TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ligji i ri për arsimin e lartë është një reformë që përbën një hap të guximshëm përpara duke shënuar një ndarje me të kaluarën. Në tryezën e organizuar pikërisht për diskutimin e ligjit për arsimin e lartë të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit me mbështetjen e Komisionit Evropian, Rama tha se procesi për këtë reformë është procesi më i mirëorganizuar dhe gjithëpërfshirës.

“Ky është procesi më i mirëorganizuar dhe më gjithëpërfshirës që qeveria shqiptare ka organizuar në funksion të një reforme. Është një reformë që përbën një hap shumë të guximshëm përpara dhe shënon një ndarje të prerë me të kaluarën, duke vendosur një vijë të qartë ndarëse me atë çfarë është sot arsimi i lartë, dhe asaj çfarë do të jetë nesër arsimi i lartë për të prodhuar jo vetëm kushtet në të cilat gjeneratat e reja do të marrin dije, por edhe për të prodhuar një gjeneratë krejt të re shqiptarësh të arsimuar në vendin tonë”, tha kryeministri.

Rama tha se ky ligj bazohet në një parim të qartë, të vendosur që në programin e rilindjes, që është arsimi publik, i financuar nga shteti apo nga privati.

“Është një ligj i cili niset në një parim të thjeshtë e të qartë që ne e kemi vendosur në krye të herës, qysh në programin tonë të rilindjes. Dhe ky parim i thjeshtë është që nuk mund të ketë arsim shtetëror të nënës dhe arsim privat të njerkës por do të ketë arsim publik të financuar nga shteti apo nga privati”, tha ai.

Kreu i qeverisë deklaroi se ky parim vendos në themelin e reformës domosdoshmërinë për të mos bërë kompromis në dëm të cilësisë. Ai e vuri theksin tek financimi në bazë të performancës.

“Ne besojmë se ky është një parim që vendos në themelin e reformës por besoj edhe në themelin e arsimit të lartë domosdoshmërinë për të mos bërë kompromis në dëm të cilësisë. E gjithë historia e arsimit të lartë, pas ndryshimeve, ka qenë një histori kompromisesh në dëm të cilësisë. Kësaj histori ne duam ti japim fund në mënyrë të prerë, duke filluar nga ndryshimi i skemës së arsimit të lartë dhe duke vendosur në financimin në bazë të arsimit të lartë, financimin në bazë të performancës. Shteti nuk ka si mos të jetë gjithmonë e më shumë financuesi kryesor i arsimit të lartë. Por ky është një investim, të cilin shoqëria ka të drejtë që nëpërmjet financuesve të vetë të kërkojë ti kthehet mbrapsht me një produkt cilësor. Nuk është një investim që të vijojë si vitet e tjera, ço paratë dhe se çfarë produkti vjen më pas nuk ka rëndësi”, tha Rama.

Kjo qasje, nënvizoi Kryeministri Rama, “bën edhe përmbysjen e raporteve, pasi ky ligj do t’i shtyjë institucionet arsimore publike të modernizohen, të kenë më shumë lidhje ndërkombëtare. Dhe ky ligj do të zgjidhë vit pas viti dëmet e mëdha që i janë bërë këtij sistemi vit pas viti”.

NIKOLLA: LIGJI PËR ARSIMIN E LARTË, REFORMË TEJET E RËNDËSISHME
Ministrja Nikolla gjatë fjalës së saj tha se “reforma pati prezantimin e saj që lidhet kryesisht me produktin e kësaj reforme tejet të rëndësishmë që lidhet me modernizimin dhe një situatë krejtësisht të re të arsimit të lartë në vend.  Te gjithë shprehën gadishmërinë që të ishin të pranishëm sot dhe të ndanin bashkë idetë për këtë reformë që qeveria shqiptare ka nisur në arsimin e lartë”. Nikolla foli për procesin e përpunimit dhe hartimit të draftit të arsimit të lartë, si një proces i suksesshëm.

“Sigurisht, që ka qënë një proces i gjatë, një proces ku janë përfshirë të gjithë grupet e interesit dhe padyshim kemi punuar me kaq shumë përkushtim dhe profesionalizëm për të nxjerrë një produkt, nga i cili kemi marë edhe vlerësimin e përfaqësuesve të huaj”, tha Nikolla. Ajo shtoi se “nga të gjitha dokumentat që kanë ardhur nga oponenca e huaj, pozitiviteti dhe shprehjet e vlerësimit maksimal, qëndrojnë në draftin mbi arsimin e lartë”, tha Nikolla.

Gjithashtu, ministrja Nikolla ka falenderuar profesorët që kanë marë pjesë në procesin e hartimit të draftit të arsimit të lartë dhe mbështetësit e tij.

MONNE: ARSIMI KA ROL TË RËNDËSISHËM PËR EDUKIMIN E BREZIT TË RI
Drejtori i Përgjithshëm për Arsimin dhe Kulturën në Komisionin Evropian, Xavier Prats Monne u shpreh në fjalën e tij se, “arsimi ka rol të rëndësishëm për edukimin e brezit të ri”.

“Në vendin tim popullsia është e gatshme të paguajë për arsimin sepse është një vlerë e madhe për arsiminimin dhe kjo është një gjë e rëndësishme sa i përket arsimimit”, tha Monne.

“Në arsimim ka sfida të shumta dhe kjo është në varësi të vendeve. Në Shqipëri deri para pak muajsh ka pasur një numër të madh Universitetesh dhe numri ishte mjaft i madh krahasuar edhe me vendet e tjera në Evropë”, u shpreh Monne.

“Nuk mund të gjykoj ligjin tuaj për arsimin për aq pak sa e njoh unë Shqipërinë”, theksoi Monne, “por kemi shpenzuar dy ditë duke diskutuar lidhur me këtë çështje me zyrtarë tëndryshëm të Ballkanit Perëndimor edhe sa i përket arsimimit në Shqipëri”.

“Të shpenzosh në arsimim nuk është thjesht një kosto, por është një investim. Arsimimi është edhe një premtim për të ardhmen. Ajo që duhet të bëjnë vendet është investimi në arsimim”, tha Monne.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: