TIRANE– Në një vizitë të paparalajmëruar në Tiranë, eurokomisioneri Knut Fleckenstein së bashku me ambasadoren e BE në vendin tonë, Romana Vlahutin kanë takuar presidentin e Republikës Ilir Meta në ambientet e Presidencës.

Burime për ‘BalkanWeb’ bëjnë me dije se takimi ka zgjatur rreth 45 minuta. Në takim është diskutuar për avancimin e reformave dhe rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi.

“Avancimi i reformave gjithëpërfshirëse dhe me konsensus sa më të gjerë mes pozitës dhe opozitës, me qëllim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe mundësimi i një klime politike mirëbesimi dhe bashkëveprimi të ngushtë është shumë i rëndësishëm në këtë proces” – u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës nënvizoi se një rëndësi madhore ka zbatimi i Reformës në Drejtësi, në veçanti ecuria e procesit të Vetingut, me synim krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të drejtësisë.

Pas takimit me presidentin Meta, Knut Fleckenstein është drejtuar drejt Kuvendit për një takim me kreun e këtij institucioni Gramoz Ruci. Eurodeputeti gjerman pritet të ketë takim edhe me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha.
21641412_342218339537342_1462682534_n

21848946_342218326204010_1450556757_n
(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb