SHKUP-Ligji për përdorimin e gjuhëve do të mund të hyjë në fuqi edhe pa nënshkrimin e Presidentit Gjorge Ivanov. Ekspertët vlerësojnë se me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit dhe shpalljen e tij në Gazetën Zyrtare, Presidenti do të gjendej ligjërisht para aktit të kryer. Nikolla Dujovski thekson se praktika të tilla ka pasur edhe më herët.

“Do të ishte mirë që Presidenti ta nënshkruante ligjin sepse për atë është i obliguar dhe nuk ka të drejtë të mos e bëj. Nuk është detyrë e tij të vlerësojë procedurën. Por përderisa e dimë se me cilin kemi punë, pres që të përsëritet ajo që ka ndodhur edhe më herët. Kur Presidentet nuk kanë dekretuar ligje, mjafton që të kalojnë gjashtë ditë dhe me nënshkrimin e Kryetarit të Kuvendit ligji i cili është votuar për herë të dytë të adresohet në Gazetën Zyrtare dhe me këtë të hy në fuqi. Pas kësaj mund të pasojnë iniciativat për vlerësimin e Kushtetutshmërisë së ligjit” – thotë analisti Nikolla Dujovski.

Nga ana tjetër analistët politik vlerësojnë se vendimi i Ivanovit për mos dekretimin e ligjit është veprim i motivuar politik. Sipas analistit Sefer Tahiri vendimi i Presidentit motivohet nga politika e pandryshueshme nacionaliste e VMRO-DPMNE-së.

“Kjo parti e ka shumë të vështirë ta ndryshojë kursin e saj politik-etnonacionalist dhe ideologjinë e saj se në këtë shtet maqedonasit duhet të jenë bartës të sovranitetit dhe jo qytetarët pra jo edhe shqiptarët. Kjo qasje mendoj se ja vështirëson rikthimin e saj në pushtet. Mendoj se nuk pritej ndonjë veprim tjetër nga ky President i cili në fakt nuk është President por është vetëm një figurë dhe marionetë politike e VMRO-DPMNE-së. Presidenti i Maqedonisë është më i mirë kur nuk flet se sa kur deklaron diçka”- vlerëson analisti tjetër Sefer Tahiri, njofton Alsat M.

Derisa shumica parlamentare nuk bëjnë të ditur nëse kanë plan B në rast se Ivanov përfundimisht nuk nënshkruan ligjin, ekspertët këmbëngulin se shkeljet procedurale dhe jo kushtetutshmërinë e ligjit mund ta vlerësojë vetëm Gjykata Kushtetuese. Liderët aktin e Ivanovit e quajtën qyqar, ndërsa ish kryeministri Nikolla Gruevski veprimet e tij në miratimin e ligjit i arsyetoi me tentativa për ta penguar procedurën, siç e quajti ai, jo-kushtetuese. Kreu i Kuvendit nga ana tjetër ka përsëritur se rreth mënyrës për hyrjen e ligjit në fuqi akoma është duke u diskutuar. Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua më 11 janar, ndërsa më 17 janar Ivanon njoftoi mos dekretimin. Leximi i tretë u bë shumë ditë pas afatit 30 ditorë të paraparë me Rregulloren e Kuvendit. Arsye për këtë sipas të parit të ligjvënësit ishte ideja që subjektet të unifikohen për veprim të logjikshëm. Ligji për përdorimin e gjuhëve për herë të dytë u miratua me 14 mars me 64 vota “për” dhe pa shqyrtuar asnjë nga 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: