MAQEDONI- Banorët e “Lagjes së Trimave” i janë drejtuar me një letër të hapur nënkryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Sadulla Durakut, në të cilën shprehen se ndjehen të tradhtuar nga Duraku.

Letra e plotë nga banorët e “Lagjes së Trimave” drejtuar Sadulla Durakut:

“Më në fund doli në dritë ajo që ne banorët e dëmtuar të Lagjes së Trimave në Kumanovë, jemi viktimizuar pikërisht nga ato që u besuam, dhe me votën tonë i autorizuam të armatosen dhe të na vrasin! Këtë e kemi thënë, publikisht, se jemi viktimë e strukturës qeveritare të BDI-së, jemi viktimë e Ali Ahmetit, por kurrë s’kemi menduar se do të jemi viktime edhe e Kryetarit të Likovës, Sadulla Durakut. Kryetarit për të cilin kemi qenë në gjendje ta vendosim edhe dorën në zjarr! Z. Duraku, padyshim se jemi të vetëdijshëm se na sulmoi policia dhe ushtria e BDI-së së udhëhequr nga Kryetari i saj Ali Ahmeti, por në këtë grup kurrë nuk kemi menduar se mund të jeni edhe ju. Kjo për arsye të thjeshtë, sepse jeni Kryetar i një Komune shqiptare e cila s’ka asnjë ndikim në pushtetin qendror, as për nevoja elementare të qytetarëve të saj, dhe jo më të keni mundësi të përkujdeseni për ne, banorët e Lagjes së Trimave në Kumanovë.
Sot kuptuam se Ju, z. Duraku, jeni po aq përgjegjës sa struktura e BDI-së dhe vet Ali Ahmeti, për këto tmerre që ndodhën në Lagjen e Trimave në Kumanovë… Akoma këtë nuk mund ta besojmë… Si ka mundësi z. Duraku, sot të tregoni se keni qenë në dijeni për skenarin e sulmit, disa ditë para se ai të ndodh, dhe atë e keni heshtur! Sikur keni pritur të ndodh, të shkatërrohet lagja, të vriten dhe të plagosen banorë të pafajshëm të Lagjes së Trimave, të trishtohen fëmijë, gra shtatzënë, pleq dhe të tjerë, ndërsa Ju, sot, pa turp, të dilni dhe të publikoni lajmin që u bënë përgjegjës po aq sa edhe Gruevskin, Mijalkovin, Jankuloskën dhe Ali Ahmetin, nëse jo edhe më shumë. Kur e kuptuat se do të ndodh skenari i Kumanovës, z.Duraku, patët kohë të shkoni në Kosovë për ta takuar Sami Ukshinin, të dyshuar për bashkëpunim me Sasho Mijalkovin, në krijimin e grupit të tmerrit për ne, pse nuk e alarmuat opinion për skenarin e kobshëm, pse nuk erdhët të takoheni me ne, banorët e Lagjes së Trimave, që jemi jo më shumë se 10 Km nga Komuna juaj, pse nuk e njoftuat Ambasadën Amerikane, Gjermane, Angleze, OSBE-në, dhe faktorin ndërkombëtar në përgjithësi se çka është gatuar të ndodh në Lagjen tonë, Pse, z. Duraku, pse?! Çfarë vlere ka kjo që sot e thoni për ju, përveç se e plotëson listën që ne, banorët e Lagjes së Trimave, e kemi për organizatorët e aksionit kriminal që u zhvilluar para 5 ditësh! Nuk na mbetet tjetër të themi, z.Duraku, përveç se: U qoftë për nder tradhtia që bëtë bashkë me strukturën e BDI-së dhe Kryetarin e saj Ali Ahmetin!”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb