Liderët e vendeve anëtare të Eurozonës e kanë arritur një marrëveshje të përkohshme me Greqinë, për një program të ri të kreditimit, duke e eliminuar rrezikun e menjëhershëm të shkatërrimit të sistemit financiar të Greqisë dhe daljes nga eurozona. Marrëveshja, e cila përfshin edhe “reforma serioze” dhe ndihmë, është shpallur të hënën herët në mëngjes, pas 17 orësh të bisedimeve në Bruksel. Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e kanë mirëpritur këtë marrëveshje, por disa kanë tërhequr vërejtjen se ajo nuk është ende finale dhe se Greqia duhet të ndërmarrë reforma serioze. Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, tha se marrëveshja do ta lejojë Greqinë që të “kthehet në binarë”. “Vendimi i jep rast Greqisë që të kthehet në binarë me mbështetjen e partnerëve evropianë”, tha Donald Tusk në një konferencë për gazetarë në Bruksel.
Ai ka theksuar se liderët janë pajtuar parimisht lidhur me këtë marrëveshje. “Liderët janë pajtuar parimisht se ata janë të gatshëm t’i fillojnë negociatat për një program të Mekanizmit të Stabilitetit Evropian, që me fjalë të tjera do të thotë vazhdim i mbështetjes për Greqinë”, tha zoti Tusk. Sipas tij, “tashmë Greqia ka rast t’i evitojë pasojat sociale dhe politike të një finaleje negative, – por theksoi ai – ekzistojnë kushte të ashpra, që duhet të plotësohen”. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se në këtë rast “nuk ka fitues apo humbës”, ndërsa marrëveshjen e ka përshkruar si “aranzhim tipik evropian”. “Komisioni gjithnjë ka insistuar në faktin se ne nuk do të pranonim ndonjë formë të daljes së Greqisë nga eurozona. Nuk do të ketë dalje të Greqisë nga eurozona. Sa i përket substancës, jemi të kënaqur me rezultatin që kemi mundur ta arrijmë”, tha Jean-Claude Juncker. Presidenti i Francës, Francois Hollande, u shpreh se Parlamenti i Greqisë duhet të caktojë së shpejti një seancë për t’i miratuar reformat e reja. Ai vlerësoi se vendimi në Bruksel është “historik”. “Negociatat ishin të gjata, por para së gjithash është arritur vendim historik, pasi çfarë do të thujuhe sikur Greqia të ishte larguar nga eurozona? Se eurozona nuk ishte e aftë ta siguronte integritetin dhe stabilitetin e saj? Ç’ka do të thuhej për grekët?.
Se ata nuk ishin të aftë t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre? Ç’ka do të thuhej për Francën dhe Gjermaninë, që kanë prirje për të dhënë impulse? Se ne nuk jemi shqetësuar për të pasur takime. Eurozona do të shkonte prapa, derisa Evropa duhet të lëvizë përpara me qëllim që të ndërmarrë projekte që i mbron njerëzit, pasi euroja mbron”, tha Francois Hollande.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se do t’i rekomandojë Bundestagut të Gjermanisë “me besim të plotë” që të autorizohet hapja e negociatave për kredi me Athinën, pasi Parlamenti i Greqisë ta miratojë programin në tërësi dhe t’i miratojë legjislacionet e para. “Dokumenti ynë thotë që në fillim se besimi duhet të ripërtërihet, se ata që janë përgjegjës në Greqi, duhet ta marrin përgjegjësinë për implementimin e gjithë asaj që është vendosur këtu”, tha Angela Merkel. Detajet e kësaj marrëveshjeje të Athinës me kreditorët ndërkombëtarë ende nuk janë publikuar.
Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, tha se vendi i tij ka fituar koncesione në ristrukturimin e borxhit dhe ka siguruar financim afatmesëm. “Masat e përfshira janë ato që kanë kaluar në parlamentin grek. Ato në mënyrë të pashmangshme do të shkaktojnë efekte të recesionit. E kam një ndjenjë, besim dhe shpresë, se 35 miliardë euro nga pakoja e zhvillimit, që ne ia dolëm ta sigurojmë së bashku me ristrukturimin e borxhit grek dhe financim të sigurt për tri vitet e ardhshme, do të krijojnë ndjenjë në tregje dhe tek investitorët se dalja e Greqisë nga eurouzona (Grexit) është çështje e së kaluarës”, tha Alexis Tsipras para gazetarëve në Bruksel. Sipas tij, kjo marrëveshje paraqet “stabilitet” financiar për Greqinë. “Marrëveshja e mban Greqinë në gjendje të stabilitetit financiar. Ajo jep mundësi për ripërtëritje, por njëherësh, do të jetë një marrëveshje e vështirë për implementim”, tha Alexis Tsipras. Tregjet financiare kanë reaguar pozitivisht pas informacionit për arritjen e marrëveshjes, pasi i ka ulur shqetësimet se Greqia ishte nisur në rrugën e saj të daljes nga eurozona.

(d.d/REL/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: