Nga Eleina Qirici

E shtuna e Pazarit sot, por Pazarit të Korçës ia kanë ulur qepenat, ia kanë mbyllur dyqanet dhe sot nuk është më Pazar.

Bashkimi Europian ka investuar që Pazari të rikonstruktohej dhe të kthehej në identitet. Por ajo që ka ndodhur, me “bekimin” e zv.kryeministrit, është tjetërsimi i Pazarit të Korçës, produkt i arbitraritetit qeverisës në të gjitha nivelet e pushtetit, fakt i mosdijes dhe shmangies së konsulencës me ekspertët, rezultat i butaforisë se Rilindja mund të bëjë mes shbërjes. Pronari dhe sipërmarrësi për Bashkinë e Filopeleshianëve janë objekte, të cilët pushteti i lëviz ngado dhe sido, apo edhe “i asgjëson”, sipas rastit dhe interesave “madhore” të pushtetit.

Bashkia si kërbaçi në duart e zv.kryeministrit, i dëboi tregtarët, sipërmarrësit, zanatçinjtë dhe u tregoi rrugën. Kostoja financiare e shpërngulies e konsiderueshme, deri në cënim për sipërmarrjen, në kohë krize, mbijetese. Kurse pronarët, ata ish-borgjezët e para Luftës, meritonin një disiplinim nga Bashkia, e cila pas përfundimit të fasadave, u paraqiti pronarëve një listë biznesesh duke u thënë më imponim: “Këto dhe vetëm këto biznese mund të hapen në pronat tuaja, në dyqanet tuaja.” Në ekonominë e tregut të lirë, në kohën e kapitalizmit të shumëdëshiruar, e majta “e rilindur” u sjell pronarëve vegime nga diktatura.

Pazari i Korçë nuk është më Pazar. E shtunë sot dhe është bosh.

Në 138 godina, ka vetëm dy kafene, një dyqan të telefonisë celulare, një embëltore, një dyqan suveniresh dhe një dyqan erëzash. Njerëz nuk ka, megjithëse punonjësit e Bashkisë ndjekin një grafik ditor për popullimin e Pazarit, për të mos e lënë krejt të heshtur në këto ditë ku nuk ka më as llambushka Krishtlindjesh, dekore me dritka.

130 dyqane me qepena të mbyllura. 130 pronarë që për afro një vit nuk marrin më qera nga prona e tyre. Tani janë duke paguar për Bashkinë edhe një tarifë gjobitëse prej 1000 lekë (të vjetër) për metër katror në muaj, nëse nuk hapin apo nuk e lëshojnë dyqanin për funksionimin e një aktiviteti sipërmarrës, imponuar nga lista e Bashkise. Por nuk ka sipërrmarrës që ofrohen, nuk ka kërkesë. Në këto kushte pronari i paguan Bashkisë haraç, sepse ka një pronë në Pazar, një pronë që sot, nuk e lëshon dot me qera.

Pazari i Korçës një dështim i Bashkisë dhe Qeverisë në menaxhimin dhe funksionimin e Pazarit, një cënim flagrant i pronarëve dhe tregtarëve/sipërmarrës.

Deri para pak kohë Pazari i Korçës gumëzhinte, sheshi dhe rrugicat ishin plot. I varfër në infrastrukturë ndoshta, por i pasur dhe plot jetë në tregti dhe shkëmbime, në aktivitete të vogla që jetonin në një komunitet të madh, në një kompleks godinash të ndërtuara enkas për të funksionuar ashtu, pikërisht ashtu, si para pak kohë, si kurdoherë, si gjithmonë, që prej krijimit, për disa shekuj.

BE investoi për rikonstruksionin e jashtëm të godinave, kurse Bashkia investoi për dëbimin e njerëzve, korçarëve, pronarëve, tregtarëve dhe e zbrazi Pazarin. Përse?!

Pazari i Korçës ka ndryshuar destination. Përse?

I them Kryetarit të Bashkisë dhe mentori të tij, si dhe Filopeleshianëve “kreativë” se:

zanatçinj ka, ustallarrë ka, artizanë ka, teneqexhinj ka, kovaç ka, rrobaqepësa ka, këpucarë ka, tregtarë ka, sipermarrës ka, por nuk ka Pazar.

E shtunë sot, por në Pazarin e Korçës nuk ka pazar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb