Nga: Baton HAXHIU

Ukraina është njëra ndër shtetet më të korruptuara në botë, në gjendje konflikti të vazhdueshëm me Rusinë. Në Moldavinë e udhëhequr nga kleptokracia, para dy vitesh nga bankat shtetërore janë vjedhur 1 miliard dollarë. Serbia dhe Maqedonia kanë probleme bazike me korrupsion dhe respektim të të drejtave të njeriut.

Mirëpo, qytetarët e të gjitha këtyre shteteve udhëtojnë pa viza në Europë.

Për dallim nga kosovarët.

A ka argumente më të mëdha për padrejtësinë që na bëhet?

Katalonia është shembulli më i mirë se ballkanizimi i politikës europiane dhe vetintensifikimi i interesave kombëtare separatiste po bëhet paradigmë e krizës së idesë politike të projektit europian.

Ideali kozmopolit i identitetit mbinacional dhe sovraniteti me vetëdëshirë i suspenduar i Europës postnacionale edhe më parë janë dukur të humbur në realitetin e burokracisë brukselase.

Kolonat e emigrantëve sërish i vizatuan kufijtë e harruar. Identiteti kombëtar u shndërrua në përcaktueshmërinë e vetme brenda papërcaktueshmërisë së përgjithshme të frymës së kohës. Frika nga Tjetri u bë përgjigje ndaj sfidave të një bote e cila zhurmshëm kërkon rend të ri.

Europa tashmë e ka dëshmuar këtë në të kaluarën e afërt – në Ballkanin e viteve 1990. E ka dëshmuar, por shpesh krejtësisht symbyllas, sepse Ballkani ishte i pazgjidhshëm dhe e kishte sjellë edhe vetë Europën në pikëpyetje. Ai kishte ngritur dilema edhe për integritetin e raportit të saj me parimet e veta konstituive, marrjen dhe aplikimin e vendimeve të përbashkëta, mbijetesës së idealit të përbashkësisë. Pastaj u bë më e lehtë lënia e çështjeve të hapura – Bosnja, Maqedonia, Kosova…

Çështjet e pazgjidhura të identitetit dhe konceptet e papërfunduara të shteteve dukeshin si atavizma të tejkaluara në kozmopolitanizmin politik, ekonomik dhe qytetar europian. Ballkani pavullnetshëm po synonte ta zgjonte nga gjumi europian shoqërinë e re mbinacionale, në kontinentin i cili më në fund ishte pa kufij dhe pa luftëra. Për shkak se ky zgjim nuk ndodhi, ne mbetëm në ankthin e projekteve shtetërore të pasuksesshme dhe të papërfunduara, me demokraci vetëm në ardhje, me kontestim të zgjidhjeve të përzgjedhura. Tash, BE-ja në emër të Europës ia ka ngulur sytë humnerës së ballkanizimit të idealeve të veta, parimeve dhe përbashkësisë.

Për shkak të krizës së projektit të vet politik, Bashkimi Europian është duke u paralizuar përbrenda.

Ne nuk ishim atavizëm, por anticipim i saj negativ. Ishim shansi i humbur i Bashkimit Europian që të ofrojë zgjidhje të cilat do të ishin çelës edhe i së ardhmes së saj.

Hipokrizia e fshehur – me të cilën në esencë hiqte dorë nga e ardhmja e saj në ne dhe me ne, bashkë me krizat tona të identitetit, shtetësisë dhe demokracisë – tash e përndjek Bashkimin Europian në formën e Brexit-it, AFD-së në Gjermani dhe, më së shumti – Katalonisë, e cila duket si fillim i diçkaje më të madhe, shpresoj jo fundit të BE-së, por gjithsesi i fundit të një BE-je të këtillë.

Serbia është përpjekur ta shfrytëzojë këtë ballkanizim në dobi të veten. Nëse Katalonia nuk është e pavarur, atëherë nuk mund të jetë as Kosova. Nëse Kosova mund të jetë e pavarur, atëherë mundet edhe Katalonia – edhe një rast i mirë për PR të Vuçiqit (mjeshtrin e spektakleve për realitete alternative), shans që të rriten bastet dhe të forcohet pozicioni në bisedimet me Kosovën, dhe një mundësi që të kënaqet Putini.

Përtej të gjithave, edhe një mundësi që të ndizet zjarri “me asgjë i nxitur”, zjarr të cilin vetëm Serbia, në krye me Vuçiqin, do të mund ta shuajë dhe me këtë të tregojë se është adresë e patjetërsueshme për bashkësinë ndërkombëtare në rajon.

Fuqia e kësaj strategjie, edhe pse të kufizuar dhe para së gjithash për përdorim të brendshëm, nuk është e barabartë me fuqinë e asaj që e aplikon, por në pafuqinë e atyre që iu drejtohet – Europës dhe Kosovës. BE-ja do të gjejë përgjigje të duhur për ballkanizimin e Vuçiqit: Serbia e viteve të 1990-ta nuk është Spanja e sotme, diskriminimi i dhunshëm i shqiptarëve të Kosovës nuk është i krahasueshëm me nevojën e Katalonisë së pasur për vetëdëshmim kombëtar dhe pavarësi ekonomike. Por, mbetet çështje e hapur nëse Europa do të gjejë përgjigje për ballkanizimin saj, për krizën e të kuptuarit dhe të besuarit në projektin e vet për një Europë kozmopolite mbinacionale.

Pafuqia e Kosovës qëndron pikërisht në pafuqinë e BE-së. Mosuniteti i BE-së për pranimin e plotë të saj gjithmonë do të jetë shans për faktimin e pamundësisë së Kosovës. Sikur BE-ja të ishte ajo që kishte ëndërruar të jetë, do të ballafaqohej me çështjen e pranimit të Kosovës si me një sfidë ndaj fantazmave të veta të ballkanizimit, mosunitetit dhe pafuqisë për marrjen e vendimeve. Ky do të ishte sinjal i fuqisë së saj dhe sinjal për pranimin e sinqertë të Ballkanit si ardhmëri të saj, por edhe sinjal për europianizimin e vërtetë të Ballkanit dhe europianizimin e serishëm të Europës, e jo ballkanizimin e saj.

Nëse kjo nuk ndodh, Kosova do të bëhet lapsus i së ardhmes së Europës. Presioni i politikës së pazgjidhur e të radikalizuar identitare do ta krijojë një shoqëri në të cilën me parim demokratik, por me vullnet të një kombi të frustruar politikisht, do të mund të zgjidhet ndonjë opsion thellësisht jodemokratik dhe i paparashikueshëm. Kjo do të ishte ironi e europianizimit të Ballkanit, sepse Europa këtë e ka parë në rastin e Gjermanisë në shekullin 20, por e ka parandier sërish me Gjermaninë e vitit 2017.

Prandaj, për të mos qenë lapsus i ardhmërisë së Europës dhe auto-ironi e saj, Kosovën duhet ta pranojnë të gjitha anëtarët e BE-së. Prandaj Kosova duhet të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian, UNESCO-s… pasi në të kundërtën do të shndërrohet në diçka tjetër.

Dekada e pritjes nuk ishte pafuqi, por durim dhe optimizëm kombëtar. Nëse vazhdojmë të privohemi nga demokracia e synuar në të cilën ende dëshirojmë të besojmë, dhe nëse privohemi nga optimizmi dhe ardhmëria, kam frikë se do të detyrohemi ta kërkojmë versionin tonë të demokracisë dhe vullnetit të popullit./Mapo

E në emër të popullit, çdo gjë është e mundshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb