Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ende beson që Lëvizja Vetëvendosje do të mbështesë protestën e 14 majit, të organizuar nga AAK dhe Nisma.

Ai ka thënë se nuk e ka të qartë ende pse Vetëvendosje nuk po merr pjesë në protestë, pasi kauzat janë të njëjta me protestat e kaluara, shkruan Koha.net.

“Nuk e kam as vetë të qartë pse VV nuk merr pjesë në protestë. Kauzat janë të njëjta dhe u bëj thirrje atyre që të bashkohen në protestë”, ka thënë Limaj, teksa ka folur për mbështetjen nga VV-ja për të cilën ende shpreson.

“Ne kemi mbështetur protestat kundër ish-ministrit Jabllanoviq, nuk kemi qenë pjesë e organizimit. Në këtë situatë kam pritur që edhe ata me një letër mbështetëse ta mbështesin këtë protestë, nëse nuk dëshirojnë të marrin pjesë në organizim. Për mbështetje ka ende kohë dhe besoj që do të përgjigjen”, ka shtuar Limaj.

Ndërsa në lidhje me organizimin e protestës, ai ka thënë se është i njëjti skenar i protestave sikur në të kaluarën dhe se ka sinjale të mira nga terreni.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: