TIRANË- Policia ka arrestuar 4 nga 6 autorët e dyshuar për supergrabitjen e 3.2 milionë dollarëve të BKT-së më 9 shkurt 2017 në rrugën e Rinasit si dhe grabitjen e 3 dhjetorit 2015. Gazetari Artan Hoxha tha përBalkanWeb” se “janë shoqëruar edhe 10 persona të tjerë gjatë operacionit masiv të zhvilluar sot në Vorë e Prezë”.

Po kështu mësohet se Policia ka gjetur edhe një pjesë të parave të grabitura. Dy prej të arrestuarëve janë sjellë nga forca të shumta policie në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Të arrestuarit janë Fation Xhyliu, 33 vjeç, lindur në Lushnje banues në Tiranë, ish punonjës në Shoqerine private te sigurise “Rogat”. Ditjon Memlika, 31 vjeç, lindur në Tepelene dhe banues ne Tiranë, ish efektiv në forcat ushtarake. Neim Avdulaj, 28 vjec, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish ushtar profesionist në forcat ushtarake te Zall-Herrit. Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat. U shpallën në kërkim shtetasit me iniciale M.A., dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre.

Gazetari Hoxha ka sqaruar për “BalkanWeb” se në operacion janë përdorur edhe helikopterët për të shmangur një arratisje të mundshme të autorëve. Tek identifikimi i tyre është arritur përmes gjurmimit të makinave të përdorura në grabitje. Policia ka vepruar në disa pika njëherazi dhe kontrollet kanë qenë të befasishme.

Për sa i përket ish-komandove, Hoxha tha se ata kanë marrë pjesë në misione jashtë shtetit, në Afganistan.

Që prej paradites së sotme forca të shumta policie nisën një mësymje nga toka dhe ajri në zonat e Prezës, Farkës dhe Vorës. Sipas informacioneve zyrtare, një numër i madh efektivesh kanë kryer kontrolle në banesat dhe bizneset e autorëve të dyshuar të grabitjes duke arritur të arrestojnë 4 nga 6 grabitësit.

Në deklaratën zyrtare pas grabitjes së ndodhur më 9 shkurt, policia tha se ishin 6 autorët e sulmit me armë ndaj dy blindave të BKT-së, njëri prej të cilëve kishte shumën prej 3.2 milione USD.

Në pranga u vunë menjëherë pas ngjarjes 5 punonjës të shoqërisë së sigurimit, ndërsa me operacionin e sotëm numri i personave të arrestuar për ngjarjen shkon në 9.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: