TIRANE– Pas rreth 8 orësh policia ka lënë të lirë 8 studentet e shoqëruara pas incidentit me kryeministrin Edi Rama dhe protestës së tyre kundër reformës në arsim. Pasi kanë dalë nga ambientet e Policisë së Tiranës, një prej studenteve ka deklaruar se nuk ka pasur dhunë, por se janë marrë në pyetje dhe do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësve të policisë. Gjithashtu studentët kanë deklaruar se do vazhdojnë protestat kundër reformës së arsimit të lartë.

“Nuk është ushtruar dhunë ndaj nesh në ambientet e policisë. Ne do të hetohemi penalisht për kundërshtim të policisë, ndërkohë që është e kundërta, Policia ka ushtruar dhunë ndaj studentëve. Të gjithë që ishin brenda janë pyetur. Do ndiqemi penalisht në gjendje të lirë. Do i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje, kjo reformë nuk kalon!”, ka deklaruar studentja.

Ndërkohë menjëherë pasi policia shoqëroi 8 studentët, dhjetëra studente të tjerë dhe qytetarë u mblodhën para Drejtorisë së Policisë Tiranë duke kërkuar lirimin e tyre. Me një megafon ata bënë thirrje që studentët që qëlluan Ramën të liroheshin nga Komisariati.

(el.sp/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: