VLORË – Arrestohet Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, pak muaj pasi i shpëtoi një përballje me drejtësinë. Arrestimi ka ndodhur në shtëpinë e tij rreth orës 15:30 nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës. Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria e Përgjithshme si dhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë, të cilat publikuan edhe akuzat.

Sëbashku me Gjikën janë arrestuar edhe dy persona të tjerë: Dorjana Sulaj, drejtore e Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në bashki dhe biznesmeni i ndërtimit, Artur Haxhi.

Artur haxhi (Në foto, biznesmeni Artur Haxhi)
Arresti është firmosur nga prokurori Ramadan Troci, i njohur edhe për urdhrin e arrestit të lëshuar për ish-Guvernatorin Ardian Fullani. Mbi të tre personat rëndojnë thuajse akuza të ngjashme: “Falsifikim i dokumentave”, “Ndërtim i paligjshëm”, “Shpërdorim detyre”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” etj.

Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se “Gjika, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me shtetasen Doriana Sulaj, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit në Bashkinë Vlorë, kanë përpiluar dhe lëshuar dokumenta me përmbajtje të falsifikuara. Me konkretisht, dokumentat e dyshuara të falsifikuara janë për miratimin e një sheshi ndërtimi dhe lejeje ndërtimi 2-8-10-11 kate me subjekt ndërtues “Turi&M.Z.B” sh.p.k, me pronarë 4 familje”.

Gazetarja Klodiana Lala tha për “News 24” se arrestimi ka ndodhur rreth orës 15:30 dhe vetëm pak javë pasi Gjika i shpëtoi akuzës për një çështje të ngjashme, që kishte të bënte me ndërtimet e paligjshme. Por, këtë herë ai ka përfunduar nën pranga.

Për të njëjtat akuza ka përfunduar në pranga dhe Shefja e Urbanistikës, që dyshohet se të gjitha veprimet i ka kryer në bashkëpunim me të.
arretimi i Gjikessssssss (Në foto, arrestimi i Gjikës)

Gjika akuzohet se për pallatin 11-katësh të ngritur në zemër të qytetit të Vlorës ka falsifikuar firmat në procesverbalin e KKRT-së. Bëhet fjalë për një hetim të nisur më herët, por për të cilin nuk është folur. Arrestimi këtë radhë është bërë për të mos lejuar prishjen e provave nga ana e të dyshuarve.

Përsa i përket biznesmenit Haxhi, ai është një ndër më të fuqishmit e kësaj fushe në qytet dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me dy të dushuarit e tjerë për të ngritur pallatin.

Më 27 nëntor 2014, Gjykata e Tiranës e shpalli Gjikën të pafajshëm për akuzën e falsifikimit të lejeve të ndërtimit të dy godinave: Njëra në lagjen “Pavarësia” dhe tjetra në bulevardin qëndror Vlorë-Skelë, në vëndin e quajtur “Tre Rasat”.

GJIKA LË QELINË, DËRGOHET NË SPITAL PAS 5 ORËSH
Por pas 5 orësh në qelinë e paraburgimit, duket se Shpëtim Gjika është ndjerë keq dhe është dërguar në spital. Kreu i Bashkisë së Vlorës mësohet se është shoqëruar nga forcat e policisë drejt spitalit për shkak të problemeve me shëndetin, rreth orës 20:30.

Shkak për shoqërimin e tij drejt spitalit të Vlorës janë bërë luhatjet e tensionit. Aktualisht ai ndodhet në ambientet spitalore nën kundesin e shërbimit mjekësor.

Gazetari i News 24, Enrik Mehmeti, i ndodhur jashtë ambienteve të Reanimacionit në Spitalin e Vlorës raporton gjithçka ka ndodhur në 30 minutat që kryebashkiaku Gjika ka hyrë në atë derë i shoqëruar nga forca të shumta policore.

“Kemi mësuar se zoti Gjika ka pasur luhatje tensioni, por edhe shqetësime në zemër. Mjekët fillimisht kanë dyshuar për një parainfart, por situata sipas tyre paraqitet më e lehtë. Ka qenë vetë kryebashkiaku që ka kërkuar ndihmën e bluzave të bardha, pasi është ankuar për humbje të ekuilibrit”, sqaron gazetari ynë në Vlorë.

Gjatë kohës që Gjika ndodhet në spital, sipas Enrik Mehmetit, askush prej mjekëve nuk ka dhënë sqarime. por se ai vetë ka parë të hyjnë mjekë kardiologë si dhe aparatin e EKG-së.

“Nuk e dimë ende a do vijojë të qëndrojë këtu zoti Gjika edhe gjatë orëve të natës apo do ikë në komisariat”, tha ai më tej.

DEKLARATA E PLOTE E PROKURORISE SE PERGJITHSHME
*Masë “arresti me burg” për Kryetarin e Bashkisë dhe Drejtorin e Planifikimit të Territorit në Bashkinë Vlorë

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Shpëtim Gjika, me funksion Kryetar i Bashkisë Vlorë dhe shtetasen Doriana Sulaj, me funksion Drejtor i Drejtorisë të Planifikimit të Territorit në këtë institucion, të dyshuar për konsumimin e veprave penale të “fallsifikimit të dokumentave…”; “shpërdorimit të detyrës”; “ndërtim i paligjshëm..”; dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, të parashikuara nga nenet 186/2, 199/a/2 e 25 dhe 143/2 të K.Penal.

Gjithashtu, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për shtetasin Artur Haxhi, administrator i shoqërisë së ndërtimit “Turi&M.Z.B”, i dyshuar për konsumimin e veprave penale “falsifikim i dokumentave”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, “ndërtim i paligjshëm” dhe “mashtrimi”, të parashikuara nga nenet 186/2, 199/a/2 e 25 dhe 143/2 të K.Penal.

Vendimi i gjykatës është zbatuar nga ana e forcave të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Vlorë.

Prokuroria e Vlorës ka regjistruar procedimin penal nr.1264 viti 2013, në bazë të kallëzimit të një shtetaseje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme lidhur me këtë procedim penal ka rezultuar se shtetasi Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me shtetasen Doriana Sulaj, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit në Bashkinë Vlorë, kanë përpiluar dhe lëshuar dokumenta me përmbajtje të falsifikuara. Me konkretisht, dokumentat e dyshuara të falsifikuara janë si më poshtë vijon;
1. Vendim me nr.1, datë 17.01.2011 të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në numërin rendor 19 të të cilit përshkruhet se “është miratuar shesh ndërtimi dhe lejë ndërtimi 2-8-1011 kate me subjekt ndërtues “Turi&M.Z.B” sh.p.k, me pronarë 4 familje”;
2. Vendim me nr.1/19, datë 17.01.2011 të KRRT-së së Bashkisë Vlorë për miratimin e destinacionit të sheshit të ndërtimit dhe kondicioneve urbane të tij, sipas formularit nr.2, që mban datën 10.04.2013, për truallin në pronësi të 4 familjeve”;
3. Lejë ndërtimi nr.1/19, datë 17.01.2011 të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, sipas formularit nr.4, që mban datën 10.04.2013, në favor të subjektit ndërtues “Turi&M.Z.B” sh.p.k;
4. Leja e përdorimit me nr.18, datë 18.06.2013 e Kryetarit të Bashkisë Vlorë.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se në mbledhjen e KRRT-së së Bashkisë Vlorë të datës 17.01.2011, duke u nisur nga përmbajtja e protokollit të kësaj mbledhje, nuk rezulton që të jetë marrë në shqyrtim ndonjë kërkesë për shesh ndërtimi apo për leje ndërtimi nga pronarët e truallit të mësipërm apo nga subjekti ndërtues, si dhe nuk rezulton që të jetë miratuar shesh ndërtimi dhe lejë ndërtimi në favor të pronarëve të truallit dhe subjektit ndërtues të mësipërm.

Dokumentat me përmbajtje të falsifikuar janë përdorur nga administratori dhe përfaqësuesi ligjor i shoqërisë “Turi&M.Z.B” sh.p.k, shtetasi Artur Haxhi, me qëllim për të justifikuar kryerjen e ndërtimit si dhe për të rregjistruar objektin e ndërtuar në Z.Rr.P.P Vlorë. Rezulton se ndërtimi është kryer pjesërisht edhe në truall me pronësi shtet apo në pronësi të personave të tjerë.

Mbi bazën e këtyre dokumentave me përmbajtje të falsifikuar është kryer ndërtimi i objektit godinë banimi dhe shërbime me 11 kate dhe se për ndërtimin e këtij objekti është lëshuar leja e përdorimit dhe dokumentacioni është dërguar për tu rregjistrar pronësia e objektit në Z.Rr.P.P Vlorë.

Njëkohësisht, gjatë hetimeve paraprake është kërkuar nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë në mënyrë të përsëritur që të sekuestrohet në Bashkinë Vlorë protokolli i mbledhjeve të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, për mbledhjet e zhvilluara në vitin 2011. Nga ana e Kryetarit të Bashkisë Vlorë si dhe Drejtores së Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit në Bashkinë Vlorë, protokolli i mbledhjeve në mënyrë të përsëritur është refuzuar që të vihet në dispozicion të grupit hetimor të kryesuar nga Prokurori.

Në këtë mënyrë, nga hetimet e deritanishme ekzistojnë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova se shtetasi Shpëtim Gjika në bashkëpunim me shtetasen Doriana Sulaj kanë konsumuar veprat penale “falsifikim i dokumentave”, nga personi që e ka për detyrë të lëshojë dokumentin, “shpërdorim i detyrës”, “ndërtim i paligjshëm” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, të parashikuara nga nenet 186/3 e 25, 248 e 25, 199/a/2 e 25 dhe 301 të K.Penal, ndërsa shtetasi Artur Haxhi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “falsifikim i dokumentave”, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, “ndërtim i paligjshëm” dhe “mashtrimi”, të parashikuara nga nenet 186/2, 199/a/2 e 25 dhe 143/2 të K.Penal

Mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, me vendimet e datës 06.02.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është caktuar për shtetasit Shpëtim Gjika, Doriana Sulaj dhe Artur Haxhi masa e sigurimit personale “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.

ARRESTIMET, DEKLARATA E POLICISE SE QARKUT TE VLORES

Sot, me dt. 06.02.2014, Policia e Vlorës ka bërë ekzekutimet e masave të sigurimit “Arrest në burg” për shtetasit:

1. Shpëtim Gjika, vjeç 52, me detyrë Kryetar i Bashkisë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, “Fallsifikimi i dokumentave”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, dhe “Ndërtim i paligjshëm të kryera në bashkëpunim.

2. Doriana Sulaj, vjeç 35, me detyrë Shefe e Urbanistikës në Bashkinë Vlorë për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentash” dhe “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” të kryera në bashkëpunim.

3. Artur Haxhi, vjeç 30, banues në Vlorë, pronar i firmës së ndërtimit “Turi MZB” shpk., për veprat penale “Falsifikim i dokumentave”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Mashtrim” të kryera në bashkëpunim.

(ar.sh/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb