TIRANE- Zbardhet vrasja e biznesmenit Memli Begalla, i cili u vra pak ditë më parë në zonën e ish-Bllokut. Burime zyrtare nga Policia konfirmuan se në pranga kanë rënë Denis Demirin dhe Ardian Serezi. Në një konferencë për shtyp, drejtori i Policisë së Tiranës, Kastriot Skenderaj tha se policia ka prova të forta shkencore që fajësojnë personat e arrestuar.

Nga veprimet e dokumentuara, rezulton se shtetasi Denis Demiri ka kryer ekzekutimin e Memli Begallës. Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima. Për arsye hetimore, policia sqaron se nuk mund të bëhet te ditura të dhëna të tjera në lidhje me mekanizmin apo rolet si dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje.

VRASJA DHE BORXHET
Biznesmeni Memli Begalla u vra me një plumb në kokë, në parkingun e pallatit ku po jetonte nër rrugën ‘Nikolla Tupe’. Në pamjet që siguroi ‘News24’ shiheshin se si dy persona ndiqnin viktimën nga pas dhe më pas njëri prej tyre e qëlloi me silenciator. Fill pas krimit, autorët u larguan me një BMW të zezë.
Policia u vu në lëvizje vetëm pasi banorët e pallatit në ish-bllok e panë të shtrirë në rrugë 64-vjeçarin.

Shkak për këtë ngjarje dyshohet të jenë konfliktet për shkak të borxheve të shumta. Afrim Begalla, i cili ka ndërruar emrin në Memli Begalla rezulton që t’u ketë shumë personave borxh në shuma të mëdha eurosh dhe lekësh, madje me disa prej tyre ishte ende në procese gjyqësore. Ky mund të cilësohet edhe si krim i paralajmëruar pasi rreth 3 vite me parë Begallës, po të njëjtin vend ku u ekzekutua, iu dogj qëllimisht automjeti ‘Land Rover’ që kishte në përdorim. Sipas specialisteve të krimit ekonomik viktima kishte nën administrim disa biznese. Ishte administrator i kompanisë “LAB”, i 2 dyqaneve që tregtojnë goma, një në autostradë dhe një në Yzberisht.

NJOFTIMI I POLICISE
Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, strukturat e Hetimit të Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Triss”, ku është bërë e mundur zbardhja e dokumentimi i autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 14 shkurt në mbrëmje, në kryeqytet.

Ky operacion erdhi si rezultat i punës profesionale të pandërprerë duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara si dhe provat e administruara nga grupi hetimor.

Si rezultat i hetimeve të deritanishme, rezulton se autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur, ku u vra me armë zjarri shtetasi Memli Begalla, janë shtetasit:

– Denis (Alban) Demiri, 43 vjeç, banues në Tiranë.
– Ardian Serezi, 49 vjeç, banues në Tiranë.

Për të dy këta persona janë ekzekutuar urdhërat e ndalimit.

Nga veprimet e dokumentuara, rezulton se shtetasi Denis Demiri ka kryer ekzekutimin e shtetasit Memli Begalla. Dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima. Për arsye hetimore, nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera në lidhje me mekanizmin apo rolet si dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet me targa të huaja, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu është sekuestruar një automjet në pronësi të shtetasit Denis Demiri, si dhe 9 telefona celularë. Grupi i punës vijon me intensitet veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në të. Policia e Shtetit, duke falënderuar qytetarët dhe mediat për bashkëpunimin, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, për të ndërtuar së bashku një Shqipëri më të mirë dhe të sigurt.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb