TIRANE – Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame shpjegon procedurën e legalizimit të ndërtimeve në zonat turistike. Në fokus janë 5 mijë apartamente që janë blerë nga qytetarët, por blerësit nuk kanë marrë tapitë. Procesi i legalizimit për këto subjekte është çelur dhe do të zgjasë 60 ditë. Objektet shtrihen përgjatë gjithë bregut. Procedurat për legalizimin e këtyre ndërtimeve si dhe procesi për pajisjen me leje për rreth 450 mijë ndërtime të tjera janë shpjeguar nga drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, në intervistë me gazetaren Ilva Tare në “Ora News”.
Ju sapo përfunduat një tryezë rajonale me disa vende fqinje, çfarë doli nga kjo tryezë, ku ishte Shqipëria në raport me fqinjët në eksperiencën e legalizimeve?
Ishte një tryezë shumë e vlefshme. Përballja e eksperiencave të një fenomeni tashmë çerekshekullor të informalitetit mes Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë. Zgjodhëm këtë bllok vendesh, ku dhe numri i shqiptarëve është i lartë dhe mjafton shifra që doli në fund, që i binte rreth 1 milion ndërtime pa leje në këto katër vende, të kuptosh përmasat e këtij fenomeni. Për kuriozitet të qytetarëve, Shqipëria ka shifrën më të madhe, 427 mijë. Shifër që doli nga censusi i fundit, pastaj Mali i Zi rreth 60 mijë ndërtime pa leje, Kosova ka rreth 140 mijë, por akoma s’ka mbaruar procesin e vetëdeklarimit, ndërsa Maqedonia është me 334 mijë ndërtime pa leje.
Po cilat ishin specifikat e procesit të legalizimit?
Dallimi thelbësor mes Shqipërisë dhe këtyre tri vendeve është çështja e pronës, pasi mbi 90 për qind të ndërtimeve në këto tri vende të rajonit ndërtimet janë bërë në tokën e tyre, që e quajmë ne “tokë babe”, në 10 për qind të rasteve në tokën e shtetit dhe ka raste shumë të rralla që kanë zënë tokën e dikujt tjetër. Arsyet e këtij fenomeni janë të kuptueshme, nuk është se ne jemi më të ndryshëm, po humbja e konceptit të pronës ka qenë shumë i thellë në Shqipëri gjatë regjimit komunist, lëvizja e popullsisë ka qenë më e madhe dhe kjo bëri që ky fenomen të ishte më i dukshëm. Ndërsa në tri vendet e tjera popullsia ka qenë më e qetë, më stabile dhe niveli i zhdukjes së konceptit të pronës private nuk ka qenë në këtë nivel. Maqedonia kishte numrin më të madh të dhënies së lejeve, e para sepse nuk kishte probleme pronësie, pra kishin ndërtuar në tokën e vet, kishin një sistem të mirë dixhital, gjë që shmangte shumë korrupsionin.
Sapo keni shpërndarë rreth 250 leje në një zonë të Vlorës, ku mori pjesë dhe kryeministri Rama, a nuk duket pak e tepruar ky spektakli me kamera, me qytetarë hallexhinj?
Rasti i Vlorës është rast “hallexhi”, por të mos keqkuptohemi se hallexhiu ka dinjitet, njeriu që ka halle është më me dinjitet se ai që ka bërë para, por le të themi “hallexhi” sepse lejet e legalizimit të dhëna dje ishin njëkatëshe, maksimumi ndonjë tek-tuk dykatëshe, pra ishte një zonë e varfër, me probleme ekonomike, që nuk ishte marrë askush me ta më parë. Kjo zonë u përzgjodh pikërisht për këtë për t’u legalizuar më shpejt. Vajtja e kryeministrit nuk ishte llogaritur për këtë gjë, ai ishte në Vlorë dhe meqë ishte aty, mund të merrte pjesë edhe në këtë event të shpërndarjes së lejeve. Por është shumë pozitive marrja pjesë e tij në këto evente. Së pari, për të mbajtur të gjallë besimin e publikut te procesi i legalizimit dhe besimi është gjëja më e rëndësishme që të mos kthehet procesi në rutinën e zakonshme, rutinë që e vdes procesin pastaj, ndërkohë që kemi një opozitë që mezi pret që ne të gabojmë në këtë proces, i cili deri tani ka ecur perfekt.
Pastaj ka shumë elementë të procesit që publiku akoma nuk i njeh dhe ata duhet t’i shikojnë me sy që të kuptojnë e të besojnë që kjo bëhet. Unë isha në Durrës para disa ditësh për të dhënë leje legalizimi te disa familje të verbërish, ishte thjesht për të tërhequr vëmendjen te një fakt që nuk e dinte njeri se lejet e legalizimit për familjet që kanë kryefamiljarin në kategoritë e shtresave të veçanta, si paraplegjikët, të verbërit, etj., e marrin edhe truallin falas, pra nuk paguajnë asgjë. Pra, kjo bëhet për të tërhequr vëmendjen e publikut drejt procesit që të mos humbë ritmi i tij.
Keni thënë në një nga fjalimet e fundit se “një nga dështimet më të dukshme të politikave ekonomike në këtë vend është dështimi i gjatë i stimulimit të zhvillimit të zonave të stimuluara turistike në bregdetin shqiptar”, pse ka ndodhur kjo?
Më ke hapur një temë që është shumë e bukur për mua, por duhet shumë kohë për ta diskutuar. Gjithsesi, me dy fjalë… Në vitin ’93 shteti i atëhershëm mendoi që të stimulojë ndërtimet e fshatrave turistikë për të gjallëruar zhvillimin turistik. Për pak kohë ligji filloi të degradonte dhe nga fshatra turistikë, u katandisën në pallate, e merrnin tokën nga shteti për të zhvilluar këtë zonë dhe nuk ndërtonin fshatra turistikë, por pallate banimi dhe u arrit në atë degradim që kemi trashëguar sot. Sot bëhet fjalë për 4-5 mijë apartamente, që janë qytetarë, inxhinierë, mësues, shtresa e mesme e popullsisë që i kanë blerë këto apartamente, por nuk kanë pronësi sepse ndërtuesi që e ka marrë nga shteti nuk mund t’ua japë pronësinë, sepse e ka marrë me qira nga shteti. Këtë gjë po bëjmë tani, që këto apartamente nga pikëpamja formale juridike të mund të legalizohen. Por ka një afat për ta bërë këtë gjë. Pra, të gjithë qytetarët që kanë blerë apartamente në bregdet, por nuk kanë rregulluar statusin juridik të truallit, të vijnë të aplikojnë tani. Duhet të pranojmë se skema e stimulimit të turizmit e ’93-it ka dështuar, por nuk mund të themi që s’ka turizëm. Në Velipojë ka turizëm, në Gjirin e Lalzit ka turizëm, madje në Gjirin e Lalzit ka edhe ‘vaska floriri’, se këtë shprehje pëlqen ta përdorë Saliu, por ai model që filloi në ’93 gjithsesi dështoi.
Çfarë do të bëhet me ndërtimet në bregdet. Bëhet fjalë për zona Qeparo, Borsh, etj., që thonë se kanë ndërtuar në tokën e tyre dhe kanë edhe certifikatë pronësie. Në tryezën rajonale u tha se Mali i Zi u ka dhënë prioritet ndërtimeve në bregdet, por ju a do i jepni prioritet?
Mali i Zi u ka dhënë prioritet zonave turistike, sepse janë prona të regjistruara. Bregu ynë, pjesa më e madhe e bregdetit nga Orikumi në Sarandë është e paregjistruar. Përveç këtij fakti ka mbivendosje të pronave, ka problematika të trashëguara. Ndoshta duhet ta keni dëgjuar që në Vlorë po bëhet një studim se ku do të ndërtohet dhe ku nuk do të ndërtohet. Besoj se kur të mbyllet studimi dhe besoj se është harta e fundit që bëhet mbi bazën e atij studimi, do të vendoset qartë për ndërtimet në bregdet. Pra, në atë zonë të fshatit që lejohet ndërtimtaria do të hyjë procesi i legalizimit. Pra, bëhet fjalë për zhvillimin e turizmit dhe duhet një plan i qartë për këtë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb