Bomberi polak i skuadrës së Bajer nit, Robert Levandovski, falë golit të shënuar ndaj Këlnit dy ditë më parë, është shndërruar në një prej golashënuesve më të mirë në Europë. Levandovski ka shënuar golin e vetëm, i cili i siguroi fitoren bavarezëve në përballjen me Këlnin duke tejkaluar, madje edhe dy prej yjeve të sulmit në Europë, Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin. Sulmuesi polak ka arritur të luajë në 53 ndeshje gjatë këtij sezoni me kombëtaren dhe skuadrën bavareze duke shënuar një gol për çdo ndeshje. Ndryshe nga Mesi, i cili, në 62 ndeshje ka shënuar vetëm 53 gola, ndërsa Kristiano Ronaldo në 58 ndeshje, 52 gola. Në këtë mënyrë, Robert Levandovski ka vërtetuar se është një nga sulmuesit më efektivë në Europë duke u renditur i dyti pas Herri Kejnit me 50 gola në 49 ndeshje.

Përpos një prej më të mirëve në Europë, Levandovski është bërë pjesë e historisë së klubit të Bajernit, kjo pasi goli i tij në përballjen me Këlnin ka shënuar edhe golin e 166-të të tij në 243 ndeshje në Bundesligë, duke e shndërruar në lojtarin e dhjetë më të mirë në historinë e Bundesligës, ku i pari është ish-bavarezi Gerd Myler. Nëse ai do të shënonte edhe 15 gola të tjerë, polaku do barazonte vendin e gjashtë në historinë e Bundesligës, legjendën Ulf Kirsten me 181 gola.

Megjithatë, në bazë të këtyre statistikave, ai ka potencialin për të arritur edhe emrat më në zë të sulmit gjerman si Manfred Burgsmyler me 213 gola, Jup Hejnkes me 220 gola dhe ndoshta edhe Klaus Fisher me 268 gola e Gerd Myler, i cili kryeson me 365 gola. Edhe pse është pozicionuar në listën e më të mirëve të Bundesligës, Robert Levandovski kërkon ende maksimumin përpara festave të fundvitit. Sidomos në prag të përballjes çerekfinale për Kupën e Gjermanisë më datën 20 dhjetor ndaj verdhezinjve të Dortmundit.

Sa i përket kësaj çështjeje, Levandovski ka thënë se: “Mendoj më shumë për sfidën me Dortmundin sesa për Krishtlindjet. Të gjithë e kemi të qartë se kemi humbur dy herë në Kupën e Gjermanisë përballë Dortmundit në tri vitet e fundit dhe për ne kjo është si një finale, ndaj duhet të përqendrohemi sa më shumë dhe të japim gjithçka kemi për të fituar kësaj radhe”. Për rekordin e Levandovskit ka folur edhe trajneri i Bajernit, Jup Hejnkes, i cili tha: “Levandovski do të ishte i njëjtë me Klaus Fisher ose mua në periudhën kur unë luaja”./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb