Nga Natasha Lako
Quajeni anija e madhe që po nisej në letrat shqipe, “Barkën e dashurisë”, librin e parë të pejan Ramiz Kelmendit. Më kujton nisjet e tjera të mëdha të të gjithë njerëzimit, qoftë edhe udhëtimin e Mellville dy shekuj të shkuar me romanin e tij të famshëm “Mobil Dik”, që flet për gjuetinë e balenave tri vite me radhë. Një shkrimtar dhe gazetar 87- vjeçar, që formësoi edhe gazetarë të sotëm e që sapo është ndarë prej lexuesit të vet, e ka nisur udhëtimin shumë dekada të shkuara, ndoshta që si një djalë 15- vjeçar, që u ndodh në një gjyq të hapur në një sallë kulture, të një republike federative që u shemb me të gjitha që kishte përjetuar. Shokët e tij të tjerë u ekzekutuan, por mbeti një dëshmitar i vyer i kohërave, që na flet edhe sot me librin e tij për Marie Shllakun dhe shokët e saj, një libër që u mbetet brezave.

Ramiz Kelmendi mbetet njeriu i rrugëtimeve qytetare, dëshmitar i kohërave të sfilitura, që i mishëroi në veprën e vet. Derdhi kaq dert në veprën e tij, sa ju desh të shfaqej gjithnjë i lirë dhe i gëzuar si të dinte ta mbushte gjithnjë jetën nga e para. Të paktën kështu e kam njohur deri sa të tërhiqej dalëngadalë. Është një nga shkrimtarët e parë që u shfaq në logun e burrave. Me dashurinë e madhe për njeriun dhe kulturën shqiptare. Njeri i një epoke të madhe kosovare, Ramiz Kelmendi që në vitin 1955 mbetet një nga botuesit e parë të Rilindjes, që të kujton njëkohësisht gazetën dhe shtëpinë botuese të Kosovës, ku u bashkuan dhe punuan disa pena të rëndësishme të letërsisë shqiptare, të cilët nga rëndësia dhe asosacionet e lirisë kulturore të kujtojnë një qendër tjetër në Tiranë, atë të një grupi përkthyesish-shkrimtarë të shtëpisë të vetme botuese, të gjithë dëshmitarë të viteve ’40 të kohës së Koliqit, me të cilin u formua Ramiz Kelmendi.

Migjeni, të cilit Ramiz Kelmendi i merr emrin për djalin e vet, kishte ikur në vitin 1938. E ndërsa e gjithë beteja e “Rilindjes” në Prishtinë ishte së pari të luftohej për krijimin e librit shqip, dhe lirinë e brendshme të tij, në shtëpinë tjetër të librit, të quajtur “Naim Frashëri”, një dorë përkthyesisht, ndoshta bashkudhëtare me Ramiz Kelmendin punonte të thithej letërsia e madhe botërore në vendin e izolimit të plotë. Ndoshta në këtë mënyrë kishte ardhur fati të krijohej “flota” e librit shqiptar. Dhe është interesant të vihet re se në shtëpinë botuese “Rilindja”, ndonjëherë edhe të anatemuar, ose Akademinë e saj u mbrujtën shumica e shkrimtarëve të Kosovës, të cilët u përpoqën t’u afrohen epiqendrave kulturore, por që u duhej të bënin sakrifica dimri dhe vere, për t’u mbajtur ndezur shkronjat shqipe, në përpjekje të vazhdueshme për t’u lidhur me shkrimtarët e Tiranës, shumica e të cilëve mbeteshin madje jashtë punës redaktoriale të godinës zyrtare.

Ramis Kelmendi, njohës i mirë i letërsisë botërore, qoftë shqiptare, i lindur në Pejë në vitin 1930, pasues i Esat Mekulit dhe Petro Markos, i sprovuar dhe i provuar në rrugën e gazetarisë, bashkudhëtar i këngëve të Nexhmije Pagarushës, Migjenit të grupit ‘Minator’ apo Era Estrefit është një nga krijuesit që shembi ndër të parët muret e ndarjeve. Krijon harkun e madh të brezit të enciklopedistëve të jetës shqiptare në Kosovë dhe të letrave shqipe të shekullit XX, duke kuptuar deri edhe shpirtin e millienarëve të sotëm. Dhe për të gjithë këta breza, si mësime të mëdha nuk pushoi së foluri për Makin e Jeronim De Radës dhe Shën Dhimitër Koronën, aq sa mendoj se edhe në sajë të kujtimeve të tij, kjo vatër ndoshta që në vitet ’60 u bë shenjë pelegrinazhi e shkrimtarëve nga Kosova, kur brenda Shqipërie ishte e pamundur të trokisje, pale të depërtoje. Epiqendra e dritës së arsimit për të u bë së pari “Normalja” e Elbasanit, me drejtor të parë Luigj Gurakuqin, që shpërndau mësues në të gjithë trojet shqiptare. Ramiz Kelmendi jetoi me një orientim të vazhdueshëm drejt lirisë njerëzore.

Aq të pafund ishin burimet e tij të dijes shqiptare dhe të gjuhës shqipe, si dhe të kulturës botërore sa gjithnjë njerëzit mund të befasoheshin nga zgjerimi i mëtejshëm i çdo kufiri mendor, pasi për Ramiz Kelmendin kufijtë gjeografikë zor që të kishin ekzistuar. Është krahina e Rrugovës, nga Ramiz Kelmendi kishte prejardhjen, që e kthen edhe gjithçka të jetës së tij në legjendë deri sa sot, pas largimit të tij nga jeta të arrijmë të themi se si trashëgonte si shkrepa të thepisur dhe në formë qëndrese, humorin e thellë dhe të brendshëm që karakterizon njerëzit që dinë të duan, por në një formë të mprehtë. E lëmë mënjanë punën e tij të palodhshme në krye të teatrit të Prishtinës, për të përmendur vetëm hapat historike kulturore të ndërsjellta, kur teatri i Prishtinës dha shfaqjet e para në Tiranë dhe Shkodër, ku buçiti kantilena e bukur skenike e “Ervehese”, kur Ramiz Kelmendi shëtiti nëpër rrugët e Tiranë, të cilës nuk iu nda më, me zellin e një djaloshari.

Me po atë zell djaloshar dhe pa kurrfarë kompleksi, si mbeten gjithë shkrimtarët e vërtetë, ai foli për aventurat rinore, që kurrë nuk i shtyp dot asnjë represion, sado i egër, as sistemi i tmerrshëm i diferencimit. Dhe mbeti gjithë jetën i qetë, i sigurt për përtëritjen e brezave dhe të përbetimeve. Në rast se sot Kosova ka intelektualët e saj të sprovuar, merita e Ramiz Kelmendit është se i përket një brezi që i ka lindur të gjithë me një modesti sublime. Pavarësisht nga rëndimi i moshës, pavarësisht nga një a dy tri vitet e fundit, nuk kam parë njeri me gjallëri dhe kujtesë kaq të freskët dhe gjithnjë me penë në duar, gjithnjë duke e pasuruar jetën e tij dhe të të tjerëve me plot detaje, që nga koha e Luftës së Dyte Botërore dhe deri sot. E kam dëgjuar të flasë plot gjallëri për luftëtarët e lirisë kosovare, me ca lidhje të çuditshme njerëzore më ka treguar plot pathos vëllazëror për vëllezërit Flloko, dy gjirokastritë që punuan për një kohë në Pejë, njëri mjek dhe tjetri profesor në gjimnazin e Pejës. Ky ishte një diapazon gati i rrallë i një shkrimtari qytetar, që vuri në punë fantazinë e njeriut. Mbeti themeltar i lidhjeve dhe miqësive të vazhdueshme, me shkrimtarë të rinj dhe të vjetër, aktorë dhe regjisorë, studentë dhe të pashkolluar.

Lëvroi në arën e begate të letrave shqipe, fitoi çmime të sotme letrare, eci i respektuar në korridoret e pushtetit plot lëngata të sotme. Dhe njëkohësisht u kujdes gjithmonë për atë shallin e tij të lehtë alla Rugova, apo për beretën e tij, që dukej sikur i mbulonte çdo dhimbje. Ramiz Kelmendi mbeti njeriu që i ka lënë popullit të tij shumë amanete, ai që u përpoq të ndërtojë gjithmonë relacione, që gjeti rrugën e tij personale dhe që diti ta përjetojë Kosovën edhe si triumf. Kur qëndroje pranë tij e kuptoje edhe mërinë e malësorit, edhe shakanë europiane, edhe arsyen perse qytetare të viteve ’40, iu afruan aleancave komplekse dhe aq të ndryshme, duke u lidhur gjithsesi, qoftë edhe tragjikisht me frytet e Perëndimit. Sigurisht për një shkrimtar që sapo është ndarë prej nesh, duke mbartur, që mbi supe, që kur u bë i ndërgjegjshëm pothuajse gjithë historinë e sotme të Kosovës, mund të citosh plot liri çdo shkrimtar të kësaj bote kaq komplekse. Sigurisht është radha e kritikëve të flasin më gjatë për krijimtarinë e mirëfilltë.

Bukuria më e madhe e tij mbetet se ka pasur shumë e shumë miq e shokë, pa të cilët duket sikur nuk do t’i kishte shkruar dot as librat. Vetë Ramiz Kelmendi, ky dashamirës i vërtetë, aq më tepër i botës së letrave, mund të kishte zgjedhur vetë shumë citime, që nga letërsia italiane deri te serbokroate, për të mos folur për kolegët e tij shqiptare. Po unë po zgjedh një pasazh të Mellville, sepse në betejën e tij të balenave shfaqet trimëria e madhe. E ngjashme me trimërinë e shkrimtarëve dhe gazetarëve të vërtetë. Janë fjalë që i takojnë ndoshta së pari një detari, sado që Ramiz Kelmendi, siç e dëshmon edhe mbiemri i tij, i takon një malësor të kulluar. “Njeriu në ideal është kaq fisnik dhe xixëllues, një krijesë kaq madhështore dhe e ndritur”, nuk po shkoj më tej. Një shkrimtar si Melville, që nuk i ka parë as luftërat botërore, as gjenocitet, e ka fjalën për njeriun e shumëllojshëm të kësaj bote. Aq më tepër i marrim hua në këto ditë të lamtumirës për një njeri që u bë shkrimtar dhe për një shkrimtar që kërkoi të bëhej skalitës i fateve të një populli e që mbeti po ai qytetari i mirëfilltë, Ramiz Kelmendi. Kosova, toka që e lindi, aq më tepër ka për të mësuar nga bota e shkronjave dhe e optimizmit të tij.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: