Punonjësi i Policisë, Agim Shaba, është arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në Durrës, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ditën e djeshme, rreth orës 19:30 të pasdites, Shaba, me detyrë ndihmës kontrollor në PKK Durrës, ka lejuar kalimin në dalje nga Republika e Shqipërisë drejt Italisë, të shtetasit Bashkim Hasani.
Sipas policisë ai e bëri këtë veprim megjithëse ishte në dijeni se Hasani do të kalonte materiale të paligjshme, në bashkëpunim me shtetasen Laureta Lama.

Në dhomën e tragetit ku qëndronin për udhëtim Hasani dhe Lama, agjentët e Antidrogës sekuestruan 2.3 kg heroinë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

 

 

Njoftimi i policisë

SHÇBA arrestoi policin kufitar; shpërdoroi detyrën duke lejuar të kalonin në vijën e parë të kontrollit 2 shtetas me lëndë narkotike edhe pse ishte në dijeni Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), në Durrës, arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë Agim Shaba, me detyrë ndihmës kontrollor në PKK Durrës, për “Shpërdorim të detyrës”.

Një ditë më parë rreth orës 19:30, duke shkelur urdhrin e eprorit efektivi i Policisë kufitare ka lejuar kalimin në dalje nga Republika e Shqipërisë drejt Italisë, të shtetasit Bashkim Hasani, megjithëse kishte informacione se ky i fundit do të kalonte materiale të kundraligjshme, në bashkëpunim me shtetasen Laureta Lama.

Pas kontrolleve në dhomën e tragetit ku ishin akomoduar për udhëtim dy shtetasit e sipërpërmendur, agjentët e Antidrogës sekuestruan lëndën narkotike, për të cilën kishin informacion. Arrestimi i Inspektorit Agim Shaba u krye për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Materialet hetimore iu kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb