Mbyllet në barazim 1-1 sfida mes Laçit dhe Partizanit e luajtur sot në mesditë. Të kuqtë e Shpëtim Duros kanë humbur një mundësi mjaft të mirë për të qëndruar afër skuadrave të kreut duke barazuar sot me kurbinasit. Këta të fundit kanë lëshuar dukshëm terren në minutat e fundit të ndeshjes duke i lejuar hapësira shënimi kundërshtarit. Pavarësisht përpjekjeve të shumta, Partizani nuk arriti dot të përmbysë rezultatin. Raçiç ka bërë me dhimbje Shpëtim Duron pasi ka shpërdoruar pafund në këtë takim.

Laçi-Partizani 1-1

Pjesa e parë– Takimi mes kurbinasve dhe Partizanit nis me një ritëm jashtëzakonisht të lartë. Të dyja ekipet ushtrojnë presion që në minutat e para dhe luhet ashpër. Partizani fillon të shtyjë përpara, ndërkohë që Laçi luan e ngjeshur në prapavijë dhe del rrezikshëm me kundërsulme. Pavarësisht lojës së fortë dhe me ritëm, minutat e para kalojnë pa raste. Në minutën e 10 të takimit, vjen edhe goli i cili zhbllokon sfidën. Një top gjatë hidhet në zonë nga mesi i fushës gjatë një goditje dënimi dhe gjen të pambuluar kokën e Çelës i cili e ul për Cetkoviç, ku ky i fundit nuk e ka aspak të vështirë ta shtyjë drejt rrjetës. 1-0 dhe Laçi kalon në avantazh. Pas golit të shënuar, kurbinasit tërhiqen në mbrojtje dhe i jep mundësinë Partizanit të dalë përpara. Të kuqtë përgjigjen me Vilën, që hedh një top të rrezikshëm ne zonë por që devijohet nga Buljan në goditje këndi. Minutat kalojnë dhe Partizani ushtron presion ndaj Laçit. Në minutën e 35-të, Raçiç ka mundësinë më të mirë. Sulmuesi serb përfiton nga një gabim në mbrojtje dhe godet me kokë por topi i goditur prej tij ndalet nga shtylla pingule. Në shifrat 1-0 mbyllen edhe 45 minutat e para të kësaj sfide.

Pjesën e dytë, Partizani e nis me një ndryshim në formacion. Trajneri Shpëtim Duro hedh në fushën e lojës Dorjan Bylykbashin. Futja e mesfushorit, ndryshon komplet lojën e të kuqve të cilët bëhen më të rrezikshëm. Në minutën e 58 vjen edhe goli i barazimit me autor pikërisht Bylykbashin. Mesfushori elbasanas godet në mënyrë perfekt një goditje dënimi duke mos i lënë asnjë mundësi portierit Vujadinoviç. Pas golit të barazimit Partizani merr zemër dhe shton presionin. Vetëm dy minuta më vonë është Raçiç që gjen sërish golin por arbitri e anulon për një faull të tij ndaj Dokut. Provon sërish Partizani me Raçiç por pret Vujadinoviç. Minutat kalojnë dhe skuadrat bëjnë lëvizje në sulm duke treguar se duan ta fitojnë këtë ndeshje. Në minutën e 82-të, Laçi ka mundësinë e artë për të kaluar sërish në avantazh pasi fiton një penallti me anë të Mitrajt, por goditjen e merr përsipër Buljan i cili godet në mënyrë qesharake topin jashtë, duke humbur një mundësi mjaft të mirë. Kundërpërgjigjet Partizani me Raçiç por Vujadinoviç bën mrekullinë duke larguar topin në goditje këndi. Minutat e fundit të ndeshjes janë të mbushura me raste, sidomos për Partizanin. Në harkun e 3 minutave, Raçiç ka dy mundësi mjaft të mira duke përfituar edhe nga neglizhenca e dukshme e mbrojtësve laçianë por i vetëm përballë portierit bën më të vështirën duke mos shënuar dot golin që do t’i jepte fitoren ekipit të tij. Mbyllet gjithçka në barazim 1-1 dhe të dyja ekipet ndajnë nga 1 pikë. Partizani e sheh veten në kuotën e 37 pikëve, ndërsa Laçi ka 28 pikë dhe mban vendin e 5 në kampionat.

LAÇI – PARTIZANI 1-1

Golat: Cetkoviç 10′ Bylykbashi 56

 

(m.k/PanoramSport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: