TIRANE– Ashtu sikurse ishte përfolur kohët e fundit, Blerina Doracaj, e njohur si një prej njerëzve shumë pranë ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, është larguar nga detyra e kryeregjistrueses në Hipotekën Qendrore. Drejtimin e këtij institucioni të rëndësishëm e ka marrë Elion Semanaj, i cili sipas Ministrisë së Drejtësisë ka rezultuar fitues i konkursit për këtë vend pune.

Semanaj është prezantuar në detyrë këtë te premte nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Aktualisht Semanaj, ushtronte detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Prej 1 shtatorit 2013, ai ka ushtruar këtë detyrë, ndërsa ka një eksperiencë të gjatë në fushën e avokatisë, ku ka përfaqësuar në gjyq persona fizikë dhe juridikë.

Në korrik të këtij viti, kryeministri Rama u kërkoi dorëheqjen drejtorëve të Hipotekave në gjithë vendin, pasi sipas tij nuk e kishin bërë siç duhet punën për të cilën ishin ngarkuar.

Blerina Doracaj u emërua në krye të Hipotekave në 20 korrik 2017, pas shkarkimit të drejtorit teknik Arjan Bylykbashi, i propozuar nga PD që nga marrëveshja Rama-Basha më 18 maj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: