TIRANË- Kreu i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit e Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI-t), Artan Lame, u shpreh të mërkurën se, në vendin tonë numërohen rreth 300 mijë objekte informale në pritje të procesit të legalizimit.

Ndërkohë që, gjatë këtij viti, ALUIZNI ka mundur të fusë në procesin e matjes rreth 57 mijë objekte, ndërsa për 12 mijë banesa ka përfunduar procesi i legalizimit, tha Lame, ndërsa evidentoi se, nuk ka një datë të saktë se kur pritet të mbyllet procesi në tërësi.

Lame, i pranishëm në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese tha se, po punohet me ritme të përshpejtuara, për proçesin e legalizimit të këtyre objekteve.

Në një vit punë në krye të këtij institucioni, të ardhurat kanë arritur në rreth 8 milionë dollarë. Janë 352 subjekte të skualifikuara për shkak të ndërtimit të veprave publike. Ndërsa borxhi i institucionit arrin në 1 milionë dollarë. Procesi i legalizimeve ka nisur që nga viti 2006 dhe deri më tani nuk ka pasur një vlerë të saktë për numrin e objekteve informale.

Vendimi i Këshillit të Ministrave i nxjerrë gjatë muajit prill të këtij viti, që parandalon ndërtimin e objekteve të reja, ka bërë të mundur që të nxirret një vlerë e saktë. Ndërsa përsa i përket matjeve në terren, qeveria shqiptare gjatë këtyre viteve ka realizuar tre projekte të hartave dixhitale, për shkak të fluksit të lartë të ndërtimeve.
(ma.ar/ata/BalaknWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb