* Drejtoresha e Hipotekës: Nuk ka asnjë shqetësim, thjesht procedurë për legalizimin e pallatit

TIRANE– Kalvari i banorëve të pallateve Hauai në Laprakë, të njohura në gjithë Tiranën si pallatet e Arabit, ende nuk ka përfunduar. Megjithëse Qeveria nxori një vendim për legalizimin e tyre, mjaft kulla të ndërtuara nga egjiptiani El Sayed, ende nuk kanë përfunduar këtë procedurë.

Banorët pasi kanë marrë lejen e legalizimit janë drejtuar në Hipotekë, duke paguar edhe detyrimin financiar për t’u bërë pronarë ligjorë të apartamenteve që kanë blerë thuajse më shumë se 15 vite më parë. Por ata deklarojnë se pas kaq kohësh prisnin të merrnin certifikatën e pronësisë, por në të vërtetë morën një përgjigje befasuese, apartamentet e tyre janë legalizuar, por nuk janë legalizuar godinat.

Kështu ata marrin vetëm një leje legalizimi, por jo tapi.

Mbi 200 familje që kanë këtë problematikë ndodhen në zonën e njohur si komuna e Parisit, ndërsa qindra të tjera ndodhen në zonën e Laprakës dhe të Don Boskos.

DREJTORESHA E HIPOTEKËS: NUK KA ASNJË SHQETËSIM, THJESHT PROCEDURË
E kontaktuar nga “News24”, drejtoresha e Hipotekës së Tiranës është shprehur se nuk ka problematika për këtë çështje, por po ndiqen procedurat e nevojshme. Bardhi tha se ZVRPP Tiranë po bashkëpunon me ALUIZNI-n për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin e godinës, e më pas apartamenteve të veçanta.

“Kanë ardhur për legalizimin lejet e apartamenteve të veçante, dhe ne jemi në pritje për godinën e pallatit. Është thjesht çështje procedure. Ne kemi njoftuar banorët e pallateve që jemi në pritje të plotësimit të dokumentacioni nga ALUIZNI. Duhet të regjistrohet edhe i gjithë pallati dhe më pas të gjitha apartamentet, kështu është vepruar edhe më pallatet e tjera Hauai në këtë zonë”, tha Bardhi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb