NGA DARINA TANUSHI*
Projektligji i riparë i “vetting”-ut, i cili ka marrë vulën përfundimtare të ekspertëve të EURALIUS, është tashmë në duart e deputetëve të Komisionit të Posaçëm parlamentar të Reformës në Drejtësi. Në nenin 50 të projektit që do të marrë diskutimet e deputetëve saktësohet një aspekt që pritet të ketë ndikim në luftën kundër korrupsionit në drejtësi.

“Personi që ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e rivlerësimit (të gjithë gjyqtarët e prokurorët), ka të drejtë t’i drejtohet zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit, sipas legjislacionit penal. Prokurori mund t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë personit që shpreh vullnetin për të dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit”, thuhet në ligj.

Më tej, ajo që të çudit paksa është se “bashkëpunëtori i drejtësisë nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë. Një kopje e dëshmisë dhe e marrëveshjes së bashkëpunimit, i jepet bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe institucioneve të rivlerësimit. Subjekti i rivlerësimit që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin.

Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës. Kthimi i shumës mund t’u kërkohet drejtpërdrejt edhe çdo personi të lidhur me subjektin e rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100.000 ALL pa shkak të ligjshëm, që nga 01.01.2006”.

EMËRIMET
Në këtë projekt janë marrë parasysh disa nga kërkesat e deputetëve të PD-së. Në një prej neneve, pikërisht nenin 6, ku përcaktohen kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit, saktësohet se:
“Anëtar i Komisionit dhe gjyqtar i Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kriteret e mëposhtme:
ë) nuk ka qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë parashikuar në vendimin Nr.12 atë 02.04.2015 të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë”.

Sipas projektit anëtari i këtyre institucioneve nuk duhet të ketë qenë gjyqtar, prokuror, këshilltar ligjor ose ndihmës ligjor gjatë 2 (dy) viteve të fundit përpara kandidimit si dhe të jetë jo më shumë se 65 vjeç”.

Një pikë tjetër, e shtuar së fundmi është që kandidati duhet të ketë përvojë studimore dhe profesionale jashtë shtetit shqiptar. Në një tjetër nen, atë numër 7, projektligji përcakton se si bëhet përzgjedhja e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit, ku sërish Presidenti i Republikës do të ketë rol në këtë drejtim. Kreu i shtetit shpall vendet vakante për këtë institucion.

“Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti i Republikës përpilon një listë me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale”.

“Në rast se Presidenti i Republikës nuk përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi të Aneks Kushtetutës, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit. Presidenti i Republikës, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Kuvendi janë të detyruar të vijojnë me përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit sipas parashikimeve të nenit C të Aneks Kushtetutës”, thuhet në pikat 4, 5 dhe 6 të projektligjit.

PIKAT KRYESORE TË LIGJIT TË “VETTING”-ut
Neni 6
Kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit
1. Anëtar i Komisionit dhe gjyqtar i Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kriteret e mëposhtme:
ë) nuk ka qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë parashikuar në vendimin nr. 12 atë 02.04.2015 të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë;
1. g) nuk duhet të ketë qenë gjyqtarë, prokurorë, këshilltar ligjor ose ndihmës ligjor gjatë 2 (dy) viteve të fundit përpara kandidimit;
2. gj) të jetë jo më shumë se 65 vjeç;

Neni 7
Përzgjedhja e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit
1. Presidenti i Republikës shpall vendet vakante për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend.
2. Kandidati aplikon menjëherë me publikimin e vendeve vakante.
Kërkesa regjistrohet në regjistrin e protokollit të Presidentit të Republikës. Kandidati pajiset me një dokument që vërteton numrin e aplikimit, datën dhe listën e dokumenteve të paraqitura.
****

9. Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti i Republikës përpilon një listë me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale.

10. Në rast se Presidenti i Republikës nuk përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi të Aneks Kushtetutës, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit. Presidenti i Republikës, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Kuvendi janë të detyruar të vijojnë me përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit sipas parashikimeve të nenit C të Aneks Kushtetutës.

Neni 10
Organizimi i Komisionit
1. Komisioni organizohet në 4 (katër) trupa gjykuese të përbërë nga 3 anëtarë, të cilët caktohen me short. Anëtarët zëvendësues caktohen me short.
2. Shpërndarja e çështjeve në trupat gjykuese bëhet me short ku përcaktohet edhe anëtari relator.

Neni 14
Organizimi dhe administrata e institucioneve të rivlerësimit
1.Institucionet e rivlerësimit kanë personel dhe pajisjet e nevojshme për të përmbushur detyrat e ngarkuara nga ky ligj. Struktura organizative dhe klasifikimi i pagave për personelin e institucioneve të rivlerësimit miratohen nga Kuvendi, me propozimin e institucionit përkatës.

Neni 21
Anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, personat e lidhur me ta, personeli i institucioneve të rivlerësimit, si dhe personeli mbështetës i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, gëzojnë të drejtën të kenë mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre. sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e veçantë.

Neni 22
Deklarimi i pasurisë nga anëtarët e institucioneve të rivlerësimit
2. Anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, sekretari i përgjithshëm, këshilltarët ekonomikë dhe ligjorë, si dhe personat e lidhur me to, çdo vit mbartin detyrimin të deklarojnë pasuritë deri tre vjet pas përfundimit të mandatit, në përputhje me ligjin nr.9049/2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.

Neni 25
Paga dhe përfitimet e anëtarëve dhe këshilltarëve
2. Komisioneri, gjyqtari dhe komisioneri publik marrin pagë dhe përfitime të tjera financiare në përputhje me parashikimet e ligjit “Për statusin” dhe ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatën Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”. Ata përfitojnë një pagesë mujore shtesë për shkak të vështirësisë.

3. Këshilltari ligjor/ekonomik përfiton përkatësisht 80 % të pages mujore respektive të anëtarit të institucionit të rivlerësimit. Ata mund të përfitojnë një pagesë shtesë për shkak të vështirësisë, sipas rastit.

4. Pas përfundimit të mandatit të institucioneve të rivlerësimit, këshilltari ligjor/ekonomik, me pëlqimin e tij, ka të drejtë të emërohet në funksionin ose detyrën publike që kishte para zgjedhjes së tij ose në një vend të përafërt në administratën publike.

Neni 50
Bashkëpunëtori i drejtësisë
1. Personi që ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e rivlerësimit, ka të drejtë t’i drejtohet zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit, sipas legjislacionit penal.
2. Prokurori mund t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë personit që shpreh vullnetin për të dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit.
***

5. Bashkëpunëtori i drejtësisë nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë. Një kopje e dëshmisë dhe e marrëveshjes së bashkëpunimit, i jepet bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe institucioneve të rivlerësimit.

6. Marrëveshja e bashkëpunimit mund të revokohet në rast se bashkëpunëtori i drejtësisë nuk dorëzon provat pranë institucioneve të rivlerësimit ose jep dëshmi të rreme për të cilën mban përgjegjësi penale sipas legjislacionit penal.

7. Subjekti i rivlerësimit që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin. Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës.

Kthimi i shumës mund t’u kërkohet drejtpërdrejt edhe çdo personi të lidhur me subjektin e rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100.000 ALL pa shkak të ligjshëm, që nga 01.01.2006. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur kanë të drejtë të paraqesin në gjykatë padi regresi ndaj personave të tretë që mund të kenë përfituar shumën përkatëse.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: