Nga: Valbona NATHANAILI

Të ndjekësh emisione a programe televizive që kanë në qendër debatin për probleme të ndryshme që shqetësojnë shoqërinë tonë është kthyer në një sfidë të vërtetë – argumentet lënë shumë për të dëshiruar. Por, megjithëse jemi të ndërgjegjshëm për gjendjen ku kemi arritur, këto burime vazhdojnë të luajnë rol, në mos për të përforcuar mendimin personal në lidhje me atë se çfarë ndodh, të paktën për ta peshuar gjykimin sipas një burimi tjetër informacioni. Dhe për të qeshur, a qarë! Kjo më ndodhi ndërsa ndiqja një prononcim të ish-ministres së Mbrojtjes në lidhje me parimin e punës së radarëve të “ushtrisë sonë”, parim i cili kufizonte, – sipas saj, – edhe llojin e materialit që mund të identifikojë një radar: vetëm objekte metalikë! Nuk e dija nëse duhej të qaja a të qeshja. Sipas ish-ministres, ndërsa përpiqej të shpjegonte pse ishin të fikur radarët në aksionet antidrogë, përpos të tjerave, solli edhe një argument tejet shkencor: “Edhe sikur të ishin ndezur, prapë nuk do të kishin asnjë dobi, sepse sikundër e dini, – theksoi ajo, – radarët zbulojnë vetëm objekte metalike, ndërsa gomonet që përdorin trafikantët dhe që janë prej gome nuk i identifikojnë dot”. Buzëqeshja e ish-ministres shprehte keqardhje dhe mëshirë jo vetëm për paditurinë e panelit dhe të dëgjuesve, por sfidonte edhe të gjithë radarët që përdor ushtria italiane dhe të gjithë radarët e botës, të cilët që nga koha e shpikjes së tyre diku nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, kanë evoluar aq shumë, sa janë në gjendje të identifikojnë jo vetëm objektet metalikë, por edhe në cilin drejtim lëviz, të themi, një zog, djathtas a majtas, largohet a afrohet.

Ishte gjenia e disa shkencëtarëve e shpikësve, duke filluar me gjermanin Hertz dhe britanikun Maksuell, që shfrytëzuan aftësinë që ka rrezatimi elektromagnetik për t’u pasqyruar nga një sipërfaqe metalike për të krijuar radarët, ose sikundër njiheshin në atë kohë me emrin e thjeshtë detektor (zbulues), në përpjekje për të shmangur përplasjet e anijeve gjatë lëvizjeve në kohë me mjegull a të turbullta. Ky tip i thjeshtë sot është aq shumë i përhapur, sa mund të blihet edhe në një dyqan të zakonshëm ose online dhe e përdorin, kryesisht, gjuetarët e thesareve. Sikundër ishte edhe “thesari” që zbuloi ish-ministria e Mbrojtjes në një emision të thjeshtë televiziv – radarët që ka ushtria shqiptare janë të kohës të qepës, gjithmonë nëse punojnë vetëm sipas parimit të mësipërm, pra të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë: sepse i vetmi justifikim për një deklaratë të tillë është vjetërsia dhe padobia e teknologjisë që ka në dispozicion ushtria jonë, pa dyshuar për asnjë rast në besueshmërinë e atyre që e këshillojnë ministren – në mos qoftë ndonjë 25-vjeçar që ka mbaruar për shkenca politike.

Sigurisht që shkenca në botë, në ndryshim nga ne këtu, ecën përpara, sepse ka njerëz që e duan shkencën dhe politikanë që bëjnë politika për zhvillimin e saj. Duke ju referuar përsëri botës, nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, këtij parimi – atij të pasqyrimit të valëve elektromagnetike nga një sipërfaqe metalike në funksionim e një radari, – i janë shtuar edhe parime të tjera, si ajo e ndryshimit të frekuencës së rrezatimit nga një trup në lëvizje, i njohur ndryshe si Efekti Dopler, po aq sa edhe ndryshimi i gjatësive të valëve që përdoren, shoqëruar me shumë lehtësi të tjera në gjetjen e përpunimin e informacionit që krijon teknologjia, gjithmonë në funksion të rritjes së fuqisë zbuluese të radarëve, po aq edhe të llojit të objekteve që mund të zbulohen prej tyre. Duke iu kthyer vendit tonë, në rastin e gomoneve, padukshmërisë, ose po të shprehemi në terma ushtarakë, kamuflazhit natyror të tyre (këtu ka të drejtë ish-ministrja), i shtohen faktet që gjatë lëvizjes, vetë gomonia është burim zhurme, pra e identifikueshme nga lloji i tingullit që prodhon, motori është metalik, ndërkohë që njerëzit janë burim i një lloj rrezatimi që në fizikë njihet si infrared, i cili emetohet nga trupat e nxehtë, sikundër është edhe trupi i njeriut. Të gjitha këto, si dhe shumë parime të tjera, por që nuk përbëjnë më arsye interesante në këtë shtjellim, i shndërrojnë radarët e sotëm, në llojin që ka shteti italian, pra të dobishëm për të identifikuar lëvizjet e trafikantëve edhe me gomone. Dhe të domosdoshëm për të qenë gjithnjë në gjendje gatishmërie, pra ndezur.

Konkluzioni: do na pushtojnë trafikantët! Me kushtin që ta kenë parë emisionin dhe me kushtin që të mos qarkullojnë nëpër bregdet duke mbajtur ndonjë antenë të madhe parabolike. Thjesht, sepse vetëm atëherë mund të zbulohen nga ushtria jonë./Gazeta Shqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb