NGA: Rovena Hoxha
Dje doli raporti i Freedom House World 2018, ku theksohet se janë kufizuar të drejtat e individit, veçanërisht të pakicave, duke radhitur që nga e drejta e fjalës dhe deri tek ajo e votës. Dhe ndërsa Shqipëria qenka vend “pjesërisht i lirë”!? Ne, vendi hibrid i Ballkanit që zvarritemi nëpër aeroportet e botës për të drejtën e vetme, që e mban në jetë njeriun- të kemi një punë. Kurse, në anën tjetër të globit, vjen pas përhapjes së akuzave për ngacmim seksual të aktoreve nga producenti Harvey Weinstein, lëvizja “Me too!” i yjeve të Hollywoodit që përshkruhet si “thirrje për ndryshim tek gratë në biznes dhe tek çdo vend tjetër pune.

Yjet më të njohura që e përkrahin këtë iniciativë janë Natalie Portman, Reese Witherspoon, Cate Blanchett, Eva Longoria dhe Emma Stone. Deklarata e fundit e aktores me origjinë shqiptare Eliza Dushku, se ka qenë e ngacmuar seksualisht në moshën 12-vjeçare nga ish-koordinatori i dublantëve, Joel Kramer në setin e xhirimit, ka shkaktuar mjaft reagime në Hollywood. Shoqëria atje evoluon dhe kërkon që legjislacioni të ushtrojë pushtetin e vet në zgjidhje të fenomenit me mjetin më modest, atë fjalës.

Po vetë Tirana ç’thotë për këtë fenomen global, vallë a është përfshirë, a është shqetësuar, a ka reaguar në një farë mënyre !? A ka raste ku abuzohet një femër nee punë qoftee ajo edhe bashkëshorte, motër apo dhe shoqe? Në Shqipëri ky fenomen rëndom nuk quhet perversitet i turpshëm, por është një gjë që ndodh, një shkëmbim interesash, një mënyrë ose mjet për të siguruar të ardhmen, ose të paktën të tashmen. Pra, e thënë më shqip: funksionon si formula- më jep, që të jap ç’të duash; fiton një punë, një shtëpi, një kredi me interes 0%, pushime luksi dimër e verë, veshje moderne, komoditet e rehati personale, dhe madje, së fundi edhe respektin e të tjerëve. Shoqëri e zhytur në “mëkate interesash” për të mbijetuar në xhunglën e vet…., shoqëri që shpirtërisht po degjeneron çdo ditë e më shumë. Pse? Jo vetëm e pa ushqyer, por edhe e paarsimuar, e pamotivuar, vërtet hibride e pa integritet, pa të ardhme e perspektivë ndriçuese. Ëndrrat janë thjesht qëllimet e tyre, ku ndërthurja e të tilla marrëdhënieve të rëndomta e banale janë mjeti.

Si reagoi shoqëria shqiptare për të mbështetur dhe ndërgjegjësuar lidhur me këtë projekt për të ndihmuar luftën ndaj ngacmimeve seksuale në industrinë e filmit dhe vendet e tjera të punës. Po, pati një emision në një tv, ku “kryegratë” e shoqatave, të cilat shpërdorojnë plot qejf fondet në ndihmë të gruas (në nevojee), pra dhe të abuzuara, thjesht këshillojnë nga ekrani i një televizioni si lektore të përsosura duke u vetafirmuar kësisoj, me ndodhi nga realiteti i dhimbshëm shqiptar, ku ato mund dhe duhet te japin konkretisht zgjidhje.

Kë frymëzuan ato, kë nxitën të dëshmojë “çfarë” e kundër “kujt”?? Askënd! Dolën në një bisedë televizive, e më pas shkuan përsëri për të shijuar jetën e tyre të sigurt, pa as më të voglën ndjenjë faji për dëmin që i kanë sjellë species së vet, femrës. Kurse, orteku i akuzave në Hollivud nuk ka ende të ndalur që prej shpërthimit të skandalit të Harvey Wenstein. Sepse makineria e fshehtë e ngacmimeve në Hollivud nuk përfshiu vetëm femrat më të bukura. Anna Hunt p.sh një shkrimtare australiane (obeze) denoncon reporterin e vet duke u shprehur se kjo nuk ndodhi, ngaqë ajo ishte e bukur, por, sepse ai s’përmbajti instinktet e veta, sepse ai nuk kishte moral.

Qindra njerëz kanë marshuar në Hollivud përgjatë “Walk of Fame” në mbështetje të viktimave të sulmeve seksuale dhe ngacmimeve, të frymëzuara nga kjo lëvizje… Dhe, pati madje dhe meshkuj që reaguan në mbështetje të tyre, me qëllim e vetëm që ky fenomen të marri fund, e shoqëria të evoluojë.
Sepse shoqëria njerëzore përgjatë historisë ka pasur prirjen që të shtypë të dobëtit, të frustrojë të margjinalizuarit dhe të shfrytëzojë qeniet e brishta, siç janë dhe gratë duke u mohuar dinjitetin e merituar. Por, aq më tepër gruaja shqiptare është e ekspozuar akoma për të gjetur me dinjitet vendin e saj në këtë shoqëri të ç’orientuar nga tranzicioni i pafund. Modeli i mbijetesës u shfaq, organizimi shoqëror e ligjor mungon, shoqëria shqiptare vegjeton duke përmbushur interesat utilitare meskine të përditshme, dhe natyrisht duke pritur nga qielli të ndodhë “ëndrra e madhe evropiane”, -integrimi në BE, sa larg dhe afër për këtë vend aq shumë të dëshiruar.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/01/19/levizja-edhe-une-sa-reagon-shoqeria-shqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: