TIRANE – I ftuari i radhës në emisionin Chic në News 24 të Fjodora Fjorës është një djalosh shumë i ri nga Shkodra, i cili u prezantua me shumë sukses në skenën e Pallatit të Kongreseve me teatrin Kombëtar të Operas dhe Batetit në produksionin “Lakuriqi i Natës”.
Bëhet fjalë për tenorin shqiptar që punon dhe jeton në Austri, Branimir Agovi, një djalë shumë i talentuar. Ai është vetëm 24 vjeç por shumë premtues në fushën e operas. Ai pati fatin e Hirushes, të paktën kështu e personifikon veten kur flet për mënyrën se si arriti të fitonte mes 12 artistëve, të cilët konkurronin për konservatorin e Vjenës 6 vjet më parë. Branimiri deri tani numëron disa kontrata të mbyllura deri në mars të vitit 2019, ku do të jetë i angazhuar të teatro të ndryshme botërore. Në emision Chic ai ndan emocionet e ‘Lakuriqit të natës’.

branimiri
Jeton prej 6 vitesh në Vjenë, të ftuan në Tiranë për të interpretuar “Lakuriqin e natës”. Disa merren me talentin tënd disa merren që nuk je Saimir Pirgu. Si e përjetove këtë eksperiencë skenike?
Saimir Pirgu është Saimir Pirgu, Branimir Agovi është Branimir Agovi. Ai ka rrugëtimin e tij unë timin, unë e vlerësoj dhe e respektoj shumë. Ndërsa për sa i përket ftesës për operetë isha shumë i gëzuar sepse unë jam dhe i specializuar për ketë. Pas studimeve kam bërë dhe një specializim për operetë. Por kisha edhe shumë frikë sepse thosha në opereta duhet të kesh pak humor, të jesh dhe një lëvizës i mirë jo balerin i shkëlqyer, por të dish si të lëvizësh në skenë. Dhe të gjitha këto bashkë të vënë pak në siklet por kur erdha këtu pashë se të gjithë kishin dëshirë për të punuar. Kaluam disa shfaqje fantastike që do t’i mbaj mend gjatë.
Ti u ngjite në skenë me një numër shumë të madh artistësh të tjerë. Kishe në krah Eva Golemin, e cila ka një jetë në Teatrin Kombëtar të Baletit. Ndërsa ti je mund të themi, në prezencën e parë aty. Si u ndjeve?
I kisha ndjekur, Evën , Vikenën dhe të tjerët para 6 viteve kur kam bërë studime këtu. Por nuk ma merrte mendja që do të ngjitesha në skenë me ta kaq shpejt. Opereta ka shumë lojë nuk duhet të merret seriozisht është ideale sepse në fund të gjithë përfundojnë të lumtur.
Në këtë operetë përveç të kënduarit ju edhe duhej të flisnit në skenë kishit shumë komunikim teatror dhe kjo është pak e vështirë për një aktor të zbresë nga niveli më i lartë ku këndon tek më i ulëti që është komunikimi.
Kjo është edhe teknikë e të folurit shëndetshëm, sepse në qoftë se ti bërtet ditën tjetër nuk flet dot më.
Kjo shfaqje edhe fizikisht kishte një impenjim të madh. Ishte shumë e kuruar në detaje.
Po ka qenë fantastike, madhështore sepse kostumet baleti dhe shumë aktrim. Unë gjithmonë kam qenë me dhimbje shpine më pas edhe pse me këtë gjë jam mësuar. Kur mami më pa për herë të parë në skenë në Vjenë u habit sepse isha bërë ujë në djersë. Me tha vërtetë kështu bëhesh gjithmonë ti në skenë. Ndërsa unë i them se puna ime është vetëm ‘Tra la la që mendoni ju por ka shumë lodhje’. Por unë jap maksimumin edhe kur jam i lodhur shumë asnjëherë nuk kursehem në skenë. Dëshiroj të justifikoj çdo qindarkë që marr në skenë.
Deri në mars të 2019-ës ti i kë mbyllur kontratat dhe kjo është arritje e madhe për një djalë 24 vjeç, si po shkon karriera atje?
Unë kam 3, 4 kontrata dhe kjo është arritje e madhe, shumë djem si unë do të mjaftoheshin edhe me një kontratë, por e quaj dhe shumë fat. Por duhet të jesh në super formë gjithmonë edhe kur ke dhjetë shfaqje. Në Gjermani gjatë shfaqjeve kishim kritik të mirëfilltë arti. Ti ndërkohë ishe i lodhur e të thoshin ka ardhur ky kritik që është shumë i tmerrshëm si spec djegës. Kështu që di duhet të jesh gjithmonë i karikuar me energji edhe mos të ankohesh. Dhe unë jam njeri që nuk ankohem.
Që në momentin e parë që vendose të shkosh në konservatorin e Vjenës ti më rrëfeve se mes 120 persona pate fatin të ishe ndër të përzgjedhurit. Si ndodhi?
Unë gjithmonë them ka qenë fati por edhe talenti nuk ka munguar. Ato ishin katër ditë audicion dhe në fund u përzgjodhën gjashtë. Kishte nga ata që audicionet e bënin për të dytin apo tretën herë iknin e veti vetëm që ta fitonin. Shihja të rinj që qanin sepse është shumë e rëndësishme të jesh pjesë e atij Universiteti. Sepse të studiosh aty kushton 90 mijë euro për një vit dhe po të jesh i përzgjedhur pagesën e marrin përsipër firmat e mëdha private që bashkëpunojnë me bashkinë e Vjenës dhe unë paguaj vetëm 600 euro në vit. Dhe specializimi një vjeçar i operetës bëhet vetëm në Vjenë. Pra konkurrenca është e jashtëzakonshme. Dua të theksoj që në vitin e dytë bëhet dhe një audicion tjetër për të parë si ke ecur ti në një vit. Në qoftë se zhvillimi yt nuk ka qenë i madh ti ikën në shtëpi dhe vjen dikush tjetër.
Nga Star Academy në konservatorin e Vjenës
Unë kisha dal nga Star Academy më vonë në moshën 17 vjeçare fitova Universitetin e Arteve këtu. Në Vjenë për audicionin shkova thjeshtë për t’i bërë qejfin prindërve të mi, nuk ia kam ditur rëndësinë. Më vonë kur u futa në brendësi, kur kam parë nivelin, njerëzit me kë punoja atëherë thashëme vete Ok duhet ta marr shumë seriozisht sepse nuk është lojë.
Cilët kanë qenë njerëzit më të rëndësishëm gjatë konservatorit apo edhe pas tij?
Një ndihmë e jashtëzakonshme ka qenë Melba Ramos, një soprano shumë e famshme në Vjenë. Ka punuar shumë me mua dhe më ka ndihmuar jashtëzakonisht. Kam kënduar rreth 30 minuta edhe për familjen mbretërore në Vjenë në një ballo. Po ashtu ka kënduar edhe për ish-presidentin e Austrisë Fisher.
Je vendosur përfundimisht në Vjenë dhe po punon në të gjithë botën.
Po Vjena është shtëpia ime, ideale doja të kisha punë rreth e rrotull Vjenës.
Po Shkodra të mungon?
Miqtë e ngushtë nuk i kam në Shkodër por në shtete në ndryshme të botës. Por ata që më mungojnë më shumë janë prindërit e mi.
Vijnë shpesh në Vjenë?
Vijnë, por ata nuk kanë shumë pak kohë fizike, vijnë vetëm për 2 ose 3 ditë.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: