Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Libri i ri, Dritëroi: Kur s’ka aforizma, kemi citatet e politikanëve

agolli-foot

Nga Alma MILE
“Nulla dies sine linea”. “Asnjë ditë pa një varg”. Kjo ishte motoja e Dritëro Agollit, i cili deri në çastin e fundit të jetës, shkroi sa mundi.

Kështu do të quhet edhe libri i tij më i ri me aforizma, që do të botohet në prag të ditëlindjes së tij, më 13 tetor. Dukej sikur çdo batutë e tij ishte një aforizëm më vete. Ndaj edhe njerëzit e donin dhe bisedat me të ishin gjithnjë të këndshme, gjithnjë të mirëpritura.

Deri sa mbylli sytë, arma më e fortë e Dritëro Agollit ishte komunikimi njerëzor dhe në shumicën e herëve ai etiketohej si “shkrimtar popullor”. Më 13 tetor do të kishte ditëlindjen e 86-të dhe siç do të ndodhte gjithnjë, dera e apartamentit të tij, në pallatin e Maks Velos, apo atë të “shkrimtarëve” siç njihej dikur, do të ishte e hapur kanatë. Do të vërshonin miq, të njohur e të panjohur, nga të katërta anët.
agolli-libri
Kolegë apo devollinjtë e tij të dashur. Do ta mbushnin me lule e urime politikanët, ndërsa e shoqja, Sadija, nuk do të dinte ç’të bënte më parë, të priste miqtë, apo t’i përgjigjej telefonit që binte pa pushim. Ditëlindje sërish do të ketë, veçse Dritëroi nuk do të jetë. Ai u nda nga jeta në 3 shkurt të këtij viti, duke lënë pas veprën e tij dhe kujtimin e një njeriu të mirë.

Që nga dita që u largua nga kjo botë, e bija, Elona, na e ka bërë të pranishëm, duke publikuar poezi të tij të pabotuara, copëza bisedash, shënime nëpër copëra letrash, të shkruara herë me shkrimin rinor e pa të metë, e herë me atë të dridhurin, që ngjante më shumë me ca male gjithë thepa. Është po Elona që na bën me dije, se pikërisht në prag të ditëlindjes së Dritëroit është gati për botim një libër aforizmash, i cili titullohet “Nulla dies sine linea”.

Sipas saj, tashmë është “drejt përfundimit të përgatitjes për botim të një vepre të rrallë, tepër të veçantë e shumë të pëlqyer si zhanër nga lexuesit besnikë të librit dhe shkrimtarit të zemrës: Aforizma nga Dritëro Agolli. Tetori i datëlindjes së Dritëroit vjen i begatë”. Vetë Dritëroi kishte një mendim të lartë për aforizmat. Ai i quante ato gjuhën e shpirtit dhe kur ato mungonin, mbusheshin me citate shabllone të politikanëve. “Një autor i huaj, që nuk më kujtohet emri, thotë se aforizma është një ushqim shpirtëror me dy fjalë në koncentrat.

Ky përkufizim diçka i lirë na ndihmon për të dalluar teoremën nga aforizma. Teorema është ushqim mendor, aforizma është ushqim shpirtëror. Si e tillë ajo kërkon hapësirë të gjerë të lirisë së mendimit. Në një shoqëri ku mendimi është i ngurtë brenda kornizave, aforizma me larminë e saj, e ka të vështirë zhvillimin. Atëherë ajo zëvendësohet me citatet parafabrikate të udhëheqësve”, thoshte Dritëroi, i cili boshllëkun e tij në gojët e njerëzve do ta mbushë me ca aforizma.


KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.