Në Firence i është dhënë sot lamtumira kapitenit dhe qendërmbrojtësit të Fiorentinës, Davide Astori, i cili humbi jetën pas një ataku kardiak ditën e diel.

Në ceremoni disa persona kanë mbajtur fjalimet e rastit. I pari ishte vëllai i Davides, Marco Astori, i cili në një letër që e lexoi për të gjithë kishte shkruar: “Ju falënderoj që keni ardhur dhe në këto ditë të vështira keni treguar sa shumë e keni dashur Daviden tim. Nuk kam shumë fjalë. I thosha gjithmonë se kur jepte intervista, thoshte të njëjtat gjëra, kështu që po bëj të njëjtën gjë edhe unë. Një përqafim Françeskës, Vitorias dhe të gjithëve. Lamtumirë Davide.”

Për t’u evidentuar ishte fjalimi i futbollistit të Fiorentinës, Milan Badelj, i cili bëri të përloteshin disa nga të pranishmit.

“Do të flas shkurt, siç do të pëlqente ty. David në gjuhën ebraike do të thotë “i çmendur”. Shumë mbretër kanë pasur emrin tënd dhe, duke parë gjithë këta njerëz që kanë ardhur këtu për ty, besoj se ky është emri i duhur për ty.

Davide, ti je i thjeshtë. Me vështrimin tënd hyn brenda personave. Je ai që edhe pse nuk i njeh të gjitha gjuhët, arrin të flasësh me të gjithë. Ke folur gjithmonë me zemër dhe na ke mbajtur të bashkuar. Ke dhuntinë e gjuhës universale të zemrës.

Prindërit e tu duhet të dinë se nuk kanë gabuar asgjë me ty. Je biri dhe vëllai që gjithkush do të donte të kishte. Je shoku më i mirë, që gjithkush do të donte të kishte. Nuk harrohen të qeshurat e tua dhe shakatë me të gjithë ne. Ti je futbolli, ai i pastër i fëmijëve. Të gjithë ne kemi për detyrë të tregojmë kush është Davide”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb