TIRANE- Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës franceze për lirimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili u arrestua në 4 janar në Aeroportin e Baselit, sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.

Duke e cilësuar të padrejtë ndalimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, Meta thotë se Haradinaj duhet të kthehet sa më parë pranë familjes së tij në Kosovë e njerëzve të tij të dashur.

Në vijim, Kryetari Meta gjykon se ky vendim është ende jo i plotë dhe beson se drejtësia franceze do të japë verdiktin e saj përfundimtar, duke e çliruar Kryetarin e AAK-së nga të gjitha akuzat e vjetra që vijnë nga Serbia.

AAK dhe simpatizantët e saj, të gjitha dashamirësit, mbështetësit dhe qytetarët e Kosovës, të cilët ngritën zërin kundër kësaj padrejtësie dhe e mbështetën pa kushte janë në pritje të kthimit të tij në vendin, tek e ardhmja e të cilit ai beson aq shumë.

Lirimi me kusht parashikon paraqitjen e Haradinajt 2 herë në javë pranë Gjykatës franceze, si dhe mos të largohet nga Franca.

Lirimi me kusht i Haradinaj vjen dy ditë pasi Ministria serbe e Drejtësisë i dërgoi Francës kërkesën për ekstradimin e Ramush Haradinajt me disa dokumente, të përkthyera në gjuhën frënge. Serbia e kërkon Haradinajn për veprat penale, që nuk janë përfshirë në aktakuzën e Tribunalit të Hagës, ku doli i pafajshëm.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb