Eksluzivisht për Gazeta Shqiptare publikohet letra e plotë e Isuf Mullait, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së në fillimin e Dhjetorit të vitit 1982, pak ditë pas arrestimit të Kadri Hazbiut. Ish-agjentit i Zbulimit shqiptar, i cili për vite me radhë u kamuflua në Oborrin e Mbretit Zog, i njohur ndryshe si Manush Kelmendi, personazh kryesor i “Mërgata e qyqeve” të Nasho Jorgaqit, kësaj rradhe nga recepsioni i Hotel “Adriatiku”,-ut në plazhin e Durrësit, informon udhëheqjen e lartë për disa ngjarje dhe fakte nga puna me ish-eprorët e tij gjatë periudhës së shërbimit, si; Llambi Peçini, Hasan Luçi, Kadri Hazbiu, Perlat Çaushi, Lirim Pëllumbi, Bardhyl Çuçi, Kopi Niko, Hasan Gashi, Kasem Bleta, Apostol Çabeli, Naum Shilla, Lutfi Ishmi, Demir Zhupa, Ajaz Isufi etj. Ku mes të tjerash, ai akuzon Llambi Peçinin, se në vitin 1956 donte ta rekrutonte për llogari të agjentures çeke, ndërsa Kadri Hazbiun se nuk i kishte dhënë leje që të hidhte në erë sallën me 300 zogistë në Bruksel në vitin 1958 dhe se ai nuk kishte arrestuar shefen e CIA-s për Ballkanin, Mis Rulin, në Durrës, etj.
LETRA ME 1982
Direkt pas arrestimit t ish-Ministrit të Brëndshëm Kadri Hazbiu nga fund i Shtatorit të vitit 1982, Enver Hoxha do të nxiste një proçes të denigrimit total të figurës politike të Hazbiut, nëpërmjet një sërë mbledhjesh me karakter denoncues, denigrues në Komitetet e Partive në rrethe, në Degët e Punëve të Brendshme në mbarë Shqipërinë, si dhe në të gjitha Organizatat Bazë. Duke marrë shkas nga ky fakt, Isuf Mullaj (007 i famshëm shqiptar i njohur ndryshe dhe si Cufe Mullaj), do të shkruante një letër denocuese në drejtim të KQ të PPSH-së lidhur me të kaluarën e dyshimtë të Hazbiut, dhe vartësve të tij Feçor Shehut, dhe Llambi Peçinit. Në këtë letër-denoncuese, ai vinte në dijeni Sekretarin e Komitetit Qëndror të PPSHJ-së Simon Stefanin (i cili zëvëndësonte Hysni kapon), për propozimin që Peçini do t’i bënte Mullajt për tu lidhur me agjenturën çeke nëpërmjet ambasadës së saj në Belgjikë, gjë që refuzuar nga Mullaji. Gjithashtu me tone të forta dyshimi dhe mosbesimi, tregohen edhe relatat që Isuf Mullaji kishte me Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun pasi, i pari kishte refuzuar një propozim të Mullajit për eliminimin në Bruksel të emigracionit politik shqiptar, ndërsa i dyti shihej shpesh-herë nën shoqërinë e disa personave të dyshimtë për Sigurimin e Shtetit, te Hotel “Adriatik”-u në Durrës. Po kështu në këtë letër tregohen qartazi makinacionet e krerëve dhe operativëve të Degës së Brendshme të Durrësit, po në Hotel “Adriatik”, gjatë kohës kur Mullaji kishte shërbyer aty si recepsionist. Por “bomba” e Isuf Mullajit e lëshuar në drejtim të Hazbiut, dhe krerëve të lartë të MPB-së do të konsistonte në një takim sekret, që këta të fundit kishin zhvilluar në Tiranë me Mrs Roëlin (Henderson) asokohe shefe e CIA-s për Ballkanin me qëndër në Athinë, pa vënë në dijeni Enver Hoxhën. Këto fakte si dhe një mori akuzash do të binin mbi figurën e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, dhe Llambi Peçinit në momentin më kritik të jetës dhe karrierës së tyre. Por këto fakte do të ngjanin si “një pikë uji në oqean”, midis mijëra akuzave të bazuara ose të trilluara që do vërshonin në drejtim të tyre, nga të katër anët e Shqipërisë, gjë e cila do t’i çonte drejt vdekjes së sigurt të tre hierarkët e lartë të Sigurimit të Shtetit, të në një natë të freskët Shtatori të vitit 1983.
Letra për udhëheqjen, Cufe Mullaj: “Kadri Hazbiu dhe Rexhep Kolli takuan fshehurazi shefen e CIA-s”
Dt. 2.11.1982
Informacion Komitetit të Partisë të rrethit, Sekretarit të Parë, Durrës
Unë Cufe Mullaj, Anetar i PPSH-së nën dritën e materialeve të Partisë dhe letrave të Shokut Enver Hoxha, si dhe ngjarjet e fundit për shumë armiq të dalë në Ministrinë e Punëve të Brendëshme dhe të Mbrojtjes, meqënëse kam qenë për një kohë të gjatë efektiv i Ministrisë së Brendëshme dhe i dërguar jashtë shtetit me detyrën e zbuluesit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, kam edhe vërejtjet e mendimet e mia të cilat mund t’i vlejnë Partisë dhe hetuesisë për veprimet e disa armiqëve që tani janë në burg dhe në atë kohë unë i kam vlerësuar ashtu siç kishin postet që u kishte dhënë partia dhe me respektin që ish kultivuar për ta si njerëz shumë të besuar, edhe unë si njeri i Partisë nuk kam menduar ndonjëherë se ata mund të dilnin të këqinj dhe armiq të betuar.

Personat janë:
1.Llambi Peçini, me urdhër të Ministrisë së Brendëshme, me parrullat e rregullta ka marrë takim me mua në fund të 1957-ës ose fillimin e 1958-ës dhe të gjitha materialet e grumbulluara gjatë dy viteve e gjysëm si në Greqi ashtu dhe në Belgjikë. Ky më tha kur bëmë takimin që më mirë të lidhem me ndonjë ambasadë të vëndeve të Demokracive Popullore dhe më propozoi për ambasadën çeke. Unë nuk ja pranova këtë sugjerim duke i thënë se nuk kam besim në zotësinë e të tjerëve, duke i thënë se edhe këto ditë u zbulua në Bruksel një grup zbuluesish polakë prandaj një gjë të tillë nuk mund ta bëj: ai më tha mirë të shofim. Kur erdhi herën e dytë tha e lamë atë opsion, mirë the ti, nuk dihet se çfarë ndodh. Tani unë vë në dyshim, pse donte të më lidhte ky mua me çekët???

2.Nuk më kujtohet mirë viti ose në 1961 ose në 1962 kur unë isha në një gjëndje shumë të vështirë shpirtërore nga lufta që po më bëhej atje, vendosa t’i jepja fund jetës dhe të paktën t’i jepja një goditje shkatërruese emigracionit, i shkrova letër Kadri Hazbiut në tre faqe me dorëshkrim, duke i propozuar që në festën e 28 Nëndorit të atij viti, në festë ku do të asistonin rreth 300 reaksionarë, duke qenë Abaz Kupi brenda dhe kriminelë, eksponenta, ballista e zogista të rrezikshëm. Vetëm kërkova ndihmë për katër mina me sahat veprimet do t’i bëja të gjitha vetë.

Letra ime me kërkesë ka qenë nga Tetori i atij viti, ndërsa në nëndor më erdhi përgjigjja me ndërlidhësin, jo, bile duke më hequr një vërejtje verbale Ministri i atëhershëm Kadri Hazbiu, duke më thënë ndërlidhësi Hasan Luçi se prishen shumë punë të ndërlidhjes, se ti nuk shkon dot tek Julian Amery, ndërsa Abaz Kupi që ti e shfrytëzon, ai shkon, gjithashtu për etiketë tha; se i kishte thënë Kadri Hazbiu se një zbulues si ti nuk e sakrifikojmë as me 500, nga ata që ti po i vret dhe po i shkatërron përditë prandaj thuaj Cufes të heq gjë nga mëndja. Unë nuk kisha çfarë të bëja se nuk kisha mjete se isha i egërsuar sa që do të kisha bërë dhe pa urdhërin e tij, prandaj ata ma dinin kokën dhe ndërlidhësi tha erdha shumë shpejt se më dërgoi Ministri se mos bëje ndonjë gjëje pa urdhër. Unë i thashë nga këto përgjigjje edhe i kënaqur nuk jam, por çfarë të bëj, zbatoj urdhërin e Partisë. Pra tani në kohën e sotme unë vë në pikëpyetje se qëllimet s’paskan qenë ato që thoshte, por ai paska dashur të mbronte ata, pra unë mendoj tani se ai aty ka sabotuar. ???

3. Përsëri kur unë isha kthyer me urdhër në Shqipëri dhe në vitin 1967 apo në 1968 në verë të atij viti, unë zbulova në Turizmin e Durrësit, Mis Rowlin (Në romanin “mërgata e Qyqeve” të Nasho Jorgaqit, shkruhet: Mis Handerson. Shënimi ynë), që ishte shefja e Zbulimit Amerikan me qëndër në Athinë dhe drejtonte të gjithë emigracionin kundër Shqipërisë dhe Ballkanit. Dhe unë mendova se për Sigurimin tonë kjo do të qe fitorja më e madhe edhe për mua personalisht në punën e zbuluesit. Ministria e Punëve të Brendëshme, Kadri Hazbiu, Rexhep Kolli, Perlat Çaushi, që erdhën në Durrës, morën takim me të në Tiranë tre ditë dhe pastaj e liruan si të padëshirueshme.

Ka një pikëpyetje të madhe për punën që po bëhet tani. Perlat Çaushi mori deklaratën nga unë se si e diktova dhe u muarrën bashkë me Rexhep Kollin në Tiranë me atë dhe se çfarë bënë e dijnë ata vetë. Vetëm unë di që nga Kadri Hazbiu, Rexhep Kolli, dhe Kopi Niko që ish kryetar Dege në Durrës, dhe që flitej se ishte mik i ngushtë i Kadri Hazbiut, nuk më dhanë as dorën të më falenderonin. Unë që u habita shumë nga kjo ngjarje dhe thashë me vete se mos duan këta që të më bëjnë të pakënaqur ndaj Partisë dhe shokut Enver, thashë me vete unë këtë nuk do e bëj kurrë. Pra ngjarjet e tanishme tregojnë se si i kanë pasur qëllimet ata. Pra ata duhet të thonë tani se pse e liruan agjenten amerikane, shefen e zbulimit për Ballkanin dhe a e kanë vënë në dijeni Partinë dhe shokun Enver për këtë eveniment të rëndësishëm??
4. Shtoj se Kopi Niko dhe Lirim Pëllumbi mua më kanë shikuar me mospërfilljen më të madhe. Sigurisht armiku Lirim Pëllumbi doli se kush ishte, po Kopi?
Në çështjen ekonomike jam trajtuar gjithë kohën si një polic i thjeshtë me 650 lekë në muaj, por asnjëherëe nuk jam bërë i pakënaqur, duke pasur parasysh mësimet e Partisë ato na kanë ndihmuar shumë.
Rroga që unë kërkova të më rritet pak për efekt pensioni i shkrova letër Ministrit të Brendshëm, ata nuk e morrën parasysh, i shkrova letër shokut Adil dhe ai ndërhyri tek Ministri i Tregtisë dhe ma bënë 740 lekë. Këtë e vë në dukje jo se jam materialist por për të treguar konsideratat e atyre për zbuluesin jashtë shtetit që i kish vënë në dispozicion të Partisë jetën dhe fëmijët.

5. Lirim Pëllumbi para një viti e gjysëm ka tentuar të më heqë nga Turizmi se gjoja isha i plakur dhe nuk punoja dot më dhe donte, sipas nuhatjeve të binte një fare femre L.K.që është edhe përkthyese anglishte me shkollë të lartë te INTERKLUB. Për të cilën me sa kam nuhatur ka ndërhyrë tek ish-drejtori që u shkarkua, Ibrahim Braho dhe sekretari i Byrosë së Partisë Kasem Bleta dhe e prunë të bënte stazhin e Partisë në sportelin e Adriatikut si shitëse. Siç e mora vesh më vonë, duhet të ishte punëtore kati.
Vazhdojmë shënimet
Armiku Fecor Shehu vinte në verë shpesh. Sidomos të shtunat dhe të dielat luante letra me Lirim Pëllumbin, (sot armik) dhe Bardhyl Çuçin që ishi Kryetar dhe nënkryetar Dege të Punëve të Brendëshme dhe me oficerin Hasan Gashin, servil Nr 1 i tyre. Ata nganjëherë kanë ngrënë edhe drekë kundrejt pagesës së rregullt. Kamarierët i kanë shërbyer simpas rregullave. Nuk di që të kete fjetur nëpër dhoma, por di që i kanë lënë rrobat në dhoma bosh dy ose tre orë provizorisht dhe ka dalë me rroba banje në diell në pistë dhe atje kanë luajtur të katërt me letra.

Rrobat i kanë lenë në ato dhoma jo të përherëshme për raste punë të shërbimit të degës së Brendëshme (për përgjime, dëgjime dhe furnizime të të huajve) pa i prishur punë Hotelit me xhiron e tregëtimit të dhomave, I jepej çelësi për punë. Neve nuk u vinim rëndësi këtyre gjërave, për arsye se mendonim ashtu siç thuhej se arma e Sigurimit të Shtetit ishte besnike e Partisë dhe siç dihet populli dhe komunistët e kanë detyrë ta ndihmojnë. Edhe unë si një nga njerëzit e zanatit megjithë se ata rrinin larg, mendoja se ardhja e këtyre shpesh do të kishte veprime armiqësore nga turistët. Këto që them janë të sigurta. Flasin njerëz poshtë e lartë dhe ne i dëgjojmë se kanë pasur dhoma në hotel e të tjera. Këto ata i konfirmojnë me ato shërbime që citova më lart dhe që janë sekret, po që Sekretari i Parë le t’i dijë.

Këto gjëra janë bërë e bëhen me dijeni të operativit të degës së Brendëshme që mbulon Turizmin, bile personeli shërbyes nuk duhet ta dinte dhe as të dijë për veprimet që bën dega e Brendëshme në Hotel. Ato vazhdojnë të bëhen edhe tani siç bëheshin më parë. Operativët për Turizmin kanë qenë oficerët Apostol Çabeli, Naum Shilla, Lutfi Ishmi, Demir Zhupa, Ajaz Isufi, që ishte dhe nën-drejtor Turizmi dy vitet e fundit. I shkrova sa më sipër se personeli i Turizmit është për natyrën e punës të punojë me Sigurimin e Shtetit, se mendonim se ata ja çojnë Partisë.

Porosia e Hekuran Isait pas letrës së Isuf Mullajt

Shoku Gafur
Çështjet që ngrihen në letër të hetohen me kujdes dhe nëse ato vërtetohen të merren masa partie dhe në rrugë shtetërore. Të shikohen problemet dhe jo personi që ka bërë letrën. Ai mund të ketë të meta, por çështja të vërë në fund duke e sqaruar dhe besuar në informcionin.
Hekuran. 6.11.82
Letra e shokut Cufe me porosi të shokut Simon Stefani , meqënëse ngre disa probleme të cilat mund të kenë interes për punën e Sigurimit, ju dërgua shokut Hekuran Isai.
Sako Rama. 25. X. 1982
Letra e Cufe Mullajt për Komitetin Qëndror e shkruar në Kartelën në adresë të Simon Stefanit nga nënpunësi Sako Rama
Çështja qëndron: Për disa veprime të dyshimta të Kadri Hazbiut, Rexhep Kollit, Perlat Çaushit etj.
1).Kur Cufja ka qenë me detyrën e zbuluesit jashtë shtetit në dy rastë është takuar me atë në Belgjikë, Llambi Peçini, i cili ka dashur ta lidhë me ambasadën çeke, por ky ka refuzuar, të shifet pse e ka bërë?
2).Duke qenë në këtë detyrë ky kishte vendosur që në një festë të 28 Nëndorit që do të bënte reaksioni shqiptar që jeton në Belgjikë dhe kudo të mblidheshin rreth 300 vetë, nga zogistët dhe reaksionarët me të rrezikshëm, të hidhte sallën në erë e të zhdukte shumicën dhe veten. Për këtë i bën letër ish-ministrit Kadri Hazbiu, të cilit i kërkoi vetëm 4 mina me sahat, por ai ja refuzoi këtë plan duke i tërhequr vërejtje verbale nëpërmjet ndërlidhësit dhe se gjoja këtë zbulues nuk mund ta sakrifikonte as me 500 reaksionarë. Dyshon se mos edhe këtë urdhër e ka dhënë për të sabotuar aksionin dhe për të mbrojtur këta reaksionarë e zogista.
3).Në vitin 1967-1968 meqënëse punonte në Turizëm, pa dhe njohu se midis turistëve anglezë ishte edhe Mis Roëlin që ishte shefja e zbulimit amerikan në Athinë që drejtonte tërë emigracionin kundër Ballkanit dhe Shqipërisë. Ky ishte një sukses për zbuluesin tonë prandaj ai njoftoi Kadri Hazbiun, Rexhep Kollin dhe Perlat Çaushin, të cilët vajtën menjëherë në Durrës, vërtetuan se zbulimi ishte i vërtetë dhe morën agjenten në Tiranë dhe pasi e mbajtën tre ditë, e larguan nga vëndi ynë si të padëshirueshme. Mirë është të thonë tani se pse e liruan këtë agjente dhe a e kanë vënë në dijeni Partinë dhe shokun Enver për këtë ngjarje të rëndësishme. Meqenëse ky ishte i drejtë dhe zbatonte vijën e Partisë, nuk e kanë dashur dhe kanë tentuar ta heqin nga ai vënd Lirim Pëllumbi dhe Kopi Niko (miq të ngushtë të Kadri Hazbiut), sepse donin të sillnin aty L.K. përkthyese e anglishtes në Interklub ku Lirimi ishte klient i rregullt.
Thotë se edhe sekretari i Byrosë së Partisë së Turizmit Kasem Bleta ishte mik i Lirimit dhe udhëzimet nuk i merrte në Komitetin e Partisë, por në Degën e Punëve të Brendëshme, sidomos për kuadrin.
Lirim Pëllumbi shkonte shpesh në Turizëm në Adriatik, me Fecor Shehun, Bardhyl Çucin.
Mbas Kongresit të 8 të Partisë kanë shkuar tre herë, në një rast prej orës 18 deri 21 Fecor Shehu me Viktor Nushin të cilët kanë ngrënë bukë, kanë luajtur me letra, dhe kanë ikur, pra ata kanë qenë shumë dashamirës për njëri tjetrin. Kjo ka rënë në sy të shërbimit.
Gjithashtu mendon se nuk është e drejtë që si drejtor Turizmi të jetë një çifut. Kjo duhet parë se është vënd delikat.
Shënim: Për këto probleme i ka shkruar Hekuran Isait, por e pa të arsyeshme të vihet në dijeni Partia dhe meqënëse në Komitetin e Partisë në Durrës sikur nuk e pritën mirë, erdhi këtu që të vërë në dijeni Komitetin Qëndror të PPSH-së.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: