LUSHNJË- Policia dhe Prokuroria e Lushnjës kanë identifikuar dy persona si autorë të dyshuar të vrasjes së dyfishtë dje në qytet. Bëhet fjalë për Laert Haxhiun, i cili akuzohet edhe për plagosjen një vit më parë të nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurti si dhe për Orges Bilbilin.


Burime nga policia kanë bërë të ditur se është shpallur në kërkim Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, si personat e dyshuar që kanë qëlluar dhe vrarë me kallashnikov Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin.

Në atentat mbeti i plagosur rëndë Marius Xhepexhiu, pronar i lokalit ku ndodheshin dy viktimat si dhe një kalimtar.

Laert Haxhiu 

laert-haxhiu

Viktimat e djeshme Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi njihen si miqtë e ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares (Alfred Shkurti). Xhulio Shkurti mbeti i plagosur me 25 shtator të vitit 2016 së bashku me shokun e tij Saimo Xheliu 25 vjeç në të njëjtën zonë ku ndodhi ngjarja e sotme.

Për ngjarjen e vitit 2016 ku mbetën të plagosur Shkurti dhe Xheliu nuk u arrestua asnjë person ndërsa i dyshuari kryesor nga policia ishte Laert Haxhiu, 25 vjeç. Ky i fundit ka vrarë shokun e Aldo Bares, Gerti Lala i njohur me nofkën “Iriqi” në vitin 2009. Haxhiu doli nga burgu për vrasjen në fund të 2014-ës, ndërsa u arrestua sërish në qershor të vitit 2015 për trafik heroine gjatë operacionit të koduar “Smart”.

Orges Bilbili 

orges-bilbili

DEKLARATA E POLICISË
Policia identifikon brenda pak orësh autorët e ngjarjes së mbrëmshme në Lushnje dhe i shpalli në kërkim; janë me precedente penalë.
Lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmë në qytetin e Lushnjes, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit” ku u qëlluan me armë zjarri e për pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit Z.L, 26 vjeç, banues në Lushnje, dhe J.H, 26 vjeç, banues në Lushnje si dhe u plagosën 2 persona të tjerë, grupi i posaçëm hetimor zbardhi autorësinë dhe shpalli në kërkim 2 persona.

Me marjen e njoftimit nga ana e Komisariatit të Policisë Lushnje u organizua puna dhe u ngritën menjëherë pika kontrolli nëpër kryqëzimet, hyrjet dhe daljet në qytet me qëllim kapjen e autorëve.

U njoftua Drejtoria Vendore e Policisë Fier, Berat e Durrës me qëllim ngritjen e pikave të kontrollit në akset rrugore.

Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku u kryen veprimet e mëposhtme: si këqyrja e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale gëzhoja si dhe një pistoletë, e cila dyshohet se i përkiste viktimës, shtetasit Z.L.

Grupi hetimor sekuestroi si prova materiale pamjet filmike në dy biznese në afërsi të vendit të ngjarjes.

Rreth orës 19:15, në parcelat e fshatit Çukas, në krahun e majtë të rrugës nacionale Lushnje-Berat, u gjet i djegur një automjet tip Mercedes-Benz.

Në brendësi të tij u konstatuan dhe u sekuestruan 3 armë zjarri dhe një fishek i paplasur.
Këqyrja e mëtejshme e automjetit për të përcaktuar numrin e shasisë po vijon në Komisariatin e Policisë Lushnje.

Nga analiza e ngjarjes dhe informacioneve qe ka mbledhur grupi hetimor, pjese e të cilit ishin edhe Drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se ngjarja e djeshme ka lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ndodhur në qytetin e Lushnjes ku është tentuar të vriten me armë zjarri 2 shtetas.

Autorët e dyshuar të asaj ngjarje janë shtetasit L.H dhe O.B të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”.

Dyshohet se autorët e mundshëm edhe të ngjarjes së djeshme janë shtetasit në kërkim L.H dhe O.B. Po vazhdon puna për ndalimin dhe kapjen e tyre.

Policia e Shtetit duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin i fton ata të telefonojnë në numrin 129 për çdo informacion apo paligjshmëri që konstatojnë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb