TIRANË- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu ka zhvilluar një takim 60 minuta me Presidentin e Republikës Ilir Meta. Takimi vjen një ditë pas publikimit të dokumenteve nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dhe deklaratave të tij se ambasadori Lu i kishte kërkuar të arrestonte Metën.

Takimi mes ambasadorit Lu dhe Metës zhvillohet në Presidencë. Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla
ka deklaruar se ambasadori Donald Lu i kërkoi arrestimin e një politikani të rëndësishëm për korrupsion.

Emrin e politikanit (Ilir Meta) që iu kërkua të arrestohej nga Ambasada Amerikane, ish Prokurori i Përgjithshëm e ka treguar në Kongresin Amerikan, kur iu kërkua informacion në lidhje me ndikimin e Soros-it në Shqipëri.

Letra e Adriatik Llallës është publikuar në Maj të vitit 2017 në faqen e internetit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në letrën për Nënkomisionin e Kongresit Amerikan për Europën dhe Azinë, i drejtuar nga kongresmeni Dana Rohrabacher, Llalla tregon edhe një herë takimin me Donald Lu në Maj të vitit 2015, duke saktësuar se ambasadori ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës.

Po dje ambasadori amerikan reagoipër News24 dhe “BalkanWeb” duke thënë Llalla është i korruptuar dhe se rrezikon të shkojë në burg.

Ai thoshte se akuza se i ka kërkuar ish-kryeprokurorit të arrestojë Ilir Metën është gënjeshtër absurde pa kurrfarë baze.

“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij.
Ai ka pretenduar se brenda katër muajsh nga mbërritja ime në Tiranë, unë i paskam thënë të arrestojë ish-Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Kjo është një gënjeshtër absurde nga Z. Llalla, pa kurrfarë baze në fakte. Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar”, shprehej ambasadori amerikan Donald Lu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: