DURRES- I bllokuar prej një viti, projekti “Veliera” do të bëhet realitet në sheshin që gjendet në zemrën e vjetër historike të qytetit bregdetar të Durrësit.

Gjykata Administrative rrëzoi sot kërkesë-padinë e Shoqërisë Civile që kërkonte anulimin e projektit të sheshit “Veliera”. Siç bën me dije për “BalkanWeb” gazetarja Klodjana Haxhiaj kërkesë-padia u pranua pjesërisht dhe gjykata, e cila vendosi që bashkia të mos zhvillojë punimet në zonën arkeologjike A aty ku prej një viti kanë dalë rrënojat e shek. të 17-të.

Në vendimin e saj gjykata nuk pranoi edhe një sërë kërkesash të Shoqërisë Civilie që kishin të bënin me shpërdorim detyre të kryetarit të Bashkisë, Vangjush Dako dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që kanë dëmtuar zbulimet arkeologjike gjatë gërmimeve.

Gjykata ka pranuar projektin e ri të sheshit “Veliera” të hartuar nga bashkia e ministria e Kulturës në të cilin mbrohet trashëgimia kulturore e zbuluar dhe nuk ka punime në zonën arkeologjike A.

Pas këtij vendimi ka reaguar shoqëria civile. Përfaqësuesja e Shoqërisë Civile, Mirela Jorgo deklaroi se: “Nuk jemi aspak dakord me vendimin e gjykatës. Çështjen do ta apelojmë dhe do ta çojmë në Strasburg”.

Mësohet se, vendimi është dhënë pa praninë e mediave, pavarësisht se seanca ishte publike. Gjykatësi kërkoi nxjerrjen e gazetarëve duke krijuar kështu konflikte e tensione në sallë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: