Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Ky do të jetë një mandat në shërbim të qytetarëve

16-01-25-01-43-04big_1

Nga Arben AHMETAJ*
Programi qeverisës për katër vitet e ardhshme, është një program i dizenjuar mbi vizionin për Shqipërinë që duam, jo vetëm si projekt i një partie, jo thjesht si produkt i një manifesti politik, por si një realitet i ri, i prekshëm, e plotësisht i mundshëm për çdo shqiptar nga veriu në jug, në çdo cep të këtij vendi; një program i ngritur mbi përgjegjësinë për të çuar përpara projektin e një transformimi të thellë rrënjësor që nisi katër vite më parë në çdo sektor dhe patjetër, një program që i përgjigjet sfidës për të qenë në lartësinë e besimit që qytetarët shqiptarë na dhanë me votën e 25 qershorit.
Ky do të jetë një mandat në shërbim të qytetarëve. Ndaj kryefjala e programit tonë ekonomik është vazhdimi i rritjes së qëndrueshme dhe punësimi. Transformim i shërbimeve për qytetarin përmes një reforme të thellë deregulimi, që do të ndryshojë tërësisht profilin e shtetit, duke garantuar uljen drastike të peshës së burokracisë shtetërore e duke lehtësuar klimën e biznesit për investimet private vendase dhe të huaja; Beteja pa kompromis kundër informalitetit do të vazhdojë, për t’u kthyer në një histori suksesi për ekonominë shqiptare;
Katër vitet e shkuara kanë qenë një periudhë aspak e lehtë për qytetarët shqiptarë, të cilët sakrifikuan jo pak që vendi të kthehej në kornizat e normalitetit, duke bërë të mundur largimin e tij nga rruga pa krye ku ishte degdisur. Katër vjet më parë, në këtë sallë dhe kudo, përballeshim me një sërë problemesh ekonomike e sociale, me mungesa të theksuara në shumë sektorë si financat publike, energjia, shëndetësia, arsimi, e më tej. Kjo dobësi e brendshme reflektohej në imazhin e vendit dhe në zhvillimin e munguar ekonomik.
Sot flasim për një realitet krejtësisht tjetër, në terma të zhvillimit ekonomik, konsolidimit financiar, imazhit të përmirësuar të vendit apo ridimensionimit të rolit dhe marrëdhënieve tona me vendet e tjera. Çka është më e rëndësishme, këtë e shohin shumica e qytetarëve që me mbështetjen dhe besimin e tyre, na besuan në 25 qershor një mandat të dytë.
Programi 2017-2021
1. Rritja ekonomike cilësore dhe gjithëpërfshirëse mbetet burim kryesor në përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Gjatë mandatit 2017-2021 ne do të angazhohemi me prioritet në konsolidimin e stabilitetit makroekonomik, rritjen e punësimit, zhvillimin e infrastrukturës, sektorit energjetik e minerar, bujqësisë, agroindustrisë dhe turizmit.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet politikave ekonomike e financiare që stimulojnë investimet në drejtim të rritjes dhe të zgjerimit të industrializimit nëpërmjet shtimit të aktiviteteve me karakter industrial. Kjo do të synojë rritjen e kapaciteteve prodhuese e përpunuese të sektorit industrial në Shqipëri. Përqendrimi i vëmendjes drejt rritjes së nivelit të industrializimit të lehtë të vendit përbën një nga prioritetet e qeverisjes sonë.

Përmes zbatimit të plotë të këtij programi ne synojmë një rritje ekonomike mesatare rreth 4.5 përqind për të arritur në rreth 5.5 – 6 përqind të PBB-së në fund të mandatit.

2. Rritja e mëtejshme e punësimit, është në themel të politikave tona ekonomike e sociale. Rritja e qendrueshme ekonomike, tërheqja e investimeve, promovimi i arsimit profesional, të gjitha konvergojnë tek rritja e punësimit. Synimi ynë është që brenda këtij mandati papunësia të ulet në nivel njëshifror ndërsa prioritet do të jetë punësimi i të rinjve. Ne do të bashkërendojmë punën tonë me sipërmarrjen dhe investitorët e huaj, në mënyrë që punësimi dhe arsimi profesional t’u përgjigjen nevojave reale të tregut. Kualifikimi profesional mund dhe duhet të kthehet në një instrument tërheqës për më shumë investime, për më shumë punësim dhe me më shumë vlerë të shtuar për ekonominë.

3. Programi 2017-2021 rikonfirmon konsolidimin fiskal si një objektiv prioritar të tij. Qeveria Shqiptare angazhohet për uljen graduale të borxhit publik, ruajtjen e stabilitetit në financat publike, për të mundësuar hapjen e një kapitulli të ri për zhvillimin ekonomik afatgjatë, në zbatim të plotë të rregullit fiskal që vendosëm në mandatin e parë .

Investimet publike të financuara nga buxheti i shtetit do të jenë rreth 5% të PBB-së.

Jemi të vendosur për të vazhduar përdorimin e instrumenteve financiare, si Partneriteti Publik Privat, për projekte me rëndësi të veçantë në ekonomi, për të siguruar investime në infrastrukturë dhe shërbime publike të domosdoshme për qytetarët, projekte që synojnë të kenë impakt ekonomik pozitiv duke sjellë vlerë të shtuar për ekonominë e mirëqenien. Me paketën “1 Miliard” do të injektojmë më shumë se 1 miliard USD në ekonomi, nëpërmjet angazhimit të kapitaleve private në një numër të madh projektesh investuese duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe zhvillimin e sektorëve prioritarë.

Pas rritjes së të ardhurave buxhetore me rreth 3.7% të PBB-së gjatë mandatit të mëpardhëm, angazhimi i Qeverisë për këto katër vite është rritja e të ardhurave ne nivelin 30% të PBB-së. Ky synim mbështetet në zbatimin e Strategjisë së Manaxhimit të Financave Publike, ku kontribut kryesor do të kenë rritja ekonomike, lufta kundër informalitetit, zhvillimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit të administratave fiskale, zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit legjislativ fiskal, si dhe forcimin e burimeve njerëzore të administratës.

4. Politika fiskale e katër viteve të ardhshme do të orientohet drejt qëndrueshmërisë dhe nxitjes së sektorëve prioritarë.

5. Ky është mandati i luftës kundër informalitetit!
Ishte një betejë e rëndësishme që nisi në mandatin e parë, jo thjesht për të luftuar abuzimin dhe rivendosur rregullat e lojës në një treg të deformuar me konkurrencë të pandershme, por mbi të gjitha për ta crrënjosur në thelb si mentalitet e për të vendosur një stil të ri jetese.
Pas një faze të parë në terren, e një faze të dytë të orientuar nga analiza e riskut dhe promovimi i kulturës së pajtueshmërisë me ligjin dhe pagimin e taksave, mandati i dytë do të jetë mandati i luftës kundër informalitetit që do të shtrihet në cdo sektor, në cdo sipërmarrje, punëmarrës e punëdhënës abuzues, në cdo cep të territorit.
Ne treguam një vullnet të plotë dhe patëm rezultate të prekshme por akoma jo të mjaftueshme, ndaj kjo betejë do të vazhdojë edhe më fort, si një hallkë e domosdoshme në forcimin e shtetit, garantimin e konkurrencës së ndershme për sipërmarrësit, sigurisë dhe të ardhmes së punonjësve por edhe si instrument nxitës për tërheqjen e atyre investimeve të munguara për shkak të informalitetit në ekonomi.
Ne do të angazhojmë në mënyrë te koordinuar të gjitha institucionet rregullatore dhe kontrolluese të tregjeve, për të targetuar në mënyrë me efikase dhe eficiente abuzuesit dhe shkelë sit e ligjit. Zhvillimi dhe aplikimi i mëtejshëm i teknologjive të informacionit, ndërkomunikimi i sistemeve të administratave, si dhe koordinimi i punës së njësive të analizës dhe inteligjencës, do të jenë në qendër të qasjes sonë ndaj informalitetit.

6. Shërbimet për qytetarin dhe deregulimi
Sfida jonë tjetër në këtë mandat është ridimensionimi i marrëdhënies së shtetit me qytetarin përmes modernizimit të shërbimeve publike.
Një nga reformat më transformuese të këtij mandati do të jetë reforma e deregulimit, për t’i dhënë fund njëherë e mirë kalvarit të gjatë e të mundimshëm të përsiatjeve nëpër zyrat e shtetit për përfitimin e një dokumenti, shërbimi apo të drejte nga shteti. Deregulimi është jetësimi i një përpjekje tejet serioze dhe këmbëngulëse për ta kthyer shtetin shërbëtor në shërbim të qytetarit dhe sipërmarrjes, duke ulur në maksimum peshën e burokracisë mbi ta.
Sot në Shqipëri numërohen rreth 141 autorizime të ndryshme të lëshuara nga 19 institucione qendrore dhe 94 licenca. Vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, janë 140 mijë vertetime të lëshuara në vitin 2016 për qytetarët dhe sipërmarrjen, për vetëm dy lloje vërtetimesh, të cilat mund të ofrohen online përmes nënshkrimit elektronik, duke reduktuar ndjeshëm kohën dhe koston për përfituesit e tyre, por edhe nxitur bashkëveprimin mes institucioneve.
Ne do të garantojmë që çdo dokument që i kërkohet qytetarit apo sipërmarrjes nga shteti, vetë shteti ta sigurojë në një sportel të vetëm dhe në kohë minimale. Tashmë kemi konkluduar një dokument të konsoliduar rekomandimesh dhe hapash konkretë për t’u ndjekur në funksion të zbatimit të kësaj reforme. Puna për të materializuar këtë ndryshim do të fillojë që ditën tonë të parë.
Reduktimi i numrit aktual të lejeve, licencave dhe autorizimeve është aspekti i parë i reformës së deregulimit.

Ofrimi i shërbimeve publike në një sportel të vetëm, sipas konceptit “Public Service Hall” është aspekti i dytë.

Aspekti i tretë është dixhitalizimi, pra ofrimi i shërbimeve publike elektronike që kërkon vazhdimin e riinxhinerimit të shërbimeve ekzistuese, përdorimin e një platforme për ndërveprimin e sistemeve dhe aksesimin e tyre drejtpërdrejt nga publiku.

Këto janë aspektet kryesore ku mbështetet boshti programatik i mandatit të dytë në fushën e financave publike dhe zhvillimit ekonomik. Shqipëria që duam nuk është përpjekje e një dite apo e një viti, por asnjë ditë nuk mund rreshtim së punuari për ta ndërtuar atë, ashtu sic e kemi projektuar në këtë program. Mbetemi të angazhuar që besimin e qytetarëve ta përkthejmë në më shumë punë në shërbim të tyre, që vendi të vazhdojë të rritet ekonomikisht dhe mirëqenia e tyre të bëjë një kërcim cilësor.
*Fjala e mbajtur në Kuvend


Komente ( 1 )

  • po e thua troc se mandati qe shkoj ishte per te vjellur dhe pasuruar rilindasit, ju genjen mendja se populli nuk ju beson me po vjen vetingu po ju dridhen kembet se nuk shpeton asnje nga te gjithe pushtetaret majtas, djathtas qendra e prokuror ,hetus ,gjykates dhe deri tek trafikantet e droges te gjithe perpara gjygjit dhe ndoshta dhe ne litar qe ja pite gjakun ketij popullit qe ka marre rruget e botes nga ju hajduta me cizme

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.