Andi Lila pranon se situata e tij te PAS Janina është komplikuar pas videos së postuar në rrjetet sociale ku shfaqej ai duke bërë humor me priftërinjtë grekë. Mesfushori i përfaqësueses, i cili ndoqi nga stoli ndeshjen e sotme, tregoi për “SuperSport” se nesër do të takohej me klubin rreth kësaj çështje, ndërsa insiston se pavarësisht polemikave të fundit, brenda grupit të Kombëtares nuk ka përçarje.

Për sfidën ndaj Bosnjës
“Faktikisht vijmë pas dy humbjesh rradhazi dhe normalisht nuk jemi të lumtur. Por duke parë ndeshjet që kemi luajtur, jemi ekip me personalitet. Pjesa e dytë sot e tregoi që e meritonim jo të barazonim, por të fitonim. Ishte ndeshje pozitive për mendimin tim, të vazhdojmë me këtë ritëm që të bëjmë lojëra të mira që të bëjmë rezultat”.

Për atmosferën në ekip
“Gjendja e skuadrës për mendimin tim është shumë e mirë, në dhomat e zhveshjeve ka harmoni të jashtëzakonshme. Nuk ka asnjë lloj problemi. Jo të gjitha gjërat po shkojnë si në Francë. Ne jemi grup që duhet të jemi bashkë: futbollistë, gazetarë, tifozë, që të arrijmë nivelet që ishim në Europian se ishim bashkë.

Dëgjohen gjëra të ndryshme për përçarje, por përçarje nuk ka fare. Jemi të gjithë shokë dhe me çunat nuk ka problem. Mos presim të gjithë si ndeshjet në Europian se ai ka strategji tjetër, por arritëm ato nivele se ishim të bashkuar. Shpresoj që të jemi të bashkuar të gjithë komponentët dhe të ecim përpara”.

Për çështjen e videos te PAS Janina
“Është bërë problem. Nesër kemi takim me skuadrën dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Por për momentin nuk kam shumë informacion”./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: