HOLANDE- Ndërkohë që Shqipëria pret hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, një lajm i keq vjen nga Holanda. Rreth 125 deputetë të parlamentetit holandez kanë votuar kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Sipas mediave holandeze, vendi ynë duhet të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kujtojmë se ditë e sotme gazeta holandeze “De Telegraaf” paralajmëroi votën kundër të Holandës në takimin e liderëve të vendeve të BE-së në Bruksel në 28 dhe 29 qershor.

Sipas këtij artikulli, shumica e partive të parlamentit holandez kishin shprehur kritika mbi zbatimin e reformave në Shqipëri, dhe kryesisht vettingun dhe reformën në drejtësi.

Por jo të gjitha shpresat do mund të shuhen, pasi do të jetë mbledhja e 28 qershorit në Bruksel, ku vendet anëtare pritet të firmosin një rezolutë të përbashkët, ku nuk do të ketë date për çeljen e negociatave me Shqipërinë, por një listë me kushte, ku vetëm përmes plotësimit të së cilave, Shqipëria do të mund të marrë një datë në kalendar për negociatat.

Edhe deputetët holandezë që vizituan Tiranën një muaj më parë me misionin e tyre fakt mbledhës, pohuan se Holanda nuk është gati të japë një PO për Shqipërinë, me situatën aktuale.

Ndërkohë javën e ardhshme, shqiptarët do të kthejnë sytë nga Berlini, ku qeveria do vendosë në mbledhjen e saj cili do të jetë qëndrimi për Shqipërinë. Në kohën kur edhe Franca është skeptike për zgjerimin e BE, do të mjaftonte vetëm një veto e një shteti anëtar, “për të hedhur në erë” shpresat e shqiptarëve, se këtë verë mund të merrnin pushimet një hap me pranë Europës, me një date për çeljen e negociatave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb