MAQEDONI– Sot, kur duhet të mbahet mbledhja koordinuese për seancën plenare në të cilën mund të propozohet edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, mediat vendase referuar burimeve nga Lëvizja BESA thonë se kjo parti ka një kandidat serioz për postin e Kryetarit të Kuvendit.

Ata shtojnë se BESA është partia me merita më të mëdha për ta marrë drejtimin e Kuvendit, sepse është partia e vetme mbi të cilën nuk rëndon asnjë dyshim për krim dhe korrupsion, pra që nuk ka eksponentë të dyshuar ose që janë nën hetime. Sipas tyre, Lëvizja BESA është edhe partia e vetme që nuk ishte pjesë e krijimit të krizës, dhe tashmë është pjesë konstruktive e zgjidhjes së saj.

Përveç kësaj, “propozimi që një kandidat i BESËS të jetë drejtues i Kuvendit do të ishte edhe një mesazh se në Maqedoni ka ndryshuar tashmë skena dhe se shqiptarët mund të përfaqësohen me kuadro të reja cilësore e pa asnjë bagazh që mund ta dëmtojë imazhin e një politikani”.

Jo zyrtarisht mësohet se kandidat i Lëvizjes BESA do të jetë deputeti Afrim Gashi.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: