Pas asfiksimit 60 nxënësve në shkollën e Shupenzës në Bulqizë nga rrjedhja e gazit, dy prej te asfiksuarve u transportuan me helikopter në kryeqytet. Mësohet se në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza’ ndodhet nxënësja me inicialet A.M., 16 vjeç si dhe mësuesi P.A., 43 vjeç.

Bluzat e bardha bënë me dije se gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar, ndërsa ndodhen jashtë rrezikut.
Ngjarja ndodhi paraditen e sotme, kur testimi i sistemit të ngrohjes me pelet, për pak sa nuk ka shkaktuar tragjedi në shkollën 9-vjeçare. Gjatë provës, ka patur rrjedhje gazi nga kaldaja e godinës, duke shkaktuar asfiksi te nxënësit e 9-vjeçares.

Mësohet se 60 nxënës janë dërguar me urgjencë në spitalin e Bulqizës, për të marrë ndihmën mjekësore. Gazetari Enver Doçi raporton për “BalkanWeb” se në shkollë ka rreth 120 nxënës, ndërsa ambulancat po i drejtohen sërish shkollës për të transportuar edhe të tjerë nxënës me probleme, si dhimbje koke dhe të vjella. Ministria e Shëndetësisë doli më herët me një njoftim zyrtar, ku lajmëroi se çdo gjë ishte nën kontroll dhe se nxënësit ishin nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor
(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb