*Reforma në Drejtësi, sot në Kuvend raporti i Këshillit të Mandateve
*Bushati: Asnjë dëmshpërblim nga KESH për banorët e përmbytur. Gjiknuri: Je deputet i tenderave
TIRANE- Drafti i reformës në drejtësi do të diskutohet në Kuvend në seancën plenare të 21 korrikut. Kuvendi miratoi të enjten me 71 vota pro, 38 vota kundër dhe asnjë abstenim programin e punës së Kuvendit për periudhën 4-29 korrik, ndërsa me 71 vota pro, 34 vota kundër dhe asnjë abstenim u miratua kalendari i punës për periudhën 4-22 korrik. Opozita e konsideroi futjen në kalendar të reformës ‘pa asnjë bazë kushtetuese’.

“Nuk mund të kemi një kushtetutë që ka në bazë konfliktin” tha deputeti i PD-së,Oerd Bylykbashi, duke sugjeruar tërheqjen e draftit.

Por, kryetari i Kuvendit Ilir Meta i kërkoi opozitës që te mos e përsërisë debatin pëe këtë çështje, por të ecim në këtë mënyrë që të fitojmë kohë dhe që ndryshimet kushtetuese të miratohen brenda korrikut. “Kjo na impenjon të gjithëve që të gjejmë konsensus, për të vetmen çështje parimore që pretendon opozita”, u shpreh Meta.

KUVENDI MIRATOI SOT DHE RATIFIKIMIN E DY MARRËVESHJEVE ME QEVERINË GJERMANE
Me 110 vota u ratifikua marrëveshja për projektin “Linja unazore, 110 kilovolt në Shqipërinë Jugore”, e financuar me një grant prej 2 milionë euro nga qeveria gjermane. Projekti synon rimëkëmbjen e sektorit energjitik në jug të vendit, uljen e konsiderueshme dhe të qëndrueshme në sistemin e shpërndarjes; përmirësimin e performancës financiare të OSHEE-së, etj.

Ndërsa me 109vota u ratifikua marrëveshja tjetër me qeverinë gjermane për bashkëpunimin financiar 2015, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në Kampusin Universitar të Tiranës, sipas parimit të efiçencës energjetike”. Marrëveshja parashikon akordimin e një financimi grant në masën 4.5 milionë euro nga banka KfW. Qëllimi i projektit është zbatimi i masave të efiçencës së energjisë dhe rehabilitimi i godinave të konvikteve në Kampusin Universitar të Tiranës.

Me 71 vota pro, 2 kundër dhe 36 abstenime u miratua dhe pr/ligji “Për zejtarinë, i mbartur për votim nga séanca paraardhëse.

BERISHA: PRANONI NENIN 88 DHE TE VOTOJME REFORMEN, NDRYSHE NA HIQET STATUSI
Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë u ka bërë thirrje deputetëve të votojnë reformën në drejtësi, por më parë duhet arritur konsensusi për kërkesa legjitime të opozitës për paragrafin 88 të rekomandimit final të Komisionit të Venecias.

Duke e cilësuar fare të qartë mesazhin e Gjermanisë nëse nuk votohet reforma, Berisha u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë reformën në drejtësi, pasi ndryshe do të na hiqet edhe statusi i vendit kandidat në BE, arritje kjo sipas tij, e qeverisë së shkuar.

Berisha ka kërkuar që ajo çfarë thotë paragrafi 88 i rekomandimit final të Venecias t’i shpërndahet deputetëve të majtë e të djathtë e shkruar në anglisht e në shqip në mënyrë që ata të kuptojnë se t’i mohosh këtë të drejtë opozitës, është një padrejtësi e madhe.

BERISHA: KESH INSTITUCION TERRORI PËR SHQIPTARËT, PO RROKULLISNI VENDIN DREJT KATASTROFËS
Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sot nga foltorja e Kuvendit për situatën energjitike në vend, duke u shprehur se KESH është shndërruar në institucion terrori ndaj qytetarëve shqiptarë. Duke akuzuar kryeministri Rama për abuzime dhe vjedhje, Berisha tha se qeveria po e rrokullis vendtin drejt katastrofës energjetike.

“Edi Rama e ka shndërruar KESH në institucion terrori ndaj qytetarëve shqiptarë. Në një institucion të vjedhjes më të madhe shtetërore. Pasi vodhi dhe përvetësoi me fatura të qarta 620 mln euro detyrime që CEZ iu kishte ndërmarrjeve shqiptare, vuri në krye të tij, Akrabanë e familjes së vet. Pse nga doli ky Çela. Familja e emëroi. Ka vjedhur dhe po vjedh në mënyrë monstruoze qytetarët shqiptarë. Humbjet në rrjet janë shumë më të mëdha sesa ishin në momentin kur e morën. Dështimi është total. U shkatërruar 180 mijë sahate për të rritur numrin e familjeve që paguajnë afrofe.

U premtoi qytetarëve heqjen e TVSH nga çmimi i energjisë. Por po bën vjedhje të pafund në energji, burgosje të qytetarëve për një lidhje energjie. Këto janë dëshmi e shndërrimit të këtij institucioni në një institucion terrori mbi qytetarët. Ju po shkatërroni energjetikën dhe energjinë shqiptare. Këta janë shkatërrues të njërës prej shtyllave kryesore të zhvillimit të vendit. Ndaj dhe prodhimi bie në pikiatë. Nga maji i vitit të kaluar në maj të këtij viti, eksportet kanë një rënie 15 %. Po rrokullisin këtë vend drejt katastrofës energjetike.

Fatura e rrugës Ibë-Tiranë, shkon 1 km 9 mln euro, kundrejt 10 mln euro që shkoi kilometri te tuneli. Pse i mbushin xhepat. Albatrosi është zogu i fatkeqësisë. Kundërmon erë në mbarë votën vjedhja e korrupsioni i tij, dhe në mënyrë të tmerrshme, lidhjet e tij me tmerrin. Lexoni dokumentin e albatros. (Gjiknurit) Ndaj të ka zgjedhur ty te energjia, ngaqë nuk merr vesh”, tha Berisha.

Në fillim të fjalës së tij, Berisha bëri batutë me Valentina Leskajn, duke i thënë, “Ti zonja Leskaj je bërë më e fuqishmja në Partinë Socialiste pasi i hëngrët kokën Koço Kokëdhimës. Unë nuk kam asnjë simpati për të, por gjërat duhen thënë siç janë, ty të mbrojtën, atë jo”.

Leskaj, e cila drejtonte seancën e Kuvendit në mungesë të kryetarit Meta, tha “po lëri këto diversione tani zoti Berisha”.

DEBATE PËR ENERGJINË/ GJIKNURI: SEKTORI ENERGJITIK SOT ËSHTË FITIMPRURËS
Diskutimi në parlament i marrëveshjes për projektin “Linja unazore, 110 kilovolt në Shqipërinë Jugore”, e financuar me një grant prej 2 milione euro nga qeveria gjermane, ka shkaktuar debate mes palëve për sektorin energjitik në vend, në seancën e sotme të Kuvendit.

Deputetët e opozitës akuzuan qeverinë për afera korruptive në këtë sektor, të cilat, sipas tyre, po dëmtojnë imazhin e turizmit në vend. Nga tenderat me fonde publike të OSHEE-së janë vjedhur 720 milion lekë ‘për imazh dhe freski, thane ata’. Po ashtu, opozita pretendoi se humbjet në rrjetin energjitik sot janë shumë më të mëdha.

Në reagimin e tij, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, tha se sektori energjitik, të cilin e morëm si ‘një gropë e zezë’, sot është një sektor fitimprurës dhe një kapital i shtuar në ndihmë të turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Sipas tij, sistemi energjitik shqiptar po performon pozitivisht dhe dëshmi i kësaj është dhe vendimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i cili do të financojë 280 milionë euro për Koorporatën Elektro- Energjitike Shqiptare (KESH) për ristrukturimin e borxheve të prapambetura, të bartura nga qeverisja e kaluar.

Ministri Gjiknuri shpjegoi se kjo kredi vjen pas monitorimit dhe një studimi të plotë nga institucionet financiare ndërkombëtare, si BB dhe FMN, të cilat e vlerësojnë sistemin energjitik shqiptar me performancë pozitive. Pas gjithë asaj situate kaotike dhe borxhesh që e la qeverisja e kaluar, sot sistemi energjitik shqiptar po jep rezultate dhe të ardhura financiare pozitive, tha Gjiknuri.

Projekti i linjës unazore 110 kilovolt, presupozon ndërtimin e një linje 110 kv, nga nënstacioni i Babicës në Vlorë në lidhje me nënstacionin 110/20 të Sarandës. Qellimi kryesor i tij eshte procesi i rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike; ulje e konsiderueshme dhe e qëndrueshme e humbjeve (teknike dhe joteknike) në sistemin e shpërndarjes; përmirësim i performancës operacionale dhe financiare të OSHEE-së; etj.

RISTANI: PSE ASKUSH NUK U NDJE PËR ARRESTIMIN E KSERËS?
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani deklaroi se qeveria bën retorika boshe, ndërsa ekonomia e vendit është në situatë kritike. Sipas Ristani, Shqipëria është vendi më i varfër në rajon.

“Kjo është një retorikë boshe e një grupi mashtruesish për të grabitur e marrë pasuritë e këtij vendi. Nuk është halli i popullit halli i tyre. Ne jemi vendi më i varfër në rajon, dhe e kundërta e atyre që flasin në këtë faltore. Jemi vend me hall, në varfëri dhe nuk po ecën në rrugën e duhur. Jam rreth 90 mln dollarë që qeveria i përdor për zyrat, luksin e saj, për makinat, ndërkohë që shton në mënyrë galopante njerëzit që nxjerr nga skena ekonomike. Çfarë ndodh? Ndodh ajo që në mënyrë cinike që me VKM nxirren nga skema e ndihmës, merret vendimi që të pajisen me dekodera. Skenat që paraqiten në media janë të dhimbshme, që ngelen në memorie nga ne. Vlora psh në gjithë këto 3 vite është përmbytur mbi 3 herë dhe sot që po flasim është pa drita dhe pa ujë. Jemi në nj moment që turizmi s’ka shërbime. Prej 3 vitesh është ndotur, sot është me baltë. Sot mora një njoftim se 5 mijë prenotime janë zhbërë.”, tha Ristani. Ndër të tjera ai pohoi se kryetari i PD-së, Lulzim Basha mori sot një letër nga banorët e fshatit Spile të Himarës në lidhje me pronat e tyre.

Sot kryetari Basha ka marrë një letër nga banorët e Spilesë në Himarë. Ata i kanë bërë thirrje që të mos të prishen shtëpitë e tyre. Ndër të tjera ligjvënësi i djathtë shtroi një pyetje për maxhorancë, duke thënë se pse heshtën kur u arrestua ish-ministri Spiro Ksera. “Vetëm dje në lajme kanë qenë mijëra rrënjë kanabis në mbarë vendin. Hall i madh i këtij populli është tek shtëpitë e gjithsecilit. Gjithë kjo sasi do rrezikojë fëmijët e secilit prej nesh. Si mund ta zhvillojmë me kaq shumë drogë nëpër këmbë. Pse askush nuk u ndje për arrestimin e Spiro Kserës. Pse arrest në burg?”, theksoi Ristani.

BUSHATI: ASNJË DËMSHPËRBLIM NGA KESH PËR BANORËT E PËRMBYTUR. GJIKNURI: JE DEPUTET I TENDERAVE
Deputeti Helidon Bushati ka reaguar ditën e sotme nga foltorja e Kuvendit për dëmshpërblimet e banorëve të përmbytur. Sipas Bushatit nuk është dhënë asnjë dëmshpërblim nga KESH për ta.

Por lidhur me këtë ka reaguar minsitri Gjiknuri, duke e quajtur Bushatin si deputet i tenderave.
“Me tendera je marrë gjithë jetën. KESG kërkoi fond prej 73 mld lekë në vit. Ikja e energjisë në Kuvend, erdhi nga punimet publike. Sot Banka Europiane dha 218 mln euro”, tha ministri Gjiknuri.

GJIKNURI: OSHEE DO TË ORGANIZOJË TENDER PËR CENSUSIN E KLIENTËVE
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) do të organizojë një tender për censusin e klientëve.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri, tha sot ne Kuvend se, ky proces eshte i domosdoshëm dhe do t’i sherbeje transparences ne kete sektor.

“Po, do të bëhet tender për censusin e klientëve, pasi nuk ka listë të qartë. Nuk ka census për kontratat e energjisë. Të bësh invetarin e klientëve është gjëja më e rëndësishme. Janë 100 biznese që figurojnë familjarë. Investimi është i nevojshëm dhe pjesë e rimëkëmbjes financiare”, tha Gjiknuri në replikë me deputetin demokrat të Shkodrës, Helidon Bushati, të cilin e quajti “deputet i tenderave”.

REFORMA NË DREJTËSI, SOT NË KUVEND RAPORTI I KËSHILLIT TË MANDATEVE
Seanca e sotme parlamentare ka në rend dite raportin e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve lidhur me interpretimin e nenit 77 të rregullores së Kuvendit, i cili përcakton procedurën që duhet të ndiqet për shqyrtimin e draftit të ndryshimeve kushtetuese.

Një javë më parë, Këshilli nuk gjeti konsensus për këtë çështje, pasi opozita kundërshtoi kërkesën e maxhorancës që drafti t’i kalojë menjëherë seancës plenare, pa u shqyrtuar më parë sipas procedurës rutinë, në Këshillin e Legjislacionit dhe komisionin e Ligjeve. Raporti i përcjellë seancës së sotme për vendim, përfshin dy mendimet e kundërta të palëve.

Rendi i ditës i Kuvendit parashikon gjithashtu diskutimin e dy marrëveshjeve me Gjermaninë, ajo për bashkëpunimin financiar 2014, për masën shoqëruese të projektit “Linja unazore 110 KV në Shqipërinë Jugore dhe marrëveshja për bashkëpunim financiar 2015, për projektin “Programi për rinovimin e konvikteve në kampusin universitar të Tiranës, sipas parimit të eficencës energjetike”.

Para nisjes së seancës do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve që do të vendosë për kalendarin e punës se Kuvendit gjatë muajit korrik, që shënon dhe mbylljen e sesionit parlamentar të verës. Pika më e rëndësishme e këtij kalendari mbetet drafti i reformës në drejtësi, parashikuar për miratim ne parlament më 21 korrik.

(ed.me/d.b/el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb