KOSOVË- Edhe Kosova ka zgjedhur sot qeverinë e re. Ramush Haradinaj ka marrë besimin e deputetëve që të jetë Kryeministër i Qeverisë së re të Kosovës.

Qeveria e udhëhequr prej tij mori 62 vota. Në votim nuk kanë marrë pjesë deputetet e LDK, Alternativës dhe Vetëvendosjes që e kanë lënë sallën e Kuvendit. Zafir Berisha nga Nisma ka abstenuar për ta votuar Ramush Haradinajn.

Në fjalën e tij në fillim të seancës parlamentare, kryeministri Haradinaj prezantoi prioritetet e kabinetit të tij, që do të jenë: forcimi i rendit dhe ligjit, anëtarësimi në NATO, integrimi, dialogu me Serbinë.

“Kosova sot rrezikohet nga rreziqe të reja e të vjetra, ndaj asaj i duhet së pari siguri e brendshme, forcim i rendit dhe shtetit ligjor. Vetë Kosova do të ndihet e sigurtë vetëm me anëtarësimin në NATO dhe ne do të punojmë për ta çuar drejt NATO-s. Anëtarësimi në organizmat ndërkombëtare është vështirësuar, por ne do të punojmë edhe për këtë. Ne do punojmë në kohë rekord për implementimin e MSA-së dhe do të marrim statusin e vendit kandidat. Gjithashtu, ne do të forcojmë miqësinë me Shtetet e Bashkuara, një miqësi e përhershme dhe jo vetëm për kohë të vështira. Sa për rajonin, dialogu me Serbinë nuk ka alternativë”, deklaroi Haradinaj.

Më tej, duke premtuar se do të jetë kryeministri i të gjithëve, përfshirë pakicat, Haradinaj iu drejtua atyre në serbisht. Nga opozita, përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca kritikoi programin e koalicionit.

“Programi i qeverisë ishte i shkurtër sepse ishte i varfër”, u shpreh Konjufca, i cili kërkoi një mocion të menjëhershëm për votimin e qeverisë, në kohën kur në sallë mungonin deputetët serbë.

Kërkesa e tij, e mbështetur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk u miratua dhe ia la vendin debateve dhe më pas një ndërprerjeje që zgjati disa orë.

Para votimit, Haradinaj ka prezantuar kabinetin qeveritar.
Kabineti i Qeverisë Haradinaj përbëhet nga këta emra:
Zëvendëskryministër i parë Behgjet Paoclli
Zëvendëskryeministër Enver Hoxhaj
Zëvendëskryeministër Fatmir Limaj
Zëvendëskryeministër Dardan Gashi
Zëvendëskryeministër Dalibor Jevtiq
Ministër i Forcës së Sigurisë Rrustem Berisha
Ministër i Infrastrukturës, Pal Lekaj
Ministria e Punëve të Brendshme: Flamur Sefaj
Ministër i Financave Bedri Hamza
Ministër i Shëndetësisë Uran Ismaili
Ministër i Kulturës dhe Sportit Kujtim Gashi
Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë: Besim Beqaj
Ministre e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha
Ministër i Drejtësisë, Abelard Tahiri
Ministër i Arsimit, Shyqyri Bytyqi
Ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj
Ministër i Diasporës, Daradan Gashi
Ministër i Bujqësisë, Nenad Rikado
Ministria e Pushtetit Lokal: Ivan Todosijeviq
Ministër i Zhvillimit Rural, Rasim Demiri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb