Nga: ENIDA HIMAJ*TIRANE-Jo rastësisht Laura Vorpsi është një emër shumë i dashur për publikun, madje edhe për ata që nuk e ndjekin politikën. Ish-zëdhënësja e partisë blu në këtë intervistë na ka konfirmuar edhe njëherë se prapa staturës politike fshihet një vajzë e thjeshtë me një këndvështrim ndryshe për arenën në të cilën bën pjesë, por edhe me një fokus tjetër për jetën. “Në politikë kompromiset janë të domosdoshme, ndërsa në jetën private të patolerueshme”, shprehet Laura, e mesa duket moton e saj e përdor edhe kur e pyesim për jetën private, që për të është ngushtësisht personale. I është rikthyer aktivitetit politik në Tiranë, pas disa kohësh qëndrimi në Gjermani. Një eksperiencë kjo, që i ka vlejtur jo pak pedagoges edhe në sferën politike. Pranon të flasë edhe për marrëdhëniet që ka me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, teksa pa shumë lavde rrëfen se është privilegj të punosh me të. Nga ana tjetër, një lidhje të ngushtë ka edhe me ishkryeministrin Berisha, duke e konsideruar si një nga personat që më së shumti e ka mbështetur. Me një frymë pozitive shikon edhe femrat në selinë blu, duke i konsideruar si një vlerë të shtuar, si dhe forcë të madhe. E nëse të gjithë po pyesin veten nëse do ta shikojmë emrin e Laura Vorpsit në listat zgjedhore, në zgjedhjet e afërme, kjo nuk bën pjesë në planet afatshkurtre. Drejtoresha e departamentit për Integrimin Evropian pranë PD, këtë hap e konsideron si një përqasje graduale në arenën politike.
Keni disa kohë që jeni kthyer në Tiranë, a ju kishte munguar arena politike?
Vetëm para pak kohësh kam përmbyllur punën disamujore pranë Partisë Kristian Demokrate(CDU), të Kancelares Angela Merkel. Puna e përditshme në parlament dhe eksperienca pranë ligjvënësve gjermanë ka qenë shumë e rëndësishme. Gjithsesi, qëndrimi në Berlin nuk më ka penguar të ndjek zhvillimet politike në vend dhe të marr pjesë në dhjetorin e shkuar për të garuar në zgjedhjet e brendshme që Partia Demokratike zhvilloi për drejtuesit e departamenteve dhe ripërtëritjen e kryesisë së saj. Ndihem e privilegjuar që kam marrë votëbesimin për të drejtuar departamentin e Integrimit në Partinë Demokratike dhe të vazhdoj të jap kontributin në familjen time politike.

Si do ta përshkruanit qëndrimin tuaj në Gjermani, për çfarë ju shërbeu kjo eksperiencë?

Qëndrimi dhe puna në Berlin ishte një mundësi e jashtëzakonshme, e cila më ofroi mundësinë të njoh nga afër modelin e administrimit të parlamentit gjerman dhe të vendos kontakte shumë të rëndësishme me deputetë të Bundestagut Gjerman, duke veçuar kryetarin e Komisionit të Integrimit Evropian z. Gunther Krichbaum, kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme, z. Schockenhoff dhe këshilltarin e tij z. Joachim Falenski. Gjatë qëndrimit në Berlin, pata mundësinë të zhvilloj takime në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, me drejtorin për Shqipërinë, z. Paquet ashtu sikurse edhe takime të rëndësishme me përfaqësuesit e Partive Popullore Evropiane, z. Manfred Weber. Me dy fjalë do të thosha: eksperiencë dhe kontakte të rëndësishme politike në Gjermani.

Një foto shumë e komentuar ishte edhe ajo e juaja me zonjën Merkel, si ishte ta njihje nga afër?

Gjatë mbledhjeve të përjavshme të grupit parlamentar të CDU-së si dhe gjatë seancave plenare, kam pasur shumë herë rastin të jem përballë znj. Merkel dhe ishte pikërisht dëshira ime që para një takimi të fiksonim një foto së bashku. Kam mbetur e befasuar nga thjeshtësia e saj në komunikim dhe nga kujdesi i veçantë që tregoi ndaj meje me anë të një kartolinë të dedikuar enkas prej saj, e cila ishte qershia mbi tortë në përfundim të eksperiencës parlamentare gjermane.

 

Intervisten e plote e gjeni sot ne Suplementin “VIP” te Gazetes Shqiptare ne print

 

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: