LEZHË – Ish-kandidati për deputet i PS-së në qarkun e Lezhës, Eduart Ndocaj, i cili besonte tek “Rilindja”, sot ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj kësaj partie, duke i kujtuar dhe kontributin finaciar që ka dhënë për të e që sipas Ndocajt, arrin në vlerën e 60 milionë lekëve.

Por, dega e PS-së në Lezhë ka reaguar duke lëshuar një deklaratë në të cilën thuhet:”Ne nuk e dimë saktësisht se me cilën parti është aktualisht zoti Ndocaj, por deklarojmë me përgjegjësi të plotë se ai asnjëherë nuk ka qënë anëtar i Partisë Socialiste.”

“Kontribuova nga ekonomia ime me shpresën se do të vinin ditë më të mira për shqiptarët në përgjithësi dhe për popullin e Lezhës në veçanti, por nuk ndodhi kështu; në këmbim mora pabesinë e Partisë Socialiste, ashtu si shumë shqiptarë, – tha Ndocaj.- Arsyeja që ë bëj publike sot është se ato lekë nuk ishin gjetur në rrugë, ishin lekë djerse dhe pune të ndershme dhe kontributi im nuk di pse duhet të humbë. Nuk janë shpenzuar për gjë tjetër, po për fushatën elektorale të 23 Qershorit me bindje se ne do të sillnim dhe diçka të mirë për popullin.”

Ai u shpreh se ndjehet i tradhtuar nga partia për të cilën financoi, ndaj deklaroi edhe largimin nga kjo forcë politike.

DEKLARATA E PARTISE SOCIALISTE TE LEZHES

“Jemi njohur këto dite, nëpërmjet mediave, me deklaratat e njërit prej kandidatëve të listes plotësuese të PS Lezhë në zgjedhjet e 23 qershor 2013.

Ne nuk e dimë saktësisht se me cilen parti është aktualisht zoti Ndocaj, por deklarojmë me përgjegjësi të plote, se ai asnjëherë nuk ka qene anëtare i partisë socialiste. Pavaresisht kesaj, ne i jemi mirënjohes kontributit të tij dhe shumë mbeshtesve tane.

Por Partia Socialiste Lezhe i bën me dije Eduart Ndocajt, se ajo që ne na bashkon në familjen tonë të madhe socialiste, është ideali dhe programi i saj dhe jo faturat…Për sa i përket çështjeve të faturave mund të futemi në sistemin bankar brënda dhe jashtë vendit, që te shikojme detaje per kedo pretendues.

Ai duhet te jete i nderuar qe i eshte dhene mundesia historike te jete pjese e listes se kandikandidateve per deputet te partise socialiste. Partia Socialiste as nuk ka dijeni dhe as nuk ka kerkuar ndonjehere nje suport te tille financiare, suporti inegzistent i pretenduar nga kandidati Ndocaj eshte teresisht perralle ne prag fushate.”

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: