TIRANE- Zyra e Kryeministrit Edi Rama ka reaguar për shpalljen “Qytetar Nderi” të Gafur Mazrekurt nga Bashkia e Hasit, ndërsa distancohet nga ky vendim.

Në një njoftim të sapo shpërndarë madje theksohet se vetë kryeministri Rama është angazhuar në këtë çështje dhe i kërkon Prefektit të Kukësit të mos e firmosë vendimin.

REAGIMI I PLOTE
Kryeministri Edi Rama shpreh keqardhjen për sulmet e shëmtuara ndaj tij, lidhur me një vendim të Këshillit Bashkiak të Hasit, me të cilin ai jo vetëm s’ka asnjë lidhje, por e konsideron një provokim të papërgjegjshëm, të kujtdo që e ka propozuar dhe ka miratuar.

Ai bën me dije se i ka kërkuar Prefektit të Kukësit refuzimin e firmosjes së atij vendimi, ndërkohë që sot në mbledhjen e grupit parlamentar e ka dënuar këtë shfaqje të shëmtuar papërgjegjshmërie të këshilltarëve të Hasit, pavarësisht se në Këshillin Bashkiak të Hasit Partia Socialiste ka vetëm një këshilltar, i cili nuk ka votuar pro vendimit.

Duke i konsideruar akuzat vulgare të Partisë Demokratike, si një shpërdorim politik të radhës së emrit e të kujtimit të Azem Hajdarit, kryeministri Edi Rama shpreh bindjen se ato s’janë asgjë tjetër veçse ana tjetër e medaljes së këtij episodi të politikës qorre e shurdhe të interesave më të ulëta.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: