Nga Zamira Matoshi
Përshëndetje Z. Kryeministër!
Ne që po ju shkruajmë këtë letër të hapur jemi një grup intelektualësh pukjanë, anëtar të Shoqatës Kulturore të Mësuesve të Pukës me qendër në Tiranë. Ne kemi kontribuar një jetë të tërë në rrethin e Pukës,në fushën e arsimit dhe të kulturës, por që edhe pse jetojmë dhe punojmë në Tiranë, nuk jemi shkëputur asnjë çast nga vendlindja jonë.

Para se të shtrojmë problemin tonë duam të shprehim konsideratën e lartë për mbajtjen e premtimit për transformimin rrënjësor të qytetit të Pukës dhe Fushë-Arrëzit. Një transformim të tillë pukjanët nuk e kanë prekur as nē endërr jo më në realitetin e vështirë të 28 viteve pluralizëm.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të kaluara duke vlerësuar nismën e qeverisë suaj për realizimin e “dëgjesave publike” në çdo fshat e qytet, ne menduam të hartonim një letër me mendime dhe sugjerime drejtuar dëgjesës së realizuar nga Bashkia Fushë-Arrës, ku shtruam disa pika.Ndër më kryesoret ishte kërkesa për të përfshirë disa fshatra të Pukës në hartën e zhvillimt të qëndrueshëm dhe këtë e shoqeruam me argumente përkatëse.Duke qënë se ne e kemi shkelur me këmbë cdo pëllëmbë të këtij rrethi, dhe njohim nga afër historinë, arsimin, kulturën dhe prespektivat turistike të cdo fshati, sugjeruam që të propozohen fshati Iballë dhe fshati Dardhe si fshatra të hartës turistike.

Kërkesat tona në dēgjesē, u lexuan, u mirëpritën dhe u premtuan të realizueshme edhe si pjesë e programit elektoral të shpallur gjatë fushatës. Mirëpo, para disa ditësh u njohëm nëpërmjet medias me shpalljen e hartës “100 fshatrat” dhe fatkeqësisht konstatuam se përzgjedhja e bërë nga pushteti lokal, apo ndonjë komision që nuk dimë mbi ç’kritere kanë përzgjedhur një fshat krejt tjetër, që nuk mund të krahasohet me fshatrat që kemi propozuar ne në dëgjesën publike. Ne po marrim si shembull vetëm njërin prej dy fshatrave që propozuam.

Është fjala për fshatin Iballë. Pse duhej të ishte përfshirë në hartën e 100 fshatrave me prespektivē turistike?

Së pari; Iballja të ofron një pamje të mrekullueshme.Një fushnajë rrethuar nga të gjitha anët me male të larta. Në perëndim të saj është Mali i Bales, nga ku kalonte rruga që lidhte Shkodrën me Gjakovën e Pejën. Nga maja Bales, një turisti natyra i ofron pamjet e mrekullueshme të Majës së Çllumit të Merturit, Malet e Qyqeshit, Qafa e Sharit, Malit të Krrabit,etj etj…vargmale pafund… Fshati Iballë përshkruhet nga lumi që mban të njejtin emër, që buron nga malet e Pjavrit, rrjedh Grykës së Geres, bashkohet me përroin e Gojanit e të Kopratit e derdhet në Ludricë, vend,ku mendohet se dikur banorët vendas ankoronin anijet e tyre.

Vetëm 10 km nga Iballja drejt Berishës ka dalje në liqenin e mrekullueshëm të Komanit. Një turist mund të shohë mrekullitë e bregut të Drinit që vazhdojnë deri në Fierzë për t’u lidhur me Alpet Shqiptare. Vetëm 15 km rrugë nëse do të shkojë nga ana veriore për t’u lidhur me Tropojën , Kosovën e mē gjërë. Vetëm 36 km për t’u lidhur me Fushë-Arrezin. Me pak se 3 orë rrugë nëse niset nga Tirana.

Gjatë këtij udhëtimi do ta shoqëronte jo vetëm mahnitja nga malet e larta, livadhet e shumta, krojet e akullta, shpellat e paeksploruara ende, por edhe mikpritja e pashoqe e vendasve. 7- 12 km rrugë për të lidhur cdo fshat, që ka historinë dhe bukurinë e tij , me qendrën e Iballës, ku dikur kishte shkollë fillore dhe 8- vjeçare, shkollë të mesme, konvikt, spital me disa shtretēr, qëndër kulture, njësi të ndryshme shërbimi , pra ishte një vend ku ziente jeta.

Turisti do shikonte nga afër, Merturin, Aprripën. Qyqeshin, Trovnat, Stramen, Kokdoden,Shoplin,Sapaçin,Ndërlymnat,Katundin e Kishës, Zvinën, Ludricen, Levoshen, Arapin, Bugjonin Fierzën etj etj…., secila prej tyre një bukuri më vete, secila prej tyre njē histori më vete. Së dyti; një turist do të njihej me historinë e çuditshme të një fshati, ku bashkëjetojnë në mënyrë përfekte fise dhe religjione të ndryshme. E parë me syrin e njerkës, Iballja ka qënë e pa dëshirueshme nga cdo sistem i ardhur deri tani në pushtet.

Në librin “Kuvendi i Arbrit “ 1703 , shkruhet sesi Iballja për shkak tē qendresës ndaj turkut pranoi të digjet tri herë me radhë, por jo të ndryshonte besimin. Sot për shkak të mosdijes disa “të ditur” e kanë keqpërdorur këtë thënie, duke i quajtur iballsit “mendjemëdhenj”. Në fakt, të jesh krenar për vendin dhe besimin tënd, të mos pranosh tagra e të dhjeta, t’i kundërvihesh mbylljes së shkollave dhe të vdesësh për liri është vlerë dhe jo mendjemadhësi.

Iballja ka nxjerrë figura të tilla si: Ndoc Mark Deda( luftoi me çetën e tij kundër turqve dhe serbëve), Zenel Aga (pjesēmarrës në Kongresin e Lushnjës),Frrok Kolë Pemati, Bibë Ndoja, Palush P. Markaj, Frrok Kolë Rexha ( pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878 ), Qerim Sokoli, Prend Uka, Ndrekë Markiçi, Pal Ndou (Luftuan me armë kundër turqve si edhe morēn pjesë në Beslidhjen e Shtatë Bajrakëve 1912). Lekë Berisha, Pjetër Alia (rënë dëshmor kundër nazifashizmit). Mark Ndoja ( shkrimtar dhe deputet),Kol Bib Miraka( Ministër i Punëve të Brendëshme), Kolë Mhill Kaci,(Deputeti dhe drejtuesi më popullor që ka njohur rrethi i Pukës). Mal Bajram Sokoli (mbështetës i lëvizjes anti zogiste dhe strehues i Bajram Currit ) etj etj. Së treti, njē turist i huaj do tē njihej me arsimin e kësaj treve.

Me shkollēn e parë shqipe , e para në rrethin e Pukës, e hapur në vitin 1903 nga imzot Lazër Mjeda. Nga dyert e kësaj shkolle kanë dalë dhjetra intelektualë, që sot jetojnë e punojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Për kontributin që dha kjo shkollë në arsimin dhe kulturën e brezave është vlerësuar dy herë me urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të lll-të dhe të II-të. Së katërti; Iballja ka resurse të mëdha kulturore. Një turist i huaj do tē njihte ritet,traditat dhe zakonet e këtij vendi. Kangën Maje Krahut apo Gjamën e Burrave, unike nē llojin e saj, vallja e vendit, ritet e dasmave, veshjet tradicionale, dëshmi e një ekzistence mijëravjeçare.

Do njihte monumente të natyrës si : Shejza e Bales, Blini i Kishës së Merturit, Shpellat e shumta të Merturit, shkëmbinjtë e Kotecit, Arkitektura e ndërtimit tē kullës së Marash Ukës në Kokdodë,Kalanë e Iballës, rrënojat e së cilës ndodhet aty ku sot eshte ndërtuar kisha e Shnanout, Kalanë e Bugjonit , ku mendohet se fshihen rrenojat e një qytetërimi të lashtë.

Toponimia e emrave të krojeve, kodrave, podeve, shpellave ,mrizave, qafave dëshmojnë perpjekjen e njerëzve të kësaj ane për të mbajtur gjallë emra dhe ngjarje përmes legjendave e gojëdhënave të transmetuar në breza. Kroni i Dil Ukes,Kroni i Milajve, Kroni i Ramës, Kroni i Gjergjit,Kroni i Livadheve, Kroni i Nuses,Kroni i Mrizit, Kroni i Kishës, Kroni i Lulëkuqes.etj etj. Kodra e Dil Ukës, Kodra e Fratit( një pyll me gështenja në mes të fushës, ku mendohet se dikur ka pasë një kishë, që fsheh një legjendë të mistershme), Kodra e Qurkut,etj etj, Livadhet e Buta, Livadhet e Arapit, Livadhet e Fratit, Livadhi i Qorromisë, Livadhet e Zotnive , Livadhet e Prozhmit,etj, Podi i Pjavrit, Podi i Kishës , Podi i Qorromisë, Podi i Dedë Gjeçit,podi i Qarrit, Podi i Kishës etj etj. Iballja dhe rrethinat e saj ofrojnë potencial për lloje të ndryshme sportesh si: not, peshkim, (trofta e Sapaçit), gjueti(në sezonin e lejuar),ski, gara me kuaj, gara me motorrë,alpinizëm, ekskursione në natyrë, sporte ekstreme, etj.

Dikur në këtë fshat organizoheshin kampionate në rang fshatrash, për shkak të hapsirave dhe potencialeve që zotëronte.Organizoheshin festivale dhe shfaqje artistike dhe teatrale nga më të arrirat të vlerësuara dhe me cmime kombëtare dhe ndërkombëtare.(Tom Nikolla, Mereme Xaja, Zoje dhe Frang Pali, Lin Gjini, Ndrecë Mustafa,Ton Zmali, Gjyste dhe Frane Islami, Mark Maluta e dhjetra e dhjetra artistē të kësaj ane).

Së pesti; resurset humane që mund të ofrojë Iballja janë pafund . Mikpritja e banorëve e kalon imagjinatën. Mjafton të përmendim të parët e familjes Boseta në Brebulla të Berishës. Një familje e njohur për pritje e bujari.

I zoti i shtëpisë kishte urdhëruar gratë që të gatuanin bukë, jo vetëm për familjen, por edhe për rrugtarët e shumtë, që për arsye të ndryshme duhej të kalonin Drinin. Tri herë në ditë gratë e shtëpisë shtronin sofrën në breg të Drinit, për rrugëtarët e uritur. Një rast i pashembullt ky që nuk e gjeni as në libra.Kjo sofër u shtrua jo për një ditë, as për një muaj, as për një vit, por për vite e vite me radhë,në një kohë kur malsorët e kishin të vështirë të siguronin bukën për familjen.

Së gjashti; Në Iballë natyra është treguar shumë bujare duke iu falur këtyre malsorëve pasuri mbitoksore dhe nëntoksore( minerale) Pyjet e dendura që u shfrytëzuan dhe u masakruan për dekada me radhë ruajnë ende thesare, mund të permend kërpudhën Reishi e cilësuar si “kërpudha e përjetësise” me vlera të jashtzakonshme farmaceutike. Boronica, vlerat e sëcilës nuk duan koment, dredhëza(kush ka kaluar në qershor në Qafën e Sharit s’ka sesi të mos shikojë livadhe të tëra me ngjyrë të kuqe,me një aromë dehëse, a thua se janë të mbjella nga dora e njeriut. Qindra ha tokë qē vaditen nga Liqeni artificjal i Iballes , nëse do kishin infrastrukturë vaditëse do të ishte një resurs i jashtēzakonshëm i zhvillimit të agro-turizmit. Arkitektura e ndërtimit të kullave të vjetra 2-katshe eshte një mundësi e mirë për kthimin e tyre në Bujtina mikpritëse.

Së shtati: në Iballë kanë bashkëjetuar si një vëllazëri fise të ndryshme të ardhura nga vende të ndryshme si: thaçjanët, berishasit, toplansit, gojansit,vilçorët etj. Por asnjëherë dhe askush nuk mund të mohojnë harmoninë fetare mes dy besimeve,muslimanë dhe të krishterë, si një pasuri e jashtzakonshme. Dy kishat dhe njē xhami që janë ndërtuar në Iballë frekuntohen rregullisht nga dy palët, sepse njerëzit e kësaj krahine të harruar nga shteti, e dinë që janë të gjithë krijesa të të njëjtit Zot.

Ne renditëm vetëm disa fakte. Nēse do ishim ndaluar më hollësisht në fakte të tjera, me siguri që do gjenim edhe 100 arsye se pse Iballja duhej të përfshihej në projektin”100 fshatrat”.

Të shqetësuar për një vendim të tillë, që ne e gjykojmë të gabuar,kërkojmë nga ana juaj të na bëhet transparente,ne dhe grupeve të tjera interesit, mënyrat dhe kriteret e përzgjedhjes së fshatrave turistike në Bashkinë Fushë-Arrëz.

Me respekt:
Shoqata Kulturore e Mësuesve të Pukës në Tiranë
Kryetare: Zamira Matoshi

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb