat serbe ndaj Kosovës janë të paligjshme. Nga viti 1999 çdo gjë ka pushuar me Serbinë. Nuk ka asnjë arsye që Haradinaj të mbahet në Francë, i akuzuar mbi politikat serbe”, tha Mustafa.

Gjithashtu, Mustafa tha se të gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim për të liruar sa më shpejt Ramush Haradinajn. “Po ashtu dëshiroj t’iu njoftoj se me të kuptuar lajmin për ndalimin e zotit Haradinaj gjitha dikasteret kompetente të Qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim dhe janë angazhuar me përkushtim të plotë për të kontribuar në çdo formë në lirim sa më të shpejtë të z. Haradinaj në mënyrë që ai sa më shpejt të kthehet në Kosovë”, tha Mustafa.

HOXHAJ: SERBIA IU RIKTHYE KOHËS SË MILLOSHEVIÇIT, PO RREZIKON DIALOGUN
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj deklaroi se janë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë franceze për të mundësuar që Ramush Haradinaj të lirohet sa më shpejt. Hoxhaj tha më tej se Serbia ka rikthyer logjikën e politikës së Millosheviçit.

Ministri i Jashtëm tha se kanë marrë veprime reciproke në raport me Serbinë, duke përmendur vendimin për ndalimin e presidentit serb Tomisllav Nikoliç që të hyjë në Kosovë. “Burim i ndalimit të Haradinajt është Serbia”, tha Hoxhaj në seancë. Ministri i Punëve të Jashtme tha se Serbia me këto veprime po rrezikon dialogun me Kosovën. Hoxhaj tha se ka bërë kërkesë zyrtare për vizitë urgjente në Francë e ku temë kryesore do të jetë lirimi i Haradinajt.

SEANCA E JASHTEZAKONSHME
Javën e kaluar, nisma e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës “me kërkesë që kthimi në atdhe i Ramush Haradinajt të konsiderohet detyrë shtetërore, si dhe të pezullohen bisedimet me Serbinë” është pasuar me një mbledhje të shtunën të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, ku është vendosur që seanca të mbahet në 10 janar në orën 11:00.

Me kërkesë të njëjtë, për lirimin e menjëhershëm të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, mbledhje të jashtëzakonshme mbajti dje Asambleja e Deçanit, komunës ku është vendlindja e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se “fletarresti për Haradinajn është i motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi” dhe se “do të vazhdojë angazhimin e gjithanshëm që aktakuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare, sa më parë të shpallen të pavlefshme”.

Ramush Haradinaj është ndaluar më 4 janar në aeroportin e Baselit nga policia franceze, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar në vitin 2004 nga Serbia. Për kryetarin e AAK-së, Haradinaj, për të cilin të enjten pritet vendimi i gjykatës, arrestimi në Francë është i dyti, pas të parit në Slloveni, brenda dy viteve me të njëjtën aktakuzë.

Në 17 qershor 2015, Haradinaj u ndalua në Aeroportin e Lubjanës dhe u lirua më vonë, por duhej të qëndronte në Slloveni deri sa të përfundonin procedurat për verifikimin e urdhërarrestit.

Para 12 vitesh, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës në 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, derisa ishte afër të mbushë 100 ditëshin e parë nga zgjedhja në 3 dhjetor 2004.

Nga Tribunali i Hagës Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, në 29 nëntor 2012.

“Më në fund, pas shtatë viteve të gjata, dhe dy gjykimeve të gjata, kjo Gjykatë ka sjellë drejtësi për Ramush Haradinajn dhe për popullin e Kosovës”, theksonte deklarata e Ben Emmerson në emër të ekipit mbrojtës.

(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: