TIRANE- Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, është shprehur kundër idesë së krijimit të fraksioneve brenda partisë. Ai thotë se lëvizje të tilla janë të dëmshme, ndërsa shton se janë të mirëpritura platformat që synojnë ringritjen e partisë, apo idetë për ta sjellë atë në pushtet.

Në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News24”, deputeti demokrat ndalet tek zhvillimet në mbledhjen më të fundit të Kryesisë së PD, ku pati edhe debate të forta. Ai thotë se aty u shfaqen ide ndryshe, por jo fraksione.

Nga tjetër, ish-deputeti i PD-së, Astrit Patozi ishte i pari që hodhi idenë e krijimit të fraksioneve brenda Partisë Demokratike, ndërkohë ai gjeti mbështetjen edhe të grupit që kërkon largimin e Bashës nga drejtimi i PD.

“Flitet për fraksione të cilat synojnë marrjen e partisë, jo dhënien e ideve. Ka rryma në çdo parti që funksionon në këtë mënyrë, ka fraksione apo rryma, se mund t’i quajmë si të duam, por ndahen në aspektin e tyre ideologjik. Ka edhe në parti në amerikane dhe ato europiane, ke njerëz me bindje më liberale apo konservatore. Dhe këto ndahen pastaj në çështje parimore. Janë të gjithash ide të pranueshme, pasi dikush mund të ketë ide për mënyrë sesi të vihet në pushtet, apo për qeverisje. Unë për shembull por nisem nga vetja ime, që kam ide psh si mund të vihet në pushtet me Edi Ramën. E kam thënë dhe e them se me Ramën nuk mund të përballesh në një formë normale, demokratike, sepse e kemi parë ç’po ndodh. Nëse ngrihen fraksione me qëllimin që të marrin partinë apo lëvizje kundër kryetarit të partisë …”, tha Paloka.

Siç është lëvizja që pretendon Astrit Patozi?

“Unë s’kam parë as lëvizje, asgjë për momentin, di që ka disa kundërshtarë të Bashës që kanë dalë hapur dhe publikisht. Kjo është e vërtetë dhe unë këtë e quaj të dëmshme”, u shpreh ai.
Teksa shprehet kundër këtyre fraksioneve të cilat i cilëson të dëmshme, Paloka thotë se në mbledhjen e Kryesisë, Basha u shtriu dorën e bashkëpunimit kritikëve duke i ftuar të japin ide në funksion të qëllimit të përbashkët të PD, fuqizimit të partisë, dhe luftën ndaj fenomeneve që dëmtojnë vendin, si dhe për t’u bërë kundër kundërshtarit të vetëm që sipas tij është aleanca e krimit e Edi Ramës.
Kujtojmë se pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë, Lulzim Basha bëri të qartë se për sa kohë do të jetë ai në krye të PD nuk do ketë fraksione, teksa i shtriu dorën e bashkëpunimit kritikëve për t’u bërë kundër kundërshtarit të vetëm që sipas tij është aleanca e krimit e Edi Ramës.

Paloka thotë se për sa kohë kreu i partisë u shtriu dorën për të dhënë ide, gjithkush është i mirëpritur për të mirën e partisë.

“Mendoj se edhe Patozi edhe Topalli kanë jo vetëm përvojën e gjatë në strukturat e PD, por kanë edhe pjekurinë e duhur për të kuptuar se nuk funksionon kështu partia. Nëse kërkojmë funksionimin e statutit, e dimë që nuk funksionon kështu. Për mua kjo nuk është një deklaratë me logjikë. Unë nuk po them që këto figura duan ta shkatërrojnë PD. Nuk kam dëgjuar të thotë dikush që kanë krijuar fraksione. Kur të shtrihet dora të komunikosh me ide, apo të bindësh anëtarësinë që ke një platformë për të ardhur në pushtet, futesh në konkurrim dhe fiton nëse ke shumicën, por nëse përpiqesh vetëm të dëmtosh, nuk funksionon. Dhe ne rastet i kemi, gjatë fushatës së 2017, unë e kam thënë edhe në vend tjetër, për fat të keq, për pakënaqësi të momentit, patëm anëtarë kryesie që deklaruan dhe i kërkuan demokratëve të mos votojnë. Dolën në konferencë shtypi dhe i kërkuan demokratëve të mos votojnë. Pati nga ata që për karshillëk shkuan dhe bënin selfie nga Parisi, dhe i postonin në FB. Pati të tjerë që nuk shkuan të votojnë”, tha Paloka.

I pyetur nëse ka parë apo jo një lëvizje brenda PD dhe sa të realizueshme e sheh diçka të tillë, deputeti demokrat u përgjigj:
“Këtë nuk e di, kjo është çështje e atyre që mendojnë të krijojnë lëvizje. Por mua më duket absurde të thuash do krijoj një lëvizje. Ata që janë kundër janë bërë publikë. Numri i atyre që kundërshtojnë, por edhe këta nuk janë të gjithë që janë të pakënaqur me Bashën, por ka edhe nga ata që janë në një rrymë psh. Unë kam pakënaqësi për mënyrën sesi shkuan gjërat, dhe kaluam në dëshpërim momentin që humbëm zgjedhjet. Dhe këta janë shumë në PD, janë anëtarë të PD-së, dhe funksionarë. Por kanë një synim, përmirësimin dhe ringritjen e PD. Ka të tjerë, që pastaj luftën kundër Bashës e kanë qëllim në vetvete, dhe kjo nuk është fare e shëndetshme dhe pozitive”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb