TIRANË- Skenës shqiptare tashmë do t’i mungojë edhe një tjetër yll. Aktorja e madhe e teatrit, filmit, kinemasë shqiptare Hajrie Rondo ka humbur betejën me një sëmundje të rëndë duke u ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare.

Ajo njihet jo vetëm nga brezi i vjetër por edhe të rinjtë për rolet e saj të shumta si në filma ashtu edhe në komedi ku dha gjithë shpirtin e saj dhe duke u shkrirë me personazhin. Prej kohësh Rondo vuante nga një sëmundje e rëndë për të cilën edhe ishte gjithë kohës në trajtim por nuk arriti t’ia dilte me gjithë premtimet e saj se do bënte gjithçka për të qenë në jetë dhe për t’u ngjitur sërish në skenë.

Hajrie Rondo ok

Hajrie Rondo lindi më 1 mars 1951 në Delvinë. Një aktore me diapazon të gjerë, ajo ka interpretuar në të gjitha gjinitë. Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma. Deri në vitet e fundit ajo jetonte në qytetin e Fierit.

RIKTHIMI ME “TRE DHËNDURËT” PAS RIKUPERIMIT
Hajrie Rondo, edhe pse ndenji për një kohë të gjatë në heshtje skenike, në një moment, vendosi të rishfaqet, ashtu energjike siç është në karakter, në Teatrin e Metropolit në Tiranë, me dramën “Tre dhëndurët” të dramaturgut të njohur shqiptar, Dionis Bubani. Hajrie Rodo ka sfiduar sëmundjen që e mbajti prej më shumë se pesë vjetësh larg nga skena dhe ekrani, për të luajtur rolin e Zenepes. Për aktoren e mirënjohur Hajrie Rondo, pjesëmarrja në këtë shfaqje e ka bërë të ndihet mirë. “Erdha në kohën e duhur dhe vendin e duhur, sepse gjeta ekipin e duhur, njerëzit e duhur dhe institucion me dinjitet. Pashë që në këtë institucion punohet dhe dinjitetin ta jep puna, dhe unë njerëzit e punës i dua dhe i respektoj. Pashë një drejtoreshë tjetër, jo nga ato tipiket, puna e saj është maratonë.

Hajrie Rondo 3

Më janë krijuar kushtet dhe më është lehtësuar puna. Gjithashtu, edhe një regjisore të talentuar, egzigjente, punëtore dhe bashkëpunuese të mirë. Falënderoj dhe gjithë ekipin e aktorëve për komoditetin që më kanë krijuar”, pati thënë Rondo, duke e parë këtë edhe si një largim nga realiteti në të cilin ajo, do apo jo, me gjithë forcën, kujtohet përditë! “Arrita t’i bëja paralelisht të dyja: edhe terapitë mjekësore, edhe terapinë shpirtërore, që është teatri. I vendosa në peshore dhe ia dola”.

Hajrie Rondo 4

MEDALJA E MIRËNJOHJES “SIMBOLI I QYTETIT”
Ndërsa shfaqte komedinë “Tre dhëndurët”, e cila shërbeu si mundësi që Tirana të shprehë vlerësimin për kontributin e saj si një nga aktoret më të dashura për shqiptarët, aktorja Hajrie Rondo u prit disa muaj më parë në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili i dorëzoi asaj Medaljen e Mirënjohjes, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe në film, duke u shndërruar në një model frymëzimi për brezat e mëvonshëm të aktorëve.

Hajrie Rondo 2

Filmografia
Ballkan Pazar (2011)
Ne dhe Lenini (2009), Semihaja
Dhimbja e dashurisë (2008) serial
Tifozët (2004) – (TV), Frosa
Borxhliu (1999) – (TV), Fija
Dashuri në krisma – (1997) (TV), Zenepja
Gjithë fajet i ka paraja – (1996) (TV)
Pesha e kohës – (1988), Evanthia
Një vit i gjatë – (1987), Donika Saro
Përrallë nga e kaluara – (1987), Tana
Kush vdes në këmbë – (1984), Lina
Një emër midis njerëzve-(1983)
nëntori i dytë – (1982), Lima Kepiego
Agimet e stinës së madhe, – (1981), Xifja
Vëllezër dhe shokë – (1980), Mara

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb