TIRANE– Disa të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar pak minuta më parë në zonën e Selitës në Tiranë, tek stacioni i fundit i ‘Tiranës së Re’ pas një sherri mes 3 personave.

Nga të shtënat me armë kanë mbetur të plagosur në këmbë Gjon Pelivani 27 vjec dhe R. H. 31 vjec, ky i fundit dyshohet se është plagosur aksidentalisht.

Dëshmitarët okularë kanë parë dy persona të plagosur të merren me ambulance dhe thonë se dy grupe janë zënë me njëri-tjetrin dhe më pas kanë nxjerrë armët.

Gazetari Klajdi Bodlli raporton për “BalkanWeb” se konflikti mes 3 personave ka nisur brenda në një lokal dhe ka vijuar edhe jashtë lokalit, ku më pas kanë nxjerrë armët. Dyshohet se autori i plagosjes është djali i pronarit të lokalit me inicialet Arti Musai dhe policia po punon për kapjen e tij.

Paraprakisht mësohet se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe njëri prej tyre është transportuar në Spitalin Ushtarak.

Forca të shumta të policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe motiveve të ngjarjes.
plagosje-ne-tirane-5
plagosje-ne-tirane-4
(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb