TIRANË- Pas kërkesës së Prokurorisë së Durrësit për arrestimin e dytë të të ashtuquajturit “baroni i drogës”, Alket Hatiaj, i cili u arrestua me një urdhër-kërkimi nga Italia dhe më pas u lirua nga Gjykata e Durrësit për mungesë provash ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi i ka dërguar një shkresë kryeinspektores së Këshillit të Lartë të Drejtësisë me të cilën kërkon verifikim të rastit.

Po kështu për lirimin e Hatiajt ka reaguar edhe gjykata e Durrësit, e cila e quan kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e tij të pabazuar. Sipas Gjykatës, kërkesa nuk shoqërohej me shkresën e ministrit Bardhi.

REAGIMI I GJYKATËS
Nisur nga artikujt e botuara në median e shkruar si dhe njoftimet në median vizive, lidhur me gjykimin e çështjes penale që i përket shtetasit Alket Hatija, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës sqaron sa vijon:

Në datën 09.07.2017 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës është regjistruar kërkesa e Prokurorisë pranë kësaj gjykate me objekt: “Miratimin e arrestimit të shtetasit Alket Hatija të datës 08.07.2017 si dhe caktimin e masës së sigurimit personal atë të “arrestit në burg” për ekstradimin e tij në Itali”.

Kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtarit Petraq Çuri, gjyqtar i gatshëm në këtë datë, i cili ka zhvilluar seancën gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës në datën 11.07.2017, ora 09:30.

Në përfundim të gjykimin Gjykata ka vendosur të mos miratojë arrestimin e shtetasit Alket Hatija dhe caktimin e masës së sigurimit të “Detyrimit për paraqitje para policisë gjyqësore”, të hënën e parë e të tretë të çdo muaji për këtë shtetas.

Në mënyrë të përmbledhur në vendimin e saj Gjykata ka arsyetuar se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për efekt të ekstradimit bazohej në kërkimin e Interpol Romës, të Qershorit të vitit 2017, me të cilën shtetasi Alket Hatija kërkohej për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të dhënë nga Gjykata e Milanos, sipas të cilit ishte dënuar me 20 vjet burgim për vepra të ndryshme penale.

Gjykata e ka gjetur të pabazuar këtë kërkesë të akuzës, pasi kërkesa nuk shoqërohej me kërkesën e Minsitrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Alket Hatija për efekt të ekstradimit, kërkesë kjo e cila është kusht për caktimin e masave shtrënguese për efekt të ekstradimit sipas parashikimeve të neneve 493 e 494 të Kodi të Procedurës Penale.

Po kështu, në vendimin e saj gjykata është shprehur se shtetasi Alket Hatija ka paraqitur në gjykim vendimin nr.10 datë 26.03.201, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me të cilin është dënuar me me 10 vjet e 8 muaj burgim për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, të cilin shtetasi Alket Hatija e ka kryer në burgjet shqiptare. Sipas pretendimit të këtij shtetasi me këtë vendim ai është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për të njëjtat vepra penale për të cilat është dënuar nga Gjykata e Milanos dhe nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtat vepra penale, duke iu referuar edhe vendimit nr.93 datë 16.11.2011 të Gjykatës Kushtetuese të RSH,e cila e ka shqyrtuar rastin e tij lidhur me këtë pretendim. Vendimi i një gjykate shqiptare për të njëjtat fakte përbën një nga rastet e refuzimit të ekstradimit sipas 491 të Kodit të Procedurës Penale.

Për këto arsye gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Detyrimi për paraqitje para policisë gjyqësore” të hënën e parë e të tretë të çdo muaji për shtetasin Altin Hatija, duke theksuar edhe se ky shtetas jeton e punon në qytetin e Durrësit dhe ekzekutimi i kësaj mase është tërësisht i mundur.
Arsye më të detajuara gjenden në vendimin e plotë të gjykatës.

PËRPLASJA
Pa kaluar as 24 orë nga momenti kur Hatija doli në liri, prokuroria e Durrësit e ankimoi vendimin e gjykatës, duke e cilësuar të padrejtë dhe të kundraligjshëm.

Prokurori ka kërkuar në seancë miratimin e arrestit të përkohshëm me afat 40 ditor me qëllim ekstradimin e të kërkuarit drejt Italisë, pasi rezulton të jetë dënuar në vitin 2015 me 20 vite burgim për trafik narkoëtikësh, mbi bazë të të cilit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gazetarja Klodiana Lala tha për “BalkanWeb” se burime pranë prokurorisë argumentuan se arresti i përkohshëm u kërkua për shkak se nuk disponojnë vendimin e formës së prerë të firmosur nga drejtësia italiane dhe nuk janë të bindur nëse bëhet fjalë për të njëjtat episode që Alket Hatija është dënuar nga gjykatat shqiptare, dënim të cilin e ka shlyer.

Për këtë arsye – sqarojnë burimet – do ti kërkohej Italisë që brenda afatit ligjor të përcillte dosjen e te kërkuarit dhe nëse rezultonte se bëhej fjalë për të njëjtat çështje, atëherë do të urdhërohej lirimi i Hatiajt.

Avokati mbrojtës ka kërkuar me këmbëngulje që prokuroria t’i vinte në dispozicion vendimin e fajësisë së Hatiajt, e mungesë të kësaj prove, gjykatësi Petraq Curri ka urdhëruar lirimin e të arrestuarit.
Alket Hatija është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe italiane. Ai u arrestua në vitin 2008, bashkë me katër persona të tjerrë, pasi dyshohej si kreu i një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte heroinë nga Turqia në Itali, duke përdorur Shqipërinë si vend transiti.

Në 2010, Hatija është dënuar nga gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vite e tetë muaj burgim, vendim që është lënë në fuqi në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Në vendimin e gjykatës zbardhen të gjitha episode e trafikimit të heroinës, nga grupi që drejtonte Hatiaj i cili është identifikuar vetëm nëpërmjet përgjimeve telefonike.

Pas lirimit nga burgu Burimet thanë se i cilësuari si “zoti i drogës” kishte ndërtuar një vilë luksoze në Berat, ndërsa ruhej nga truproja të shumta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb