ELBASAN- Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur të lërë në burg ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Dashamir Xhika. Në një çështje të ndarë nga ajo në Gjykatën e Elbasanit, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Xhikën.

Ish-kreu i ARRSH akuzohet për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘korrupsion’ së bashku me dy shtetasit A.A. dhe A.Q., ndaj të cilëve gjithashtu është dhënë masa e sigurisë arrest me burg.

Ndërkohë që Xhika po hetohet edhe për vjedhje dhe abuzime me tenderin e aksit rrugor Elbasan- Gjinar.
Kallëzimi për abuzime ndaj Dashamir Xhikës u bë nga prokuroria e Elbasanit, konkretisht shpërdorim fondesh në ndërtimin e aksit rrugor Tiranë-Elbasan, më saktësisht në ndërtimin e rrugës së Gjinarit. Procedurat e rrugës së Gjinarit kanë nisur që në vitin 2009.

“Dashamir Xhika, i cili ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH-së në periudhën tetor 2013-shtator 2017, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të ‘Shpërdorim të detyrës’ të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhej në urdhrin e arrestit të lëshuar nga Gjykata për ish-kreun e ARRSH më 1 shkurt.

Ndërsa mëngjesin e 2 shkurtit u arrestuan edhe 5 personat e tjerë. Prokuroria e Elbasanit kërkoi masës e sigurisë “arrest me burg” edhe për shtetasit Andi Toma (ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve nga viti 2008-2013), Rexhep Tarba (mbikëqyrësi i punimeve në rrugën e Gjinarit), Agron Hysën, Kujtim Hysën, ndërsa Rezarta Bokçiu është me arrest shtëpie.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, sipas detyrave dhe funksioneve që kanë patur, kanë kryer veprime dhe mosveprimeve të kundërligjshme, që kanë sjellë si pasojë shpërdorimin e fondeve publike në shumën rreth 5 miliardë lekë të vjetra, të dhëna nga buxheti i shtetit për realizimin e objektit “Sistemim Asfaltim rruga e Gjinarit”, dhe objekti nuk është realizuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb